Në 8 korrik besimtarët e komunitetit orthodhoks kremtuan ditën e Shën Prokopit. Në Tiranë, sipas traditës, shërbesat u kryen në kishën që i kushtohet shenjtorit të madh, e cila ndodhet mes të natyrës së bukur dhe plot jetë të Parkut të Madh. Ditën e enjte u krye shërbesa e Mbrëmësores, e cila u pasua nga një agripni, ndërsa të nesërmen u krye Liturgjia Hyjnore. Këto shërbesa u kryen nga Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga klerikë të tjerë, në praninë e shumë besimtarëve kryeqytetas.
Le t’i urojmë njëri-tjetrit që Perëndia të na falë diçka prej besimit, durimit dhe burrërisë së Shën Prokopit.,- tha ndër të tjera në predikimin e tij Kryepiskopi. Kisha jonë na i risjell vazhdimisht shembujt e atyre që janë modele të martirizimit dhe të dashurisë, që kanë jetuar me këto karakteristika, për të na dhënë një shembull që të vazhdojmë edhe ne me përpjekjen tonë personale. Sepse të gjithëve na ndodh të kemi në jetën tonë probleme, vështirësi dhe rrugë pa krye, të cilat kemi mundësi që t’i kapërcejmë vetëm me anë të Perëndisë.