“Si do të besojnë, po të mos dëgjojnë”
 
    Ka dalë në qarkullim, në stendat e librarive të Kishës Orthodhokse libri i ri “Si do të besojnë, po të mos dëgjojnë”, me autor Mitropolitin e Polianisë dhe i Kilkisit, (†) Apostoli. Pas 54 vitesh shërbimi të fjalës së Perëndisë, 17 vite si predikues dhe 37 vite si episkop, vepra e tij ka arritur gjithmonë në formulime thelbësore. “Nevojitet lutje e vazhdueshme, që mendja të ndriçohet dhe të çelen sytë në kuptimin e predikimeve ungjillore dhe një kërkim intensiv, që të gjejë dikush ato gjëra për të cilat bota kërkon përgjigje” – tregon autori në parathënien e librit.

    Libri është përkthyer nga greqishtja prej dhjakon Anastas Bendo dhe përmban mesazhe të shkruara kryesisht mbi leximet ungjillore të të Dielave të vitit kishtar, duke u ndalur në të vërtetat esenciale të besimit orthodhoks.

    Me thjeshtësinë e të shpjeguarit, ky botim është mjaft i vlefshëm edhe për jobesimtarët që vizitojnë Kishën Orthodhokse, në mënyrë që kur ata të konstatojnë tekstet liturgjike, leximet biblike, himnet dhe uratat të mos mbeten të huaj, por të kuptojnë shërbesën si adhurim logjik dhe jo si “ceremonial magjik”.

    Në këtë vëllim, përfshihen predikimet e shkruara të katër viteve (1999-2003). Janë vendosur në radhë kronologjike, sipas të Dielave të vitit liturgjik.

   Botohen me lutjen e nxehtë, që të ndihmojnë në fuqizimin e pjesëmarrjes së ndërgjegjshme të lexuesve në mbledhjen eukaristike dhe në prezencën e përgjegjshme të tyre brenda shoqërisë sonë multikulturore.
 
 
– Përmbajtia –