Në vazhdimësi të interesit të treguar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në dt. 24 mars Kryepiskopi Anastas shkoi në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme (Kovaleshencës) në Durrës, ku janë strehuar rreth 400 nga banorët që kanë humbur shtëpitë. Aty ai pati një bisedë të ngrohtë me drejtorin e këtij institucioni, i cili e falënderoi për interesimin e treguar dhe për ndihmat e dhënë nga Kisha.

    Prej ditësh studentë dhe pedagogë të Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash dhe përfaqësues të rinisë orthodhokse, kanë qenë në këto mjedise, për t’u interesuar për nevojat  e tyre më imediate, por edhe për të dhënë një mbështetje shpirtërore, dukë organizuar veprimtari me fëmijët dhe të rinjtë e shumtë.

    Nga këto takime kanë dalë edhe disa nga nevojat më imediate, ndaj Kryepiskopi Anastas dhuroi për ta 50 ngrohës, me vlerë 100 mijë lekë, të cilët me ftohjen e motit u bënë të nevojshëm sidomos për familjet me fëmijë të vegjël. Kryepiskopi ndau edhe dhurata për më të vegjlit.

    Fortlumturia e Tij u interesua edhe për nevojat që kanë dalë, dhe mbasi premtoi se shumë shpejt do të jepen e edhe 100 kuverta, u shpreh se do shihte mundësinë e plotësimit edhe për kërkesa të tjera.

    Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas tha se ky interesim nuk do të zbehet me kalimin e ditëve dhe se po bëhen përpjekje për të siguruar fonde për të rindërtuar një shkollë a kopsht në zonën e  shkatërruar nga shpërthimi etj.

 

    Në një takim që ai pati me Ministrin e Arsimit z. Genc Pollo, Kryepiskopi shprehu dëshirën që të kontribuojë përmes fondeve të bashkëpunëtorëve të Kishës në botë, në rindërtimin e kopshtit ose shkollës së fshatit Gërdec. Ministri i Arsimit pasi shprehu falënderimin për ndihmën e ofruar, sugjeroi që fillimisht Kisha mund të ndihmojë në rindërtimin e kopshtit, meqenëse është kërkesë më imediate nga banorët e zonës, ndërsa më vonë mund të jepet ndihmë edhe për rindërtimin e shkollës.

    Ndihma e dhënë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë që në orët e para pas tragjedisë së Gërdecit, do të vazhdojë deri në rehabilitimin e plotë të banorëve.

 

Thoma Dhima