Atmosfera e gëzueshme e Krishtlindjeve kishte ditë që dukej nw sytë e fëmijëve, e të rinjve por edhe te shumë prej besimtarëve beratas. Shumë kohë më përpara kishin filluar përgatitjet për të përjetuar sa më bukur këtë të kremte të madhe, Lindjen e Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Aktivitetet dhe koncertet e këtij fundviti, ku fëmijët dhe të rinjtë e qytetit tonë kanë qenë shumë aktiv, e bënë edhe më të shkëlqyeshme këtë festë të shndritshme. Emocionuese është edhe mbrëmja e kolendrave, 23 dhjetor, ku shumë grupe fëmijësh të stolisur bukur dhe me Yllin e Betlehemit ndër duar, shkojnë shtëpi më shtëpi, për të ndarë lajmin e lindjes së Shpëtimtarit.
Kulmi i festës padyshim është mëngjesi i datës 25 Dhjetor, ku të gjithë orthodhoksët drejtohen në kisha për të kremtuar Lindjen Trupore të Shpëtimtarit Krisht si dhe të kungohen me Trupin dhe Gjakun e Tij. Në Berat, sipas traditës, Liturgjia Hyjnore filloi herët në orën 6 të mëngjesit, e drejtuar nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës Imzot Ignati. Pas saj u kryen në Mitropolinë e Hirshme pritjet e rastit ku nuk munguan të uronin autoritetet më të larta vendore, përfaqësues të komuniteteve fetare si dhe besimtarë të shumtë.
E njëjta atmosferë u përjetua dhe në çdo kishë të Mitropolisë tonë, të rretheve Fier, Lushnje dhe Vlorë. Edhe në enoritë e shumta të këtyre zonave Liturgjia Hyjnore filloi herët rreth orës 6 të mëngjesit. Në kishat kryesore të Zëvendësive u kryen edhe pritje urimesh. Një atmosferë e gëzueshme dhe tepër festive u krijua në Vlorë gjatë pritjeve të zhvilluara në ambientet e bukura që gjenden pranë kishës së Shën Theodhorëve.
Në të gjitha kishat e Mitropolisë tonë u dëgjua Mesazhi i përgatitur nga Mitropoliti ynë, Imzot Ignati, në të cilin theksohej: “Para se të vijë njeriu mbi tokë, “mbolli Perëndia Parajsën në Edem, në lindje, dhe vendosi atje njeriun që gatoi”. Dhe brenda atij kopshti të mrekullueshëm dhe të perëndimbjellë, “bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fryte të mira për t’u ngrënë”. Po, kur erdhi “Krishti mbi tokë”? Oh Atëherë! Në vend të Edemit, Betlehemi! Në vend të ngrohtësisë së Parajsës, shpella e lagësht dhe e ftohtë! Në vend të aromës së Parajsës, era e keqe e stallës! Në vend të dritës verbuese të ditëve të Parajsës, perdja e errët e natës! Dhe Mbjellësin e Parajsës, kur erdhi mbi tokë, e pranoi grazhdi i varfër i kafshëve të palogjikshme! E ndjemë vallë, ndonjëherë, se Krishti erdhi nga qiejt mbi tokë, me kushtet më të përulura dhe të varfra, që të lartësojë njeriun, nga toka në qiell? “Njeri, u bë Perëndia, në mënyrë që ta bëjë Adamin, Perëndi”, vëren shën Athanasi i Madh. Po, Perëndi sipas hirit, që, siç thotë shën Pavli, “të marrim birësinë”. ”
Dhjakon Joan Qako