Manastiri i hirshëm i Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit përsëri sivjet më 24 gusht mblodhi në gjirin e tij me qindra e qindra besimtarë. Për gjithë Kishën Orthodhokse kjo është një ditë e madhe dhe e shenjtë, është dita në të cilën përkujtohet martirizimi i hierodëshmorit Kozma.Shërbesat për nder të hierodëshmorit filluan pasditen e datës  23 gusht dhe vazhduan të nesërmen me Liturgjinë Hyjnore. Këto shërbesa u drejtuan nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe i gjithë Myzeqesë Imzot Ignati, i cili në predikimin e Tij tha:
     “Një nga personalitetet fetare, që vijëzuan një trajektore të ndritshme në horizontin shumë të errët të epokës së skllavërisë gjatë shek. XVIII dhe e mbajti të pashuar dritën e shenjtë të besës orthodhokse, është dhe figura e lavdishme e hierodëshmorit të shenjtë Kozma. Jetoi dhe punoi në vitet 1714 – 1779. Nuk ishte vetëm varfëria e skajshme e pjesës më të madhe të skllevërve. Ishte dhe mungesa e plotë e ushqimit shpirtëror. Shkolla nuk ekzistonin, që fëmijët të mund të mësonin shkronjat elementare dhe historinë. Priftërinj që të meshonin dhe të bekonin popullin, të ruanin shpresëtarin e tij dhe të rinovonin flakën e besës, në disa vende mungonin plotësisht.
 
    Hierodëshmori Kozma duke qenë përpara një situate të tillë, mbi të gjitha të hidhur dhe të përlotur, mori vendimin e madh për të kushtuar jetën, fuqitë e tij vëllezërve të tij të vuajtur. Atëherë ishte 45 vjeç, kur pas një mësimi shumëvjeçar në shkollën e famshme të Athonjadhës në Malin e Shenjtë, nën kujdesin e mësuesve të urtë, si Eugjen Vulgari, Panajot Palamai etj., shkon në Konstandinopojë për të marrë lejen dhe bekimin e Patriarkut Ekumenik, për të filluar udhëtimin dhe veprën e përhapjes së Ungjillit tek populli orthodhoks, që vuan në mënyrë të padrejtë. “Kështu Shën Kozmai – shënon biografi i tij – duke pasur mbështetjen dhe miratimin e Kishës zbriste në luftën e tij, i përgatitur prej shumë vitesh për këtë, me studimin, me përvojën e botës dhe njohjen e thellë të parimeve të Ungjillit… I veshur me rason e tij të thjeshtë dhe duke mbajtur një shkop në dorë ecte për të përmbushur synimet e tij. Ishte në moshën më të pjekur dhe burrërore, 46 vjeç, i nxirë nga dielli, me sy që shkëlqenin nga Drita qiellore, me një hijeshi të papërshkruar në buzët e tij, me shtatin e tij të derdhur, i fuqishëm nga asketizmi dhe me ndjenjë në misionin e tij”. Punëtorët e frymëzuar të Ungjillit Perëndia i pajis me shumë dhunti dhe iu beson shumë talente, sepse e di se do t’i vlerësojnë siç duhet dhe do të punojnë intensivisht që t’i shumojnë. Kjo ndodhi edhe me Shën Kozmain. Bashkë me zellin e zjarrtë dhe aktivitetin e palodhur, i dha fuqinë e fjalës që të tërheqë turmat.
 
     Le të dëgjojmë vet shenjtorin të prezantojë së pari veten e tij, pastaj qëllimet dhe synimet e tij, në punën që mori përsipër. Fjalimet e tij, që u ruajtën deri më sot, përbëjnë një burim të çmuar dhe të shumanshëm.
 
    “Atdheu im i rremë, tokësor dhe i kotë është nga dioqeza e mitropolitit të Artës. Ati im, nëna ime dhe fisi im janë të krishterë shpresëtarë orthodhoksë. Jam pra edhe unë, vëllezërit e mi, njeri mëkatar, më shumë nga të gjithë; por jam shërbëtor i Zotit tonë, Jisu Krishtit të Kryqëzuar dhe Perëndi. Jo se
e meritoj të jem shërbëtor i Zotit Krisht, por Krishti im më pranon nga dhimbsuria e Tij. Krishtit tonë, pra, vëllezërit e mi, i besoj, e lavdëroj dhe i falem. Krishtit tonë i lutem të më pastrojë nga çdo mëkat shpirti dhe trupi. Krishtit tonë i lutem të më forcojë të mund tre armiqtë: botën, mishin dhe djallin. Krishtit tonë i lutem të më denjësojë edhe mua të derdh gjakun tim për dashurinë e Tij, siç e derdhi edhe Ai për dashurinë time. Nëse, vëllezërit e mi, do të ishte e mundur të ngjitem në qiejt, të thërras me zë të madh, të predikoj në tërë botën se vetëm Krishti ynë është Bir dhe Fjalë e Perëndisë, dhe Perëndi i vërtetë, dhe Jeta e të gjithëve, do doja ta bëja; por nga që nuk mund të bëj këtë gjë të madhe, bëj këtë të voglën dhe shkoj nga njëri vend tek tjetri; dhe predikoj, vëllezërit e mi, sipas mundësive që kam, jo si mësues, por si vëlla. Mësues është vetëm Krishti ynë”.
     Duke vazhduar predikimin e tij, misionari i frymëzuar, shpjegon në mënyrë tërheqëse dhe shumë të dobishme se mori vendim të punojë për hir dhe dobi të të krishterëve të skllavëruar.
     “Do t’iu tregoj shkakun, vëllezërit e mi, se nga u nxita. Duke u nisur nga atdheu im para dyzet vjetësh shkela shumë vende, kështjella, qytete dhe fshatra, madje deri në Konstandinopojë dhe më tepër ndenja në Malin e Shenjtë, 17 vjet, dhe qaja për mëkatet e mia. Bashkë me dhuntitë e pafundme që më dhuroi Zoti im, më denjësoi të mësoj shkronja. U bëra edhe kallogjer (murg).
     Duke studiuar Ungjillin e shenjtë gjeta brenda tij shumë kuptime të ndryshme, të cilat janë margaritarë, diamante, thesare, pasuri, gëzim, ngazëllim, jetë e përjetshme. Bashkë me të tjerat gjeta edhe këto fjalë, ku Krishti jonë thotë, se nuk duhet që cilido i krishterë, burrë ose grua, të kujdeset vetëm për veten e tij si do të shpëtojë, por të kujdeset edhe për vëllezërit e tij, që të mos mundohen në ferr.
    Duke dëgjuar edhe unë, vëllezërit e mi, fjalën e ëmbël që na thotë Krishti ynë, të kujdesemi edhe për vëllezërit tanë, më bluante në zemër për aq vite, si mola që ha drurin, ç’të bëja edhe unë duke medituar në paditurinë time. U këshillova me etërit e mi shpirtëror, kryepriftërinj, patriarkë; u shfaqa mendimin tim, nëse do të ishte e pëlqyeshme për Perëndinë të kryej një vepër të tillë, edhe të gjithë më nxitën ta bëj, dhe më thanë se një vepër e tillë është e mirë dhe e shenjtë. Madje i nxitur nga Tërëshenjtëria e tij, imzot Sofroni, patriarku, i paçim uratën, dhe duke marrë urimet e tij të shenjta, lash kujdesin për veten dhe dola për të shkuar nga vendi në vend, që të predikoj dhe mësoj vëllezërit e mi”.
     Mësimi i Shën Kozmait pranë mësuesve të urtë dhe shpresëtarë në akademinë Athonjadha, e ndihmoi të njohë dhe të shpallë me saktësi doktrinat e besimit tonë orthodhoks. Kishte dhe shumë nevojë populli i skllavëruar të mësojë fjalën e së vërtetës, që të mbrohet nga herezitë dhe nga doktrinat e gënjeshtra! Ja, me sa saktësi dhe thjeshtësi predikon tek populli doktrinën për Trininë e Shenjtë, duke e gërshetuar atë me predikimin moral për dashurinë.
     “Perëndia i Tërëmirë dhe i Shumëmëshirshëm, vëllezërit e mi, është një; dhe kush thotë se ekzistojnë shumë Perëndi, është djall. Është dhe Trini: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë; një Lavdi, një Mbretëri, një Perëndi! Perëndia i Tërëmirë dhe i Shumëmëshirshëm, vëllezërit e mi, ka emra të shumtë dhe të ndryshëm. Quhet Dritë, Jetë, Ngjallje. Por emri i Tij kryesor është Dashuri. Dhe ne, pra, nëse duam ta quajmë Perëndinë tonë Atë duhet të kemi dy dashuri, dashuri për Perëndinë dhe dashuri për të afërmin. Ashtu si dallëndyshja ka nevojë për dy krahë që të fluturojë, kështu edhe neve na duhen dy dashuri dhe pa këto është e pamundur të shpëtohemi.
     Me fjalimet e tij aq të gjalla dhe shprehëse, Shën Kozmai, këshillonte dhe mësonte popullin e Zotit. Dhe ashtu siç shënon biografi i tij, një kurorë lavdie rrethonte fytyrën e tij engjëllore, kur predikonte, dukej sikur nuk shkelte mbi tokë dhe turmat rendnin mbas tij të mahnitura”. Frytet dhe përfundimet e një përpjekjeje të tillë të Shën Kozmait sollën rezultate shumë të vlefshme. Ndihmuan popullin të ruajë besimin e tij orthodhoks. Ndërprenë rrjedhën e ndryshimit të besës. Nxitën popullin në pendim. Jeta e tij e shenjtë, pamja e tij asketike, mënyra e tij joargjendashëse, entuziazmi i tij qiellor krijuan dhe fronëzuan në shpirtrat e skllevërve bindjen se ishte i dërguar i Perëndisë, siç ishte me të vërtetë. Prandaj çfarëdo që predikonte rrënjosej thellë në shpirtrat e njerëzve dhe mbetej e pashlyeshme dhe transmetohej nga brezi në brez.
     Akoma edhe deri më sot, pas më shumë se 200 vjetësh nga martirizimi i tij, figura e tij frymëzon shpresëtari të thellë, mësimet dhe profecitë e tij transmetohen gojë më gojë në brezat pasardhës si trashëgimi e çmueshme. Por prijësi dhe themeluesi i besimit tonë, Zoti Jisu Krisht, kishte parathënë se nxënësit do dërgoheshin të punonin si dele mes ujqërve (Mat. 10, 16). Kjo ndodhi edhe me Shën Kozmain. Njerëzit dashamirës, edhe pse ishin mëkatarë i vinin re fjalimeve të tij dhe u faleshin dhe bëheshin pasues të tij të përkushtuar. Por njerëzit shpirtkeq, shfrynin të zemëruar dhe kërkonin mënyrë që ta zhduknin. Këtë bëri përfundimisht Kurt pashai i Beratit. Shenjtori e dinte se jeta e tij do të përfundonte në kryqin e martirizimit, prandaj si gjithë martirët shkoi drejt martirizimit me hap të gëzueshëm dhe festiv. Kur të dërguarit e Kurt pashait e arrestuan, shenjtori në momentin që ndahej nga murgjërit që e shoqëronin, në mënyrë profetike citoi fjalët e psalmistit të hijshëm: Kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por Ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët (Psalmi 65:12). Ata që e arrestuan e mbyllën në një vend ku tërë natën e kaloi me psalmodhi, të nesërmen në mëngjes u nisën që ta çojnë gjoja tek pashai. Por kur arritën në vendin e martirizimit i thonë të përgatitej. Shenjtori e ndjeu. Kishin ardhur momentet e tij të fundit. U gjunjëzua dhe u lut nxehtësisht Perëndisë. Më pas u ngrit dhe bëri kryqin në katër anët e horizontit. Ndërkohë që xhelatët përgatisnin litarin për ta varur, shenjtori ngriti sytë drejt qiellit, atje ku mbas pak do të fluturonte shpirti i tij, pastaj përsëriti fjalët e fundit të protomartirit Stefan duke thënë: O Zot, prano shpirtin tim”. Qielli e pranoi frymën e tij dhe lumi trupin e tij të martirizuar, të cilin të krishterët pasi e nxorën nga lumi, kënduan shërbesën që i përket martirëve dhe me shpresëtari e varrosën. E varrosën pranë kishës së Shën Mërisë, ku përbri varrit pas disa vjetësh u ngrit kishë e madhe në emrin e shenjtorit, e cila ekziston deri më sot dhe rreth saj u ndërtuan qeli dhe u bë manastir. Në këtë manastir u strehua edhe një shkollë kishtare, ku numri i nxënësve arriti deri në 100 vetë.
     Shenjtori le të ndërmjetojë për të gjithë ne dhe veçanërisht për të rinjtë, për të cilët konsiderohet mbrojtës, t’i frymëzojë me zjarrin e shenjtë të zellit hyjnor që kishte edhe ai vetë. U bëftë.”