– Tjetër përvjetor historik për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë –
Më 2 gusht, në katedralen e re “Ngjallja e Krishtit”, në kryeqytet, u kremtua 20-vjetori i Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, një nga çastet më domethënëse në rrugën e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse pas regjimit ateist. Ky kremtim vinte pas atij madhështor të 24-qershorit, në ditën e 20-vjetorit të zgjedhjes së Fortlumturisë së Tij Anastasit, që ishte dhe dita kur niste ringritja kanonike e Kishës sonë.Me këtë rast u krye nga Kryepiskopi Anastas Liturgjia Hyjnore festive, së bashku më të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë dhe klerikë të shumtë. Liturgjia u ndoq nga besimtarë nga Tirana dhe nga i gjithë vendi, të ardhur për të festuar së bashku në këtë ditë të shënuar.
Në fund të Liturgjisë hyjnore, Kryepiskopin e përshëndetën edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, i cili e vuri theksin në misionarizmin e Fortlumturisë së Tij dhe shembullin që jep ai për mbarë orthodhoksët. Ndërsa Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, shprehu falënderimin e tij për veprën e madhe të Kishës dhe Kryepiskopit Anastas në kontributin e gjithanshëm për zhvillimin e Kishës dhe mbarë shoqërisë shqiptare.
Në Liturgji morën pjesë edhe disa miq klerikë nga të lartë nga Mali i zi, të cilët shprehën dhe ata urimet më të mira dhe ndjesinë e mrekullisë që përjetohet kur shikohet çfarë është arritur në këta 20 vjet ringritjeje nga gërmadhat.
Edhe Kryepiskopi Anastas falënderoi për vlerësimet dhe përcolli urimin e tij, duke theksuar se në këta 20 vjet shikohet një prani e ndjeshme e Kishës Orthodhokse në zhvillimin e shoqërisë. “…Zoti i shpresës le të na mbushë të gjithë me gëzim dhe dashuri…”- uroi gjatë fjalës së tij Kryepiskopi Anastas. Ky festim thekson krenarinë dhe vlerësimin për figurën drejtuese të Kishës me frymën e tij të paqes, mirëkuptimit, të mençurisë dhe respektit për çdo qenie njerëzore. Ai e ka udhëhequr Kishën në kohë paqeje dhe në kohë trazirash, gjithmonë me mençuri dhe urtësi, aq sa Kisha Orthodhokse është një faktor i rëndësishëm zhvillimi në jetën shoqërore të Shqipërisë.