Tre Hierarkët njihen në botën e krishterë Orthodhokse si mbrojtës dhe ndriçues të arsimit, të mësuesve, pedagogëve dhe nxënësve. Kjo është arsyeja që këtë ditë Janar pedagogët dhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Manastirin e Shën Vlashit pranë qytetit bregdetar të Durrësit e kremtojnë si festën e shkollës së tyre. Që në orët e para të datës 30 janar studentë, pedagogë, banorë të zonës përreth si edhe pjesëtarë të Shtëpisë “Shpresa e fëmijëve” u mblodhën së bashku në Kishën e Manastirit të Shën Vlashit për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kujtim të Tre Arkondëve. Liturgjia Hyjnore kryesohej nga Nëndrejtori i kësaj Akademie, Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla.

    Pas Liturgjisë Hyjnore studentë të vitit IV të Akademisë lexuan nga jeta e shenjtorëve dhe pjesë nga shkrimet e tyre. E mori fjalën edhe Hirësi Nikolla, i cili ndër të tjera tha: “Tre Hierarkët, Vasili i Madh, Grigor Teologu dhe Joan Gojarti janë nga njerëzit më të ditur të kohërave. Kjo dituri e tyre nuk ka të bëjë vetëm me njohjen e thellë të besimit të krishterë. Ka të bëjë edhe me njohjen e shkencave të ndryshme: filozofinë, mjekësinë, pedagogjinë, etj. Ajo që është e rëndësishme është që këta tre shenjtorë që nga epoka që ata jetuan e deri më sot janë shembuj për klerin dhe popullin besimtar të Kishës së Krishtit. Ata janë shembuj të dashurisë për Perëndinë dhe për të afërmin, shembuj të zellit të madh për dituri, të zellit të madh për të njohur besimin dhe për ta përhapur atë. Prandaj është një bekim shumë i madh që Akademia jonë feston këtë të kremte dhe këta Tre Hierarkë i ka mbrojtësit e saj…”

     Në fund studentët kënduan himnin e Akademisë si një premtim në Kishë përpara Tre Arkondëve, shenjtorëve dhe vetë Perëndisë për rrugën e një jete të pastër të udhëhequr nga Krishti, rrugë të cilën e kanë nisur dhe premtojnë se do ta vazhdojnë si një përgjigje ndaj Zërit Qiellor: “Ja ku jam o Zoti im”.

…Për mision më thirri Zoti

Në Shën Vlash n’Akademi

Të ringjallim Orthodhoksinë

Në të gjithë Shqipërinë.

    Julia Pjetri