Në dt. 18 Janar 2007 Këshilli Bashkiak i qytetit të Korçës i dorëzoi Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas titullin “Qytetar nderi” me motivacionin: “Për merita të shquara në ringjalljen e madhe të Orthodhoksisë, si dhe ngritjen e mjaft institucioneve fetare në qytetin e Korçës, përmes një ceremonie të organizuar nga Bashkia e Korçës në bashkëpunim me Mitropolinë e Korçës.
 
    Ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë Robert Damo, prefektja e Qarkut Elfrida Zefi si edhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, të partive politike dhe shumë intelektualë të qytetit, përfaqësues të komunitetit mysliman suni dhe bektashi etj. Ceremonia u zhvillua në kinemanë e qytetit “Millenium”. Kryepiskopi u prit me valle tradicionale korçare nga grupi folklorik i fëmijëve të qytetit.
    “Prof. dr. Anastasi është ai që solli pranverën e vërtetë në ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Është ai që e ngriti atë nga gërmadhat. Ai që ngriti Sinodin e Shenjtë me hirotonisjen e episkopëve të tjerë…” – tha ndër të tjera Kryetari i Bashkisë.
 
    Pasi përmendi disa nga veprat e Kryepiskopit Anastas ne Mitropolinë e Korçës si edhe rolin që ka luajtur dhe luan Kryepiskopi Anastas në këtë dioqezë për bashkëjetesën dhe tolerancën fetare, ai njoftoi të pranishmit në sallë se me vendim të qeverisë ambientet e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë do të kalojnë nën administrimin e Kishës Orthodhokse.
    Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, pasi bëri një përmbledhje të jetës dhe veprës së Kryepiskopit në përfundim tha: “Ringritja e Kishës Orthodhokse në Korçë në të gjitha aspektet i atribuohet Kryepiskopit Anastas. Është një meritë e qytetarisë korçare që nëpërmjet kërkesës për dhënie të titullit: “Qytetar nderi” Kryepiskopit Anastas, shprehu mirënjohjen ndaj këtij personaliteti dhe humanisti të madh. Gjithashtu ishte në nderin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Korçës që aprovoi kërkesën e qytetarisë korçare.
 

     Të njohësh kontribute, të jesh mirënjohës për njerëzit, të cilët na kanë ndihmuar në kohë shumë të vështira, të falënderosh bamirësit është një vlerë e madhe. Një komunitet i tillë është një komunitet i qytetëruar dhe që ka një të ardhme. Korça, e cila ka qenë një pioniere në shumë drejtime të jetës shqiptare si në: arsim, kulturë dhe në punë, edhe në këtë rast u tregua përsëri një pioniere, duke njohur kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Kryepiskopi Anastas për vendin tonë në përgjithësi dhe Korçën në veçanti, sepse të them të drejtën unë nuk njoh njeri tjetër gjatë këtyre 16 viteve që të ketë bërë kaq shumë për këtë vend, sa Kryepiskopi Anastas dhe të mos ketë marrë pothuajse asgjë.
 
 
     Prandaj dua të falënderoj të gjithë nismëtarët si dhe Këshillin Bashkiak të qytetit të Korçës, sepse duke nderuar figurën e Kryepiskopit Anastas dhe duke njohur publikisht kontributin e Tij, ata nderuan veten dhe qytetin e tyre. Ata dëshmuan se Korça mbetet një qytet i kulturuar, mirënjohës dhe me një ndjenjë të madhe qytetarie, që jo vetëm ka lindur njerëz dhe bamirës të mëdhenj, por edhe i nderon, i respekton dhe i çmon ata”.
     Në vazhdim, Kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Robert Damo, i dorëzoi titullin Kryepiskopit Anastas nën shoqërimin e duartrokitjeve të zgjatura. Kryepiskopi Anastas, i emocionuar tha: “Me gjithë zemër dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të sinqerta ndaj jush dhe anëtarëve të nderuar të Këshillit Bashkiak për vendimin unanim dhe fisnik, duke më dhënë titullin “Qytetar nderi” i Korçës. Ndihem qytetar i Korçës jo nga dita e sotme, por që nga viti 1991, kur erdha për herë të parë në këtë qytet. Shpesh në këto vite kam qenë në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe aty kam deklaruar se “jam një korçar i vogël”.
     Unë jetova gjatë këtyre viteve duke marrë pjesë në të gjitha sprovat, dhimbjet dhe gëzimin e këtij populli dhe bashkë me liderët e tjerë të dashur fetarë, ne u përpoqëm që të kontribuonim në bashkekzistencën dhe harmoninë fetare në vend, në zhvillimin e vetë vendit me Fjalën e Perëndisë.
 
    Shpeshherë, duke marrë iniciativa që ishin pararojë në fusha të shëndetit, të arsimit dhe të përkujdesit shoqëror të zhvillimit dhe të kulturës. Në Korçë kam gjetur gjithmonë mikpritjen, përkushtimin dhe fuqi ripërtëritëse. Keni nderin të keni njerëz me të vërtetë të talentuar. Dua t’ju uroj nga thellësia e zemrës sime shëndet dhe urtësi shpirtërore, por edhe durim që ju të vazhdoni të realizoni planet tuaja për Korçën tonë të dashur, e bekuar nga Zoti. Perëndia le të na ndihmojë të gjithëve ne për të vazhduar me iniciativa krijuese përpjekjen tonë që ta bëjmë Korçën një qytet të bukur, ku të sundojë harmonia ndërfetare, përparimi, solidariteti, dashuria dhe shpresa. Edhe njëherë falënderime nga një korçar i ri”.
 
    Duke i dorëzuar Kryetarit të Bashkisë si dhuratë një shandan të argjendtë në shenjë simboli të kësaj dite, Kryepiskopi Anastas tha: “Ju jap këtë dhuratë që në ditë të vështira “kur nuk ka energji”, keni rastin të ndriçoheni. Është një llambadhë e thjeshtë, një llambadhë Pashke, duke patur si simbol bashkimin”.
 
    Prefektja Elfrida Zefi duke përcjellë mesazhet e qeverisë shqiptare ndër të tjera tha: “E vlerësojmë shumë veprën apostolike të Kryepiskopit Anastas. Nëpërmjet dy lajmeve të mira të konfirmuara në mënyrë zyrtare nga ministrat përkatës mbështetjen financiare të transferimit të Muzeut të Artit Mesjetar për të mundësuar kthimin e Katedrales “Burimi Jetëdhënës” në origjinalitet. Ndaj përfitoj nga rasti të drejtoj fjalë falënderimi për prezencën sot në Korçë të apostullit të ditëve tona, Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Ne kuptojmë se sa e rëndësishme është të ndjesh çdo të thotë “Perëndi, më jep fjalën dhe unë do ta gdhend atë tek njerëzit”. Kjo ceremoni dhe atmosferë u përcoll në publikun e gjerë shqiptar nga media lokale dhe kombëtare.
 
    Në fund, për të pranishmit u shtrua një drekë në restorantin e godinës polifunksionale “Shën Gjergji” të Kishës, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore të shoqëruar me këngë, muzikë qytetare korçare dhe kishtare nga të rinj muzikantë dhe artistë.
 
 
Julia Pjetri