Gjatë kësaj periudhe të Kreshmës së Madhe, të rinjtë nga grupi rinor në Tiranë marrin pjesë vazhdimisht në Meshën e Dhuratave të Parashenjtërura në Manastiriin e Hirshëm të shën Vlashit, Durrës. Kjo është kthyer në një traditë reth 10-vjeçare. Çdo periudhë kreshme grupi rinor bashkohet me të rinjtë e Akademisë Teologjike për të lavdëruar dhe falënderuar Zotin së bashku. Këtë të mërkurë, pasi darkuan së bashku me studentët e Akademisë Teologjike, të rinjtë u takuan për një bisedë të shkurtër me Hirësi Nikollën. Pas urimit që të rinjtë i bënë atij për festën e mësuesit, duke treguar mirënjohjen dhe falënderimin ndaj gjithë përkujdesjes që ai ka treguar për të rinjtë, dëgjuan prej tij disa mendime dhe sugjerime për Kreshmën dhe ushtrimin gjatë kësaj kohe. Hirësia iu sugjeroi të rinjve të bëjnë një listë me gjërat që duan të ndryshojnë te vetja e tyre gjatë kësaj Kreshme. “Që të bëni diçka për Zotin, duhet që së pari të kuptoni që edhe Ai ka bërë diçka për ju. Jo për botën në përgjithësi, por për secilin prej nesh personalisht. Nëse arrijmë ta kuptojmë e ta përjetojmë këtë, do të jemi gati të bëjmë edhe ne një sakrificë për Zotin”- tha Hirësi Nikolla.