Atmosfera festive e Krishtlindjeve në Tiranë nisi të ndihej që më parë, me përgatitjet për ta pritur sa më mirë Krishtin-Foshnje, pas një periudhe të gjatë përgatitore lutjeje dhe kreshmimi. Kremtimi i parë ishte ai të Dielën e Para-Krishtlindjes, pasditen e së cilës besimtarët të mbledhur në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari”, morën pjesë në Misterin e Efqelisë, atë të lyerjes me vaj të shenjtëruar.
Në 23 dhjetor, herët në mëngjes, besimtarët morën pjesë në shërbesën e bukur të Orëve të Mëdha të Krishtlindjes, të mbushur me tropare dhe me lexime nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, që flasin për Lindjen e Krishtit, duke u pasuar më pas me shërbesën e Mbrëmësores dhe atë të Liturgjisë Hyjnore të Vasilit të Madh. Mëngjesi i vigjiljes së Krishtlindjes nisi në orën 06.00. Kisha ishte tejmbushur me qindra besimtarë, të cilët ndoqën Liturgjinë Hyjnore të Joan Gojartit dhe më pas u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, gjë e cila kurorëzoi përgatitjen për kremtimin e kësaj feste.
Një ditë, me kuptim dhe me motivin për të qenë pranë të gjithë njerëzve, pranë lutjeve dhe falënderimeve. Një ditë ku secili ka pasur një moment reflektimi mbi jetën e tij dhe besimin, por edhe një ditë urimesh dhe dhuratash.
***
Atmosfera e Krishtlindjes vijoi edhe në mjediset e Kryepiskopatës së Shenjtë, ku priteshin vizitat e urimit të përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare, personaliteteve të larta shtetërore, intelektualëve të shquar dhe shumë besimtarëve. Siç është bërë tashmë traditë, për urim erdhën përfaqësues të politikës, drejtues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues të Trupit Diplomatik etj.
E para që vizitoi Kryepiskopatën, ishte Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila u shpreh: “Bashkë me festën e Vitit të Ri, këto janë festat më të bukura. Po të reflektojmë dhe mendojmë se çfarë është Krishtlindja është më shumë se çdo gjë tjetër, kapërcimi i së pamundurës. Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë bërë të mundur atë që ka qenë e pamundur. Gjithë shqiptarëve urime dhe atyre që kanë emigruar për vite, si dhe ushtarëve në Afganistan”, – theksoi Topalli.
Kreu i shtetit Bamir Topi theksoi se sot ka nevojë për komunikim dhe reflektim. “Dëshiroj të uroj këtë ditë të gjithë besimtarëve të krishterë. Kjo festë ka një simbolikë të madhe, është festa e lindjes së shpresës dhe paqes për t`i hapur rrugë komunikimit. Ka nevojë për refleksion. Unë besoj se viti që vjen do të jetë një vit i mbushur me më shumë dialog dhe arritje për Shqipërinë” theksoi Topi.
“Shpreh urimet e mia më të përzemërta për besimtarët ortodoksë dhe të krishterë që nderojnë në këtë ditë, aktin më madhor të jetës së shoqërisë njerëzore, lindjen. Nderojnë jo vetëm lindjen, por lindjen e një burri do të martirizohej, flijohej për të ndriçuar mendjen e njeriut dhe njerëzimit. Le të urojmë dhe falenderojmë Zotin për ndihmën e tij të madhe që u ka dhënë dhe jep shqiptarëve që festojnë sot këtë ditë më mirë se kurrë në historinë e tyre ”, – tha Berisha.
Isidor Koti
|
|
|
|