Në datën 8 dhjetor, Kryepiskopi Anastas mbërriti në Napoli, shoqëruar nga një pjesë e delegacionit kishtar që ishin në vizitën në Vatikan, e shkoi për të përshëndetur kardinalin Kreshenco Sepe të këtij qyteti në kishën e Shën Marisë së Panjollshme, që kremtonte në atë ditë. Pas një përshëndetje të ngrohtë të rezervuar nga ana e kardinalit dhe autoriteteve të tjera të qytetit, midis tyre edhe kryetarja e Bashkisë së Napolit, Kryepiskopi përshëndeti popullin e qytetit nga tribuna e ngritur pranë kishës në dialektin napolitan, duke uruar që e Përmbishenjta Hyjlindëse të bekojë dhe të shoqërojë sa herë popullin besimtar të Napolit për kapërcimin e problemeve dhe plagëve shoqërore që e mundojnë. Më pas Kryepiskopi vizitoi selinë e Kardinalit Sepe të ndodhur në qendrën historike të qytetit, i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunitetit të San Exhidios, Rikardi, e mjaft miq të tjerë.
    Të nesërmen, 9 dhjetor, kardinali Sepe e ftoi Kryepiskopin Anastas në Universiteti Pontifik të Italisë së Jugut në Napoli, në cilësinë e kryekancelari të këtij Universiteti, për të dhënë Lectio Magestralis-in, fjalimin përkatës me rastin e hapjes zyrtare të vitit të ri akademik në këtë qendër universitare, ku u krye edhe ceremonia e rastit dhe me rastin e dhënies së Honoris Causa Fortlumturisë së Tij Anastasi po nga ky universitet.
  Në aulën kryesore të tij, u mblodhën shumë profesorë, akademikë, studentë, përfaqësues të misioneve ushtarake të Natos në bazën e njohur të Napolit, të ftuar nga autoritetet lokale etj. Dekani i Fakultetit të Teologjisë, dr. Karlo Greko, bëri një ekspoze të gjallë dhe prekëse të jetës dhe veprës së Kryepiskopit Anastas, duke nxjerrë në pah kontributi e madh të tij në lëmin e misionarologjisë, fetarologjisë dhe etnologjisë, unitetit të të krishterëve në mbarë botën; përshkroi veprën e madhe të Kryepiskopit në Kishë, duke përshkruar para të pranishmëve ngritjen dhe fuqizimin e Kishës Orthodhokse në Kenia, Uganda dhe në Tanzani, ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ripërtëritjen e biomës fetare në Shqipëri. Atë Karlo Greko foli për rolin e pazëvendësueshëm të Kryepiskopit në krijimin e një klime tolerance dhe bashkëjetese paqësore dhe vëllazërore midis komuniteteve fetare në Shqipëri. Ky fakt u prezantua si një model për të tërë ata që duan të ndërtojnë një dialog jete, duke lënë mënjanë interesat e vogla dhe të ngushta etnike, klanore apo fetare.
    Më tej kardinali Sepe e ftoi Kryepiskopin Anastas, pasi bëri edhe ai nga ana e tij një vlerësim të gjithë veprës së tij dhe jetës së Kryepiskopit ë shërbim të Kishës dhe të njeriut. Kryepiskopi mbajti ligjëratë me temë: “Duke hulumtuar shtresat paqembajtëse në fetë e mëdha”. Në një sallë të mbushur plot, që e ndoqi me vëmendje ligjëratën, që u përkthye edhe në gjuhën italiane nga profesorë të këtij Universiteti, të pranishmit u njohën me “shtresat paqembajtëse”, të feve kryesore në botë, që kanë luajtur një rol dhe ndikim të madh në mbarë historinë e njerëzimit. Ai përmendi fakte të para në një optikë të re, nga shkrimet e shenjta dhe tradita fetare të feve të mbarë botës, duke pohuar se paqja përbën një gjendje fillestare primare për çdo popull, individ ose grup shoqëror që kërkon të njohë Trashendenten dhe ta përjetojë atë në një formë të pastër. Kryepiskopi preku edhe rolin e jashtëzakonshëm të Krishtërimit dhe kontributin e madh që ka luajtur qytetërimi i krishterë për mbizotërimin e paqes dhe të vlerave të bashkëjetesës paqësore, tolerancës dhe pranimit të tjetrit sikundër ai është. Duke shtjelluar pasazhe nga shkrimet e Etërve të Kishës, shën Vasilit të Madh, shën Grigor Teologut, shën Maksim Konfesorit etj., Kryepiskopi Anastas nënvizoi mesazhin e krishterë të paqes si të brendshme ashtu dhe me të tjerët dhe me krijesën, që vjen si dhuratë që lartazi nga vetë Perëndia, që është vetë paqja.
    Në përfundim të kësaj ligjërate, Kryepiskopit iu shpall Doktor Nderi i Universitetit Pontifik të Napolit, në mes të një atmosfere të ngrohtë dhe të mbushur me ndjenja të forta paqeje dhe shprese për të ardhmen.
    
    Po atë ditë Kryepiskopi Anastas dhe delegacioni që e shoqëronte u kthye në Shqipëri.
 
 
Dhjakon Anastas Bendo