Lidhja Rinore Orthodhokse “Bijtë e Dritës” Tiranë, në kuadër të Krishtlindjeve, gjatë periudhës nëntor – dhjetor 2013, ndërmori një nismë në bashkëpunim me besimtarët orthodhoksë të Tiranës dhe përgatiti rreth 120 pako ushqimore. Ato iu shpërndanë 120 familjeve shumë të varfëra. Përkatësisht, 84 pako në Tiranë dhe 36 pako ushqimore për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës në qarkun e Shkodrës.

    Kjo nismë u prezantua edhe nga Kryepiskopi Anastas në fund të Liturgjisë Hyjnore përpara besimtarëve, ku u bëri  thirrje atyre të mbështesnin të rinjtë dhe të kontribuonin me ushqime të ndryshme, veshmbathje, ilaçe, si dhe në mjete monetare. Një pako ushqimore përbëhej nga ushqime bazë si: miell, sheqer, vaj, fasule, oriz, makarona etj.

    Dhe besimtarët nuk nguruan ta mbështesnin këtë ndihmë dhe menjëherë filluan të kontaktonin me personat e caktuar në këtë nismë. Mbledhja e ndihmave përfundoi më 22 dhjetor dhe menjëherë u përgatitën pakot dhe u bë shpërndarja e tyre për familjet në nevojë. Në Tiranë, kjo u realizua përpara ditës së Krishtlindjeve, me një aktivitet festiv në mjediset e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë.

    Për ato familje të cilat për shkak të vështirësive të ndryshme, largësisë, sëmundjeve apo moshës së madhe nuk patën mundësinë të vinin dhe ta merrnin vetë këtë dhuratë, të rinjtë ua çuan në shtëpi.

    Kjo nismë ishte gjithashtu ishte edhe një finalizim i trajnimeve të ndryshme që janë bërë për këtë qëllim, në bashkëpunim me Zyrën Diakonia Agapes – Shërbimi dashurisë të Kishës, me tema si “Mobilizimi i komunitetit” dhe “Ngritja e fondeve” etj. Qëllimi është që të rinjtë të bëhen anëtarë aktivë në komunitet, si dhe të lehtësojnë sadopak dhimbjen dhe varfërinë e njerëzve në nevojë.

    Të njëjtën nismë ndërmorën edhe të rinjtë e Dioqezës së Korçës, ku u përgatitën 30 pako ushqimore, si dhe të rinjtë e Dioqezës së Beratit me 35 pako ushqimore.

     Jani Meni

     Koordinator i Zyrës së Rinisë