Më 30 janar, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit, u kremtua e kremtja e Tre Hierarkëve të Mëdhenj (Shën Vasilit të Madh, Shën Grigor Teologut dhe Shën Joan Gojartit). E kremte mjaft domethënëse për pedagogët dhe studentët, të cilët e konsiderojnë këtë ditë si festën e tyre, sepse këta Tre Hierarkë kanë dhënë kontribut mjaft të çmuar në teologji, shkencë dhe arsim.

  Kremtimi filloi në mbrëmjen e 29 janarit me Mbrëmësoren e Madhe, në të cilën u bë edhe Bekimi i Pesë Bukëve, duke pasuar më pas me një program të veçantë të përgatitur nga studentët e vitit të katërt, duke përcjellë mesazhe shumë të vlefshëm nga jetëshkrimet dhe veprat shembullore të këtyre tre shenjtorëve të mëdhenj.

  “Ky është viti i tretë që e kemi caktuar këtë ditë si festën e Akademisë që, duke nderuar Etërit e Shenjtë, të marrim një vendim gjithsecili prej nesh dhe të gjithë si Akademi, t’i përkushtojmë punën tonë teologjisë orthodhokse, duke ndarë forcat dhe talentet tona për lavdinë e Zotit dhe për Kishën Orthodhokse këtu në Shqipëri. Uroj pedagogët, studentët, stafin dhe gjithë besimtarët, me ndërmjetimet e të Tre Hierarkëve, Zoti t’ju dhurojë shëndet, paqe, lumturi dhe gëzim, dhe punët tuaja të jenë kurdoherë të bekuara nga Perëndia, për lavdi dhe për nderin e Tij përgjithmonë” – tha gjatë fjalës përshëndetëse dekani i shkollës, Hirësi e Tij, Ilia Ketri.

Mëngjesin e 30 janarit u bë Liturgjia Hyjnore për nder të Tre Hierarkëve. Pas saj u bë edhe Bekimi i Grurit, të shenjtorëve kremtues si edhe një përshpirtje për të gjithë pedagogët e fjetur që dhanë mësim dhe kontributin e tyre në Akademinë Teologjike si edhe në rritjen dhe zhvillimin e Kishës sonë dhe që sot nuk ndodhen më midis nesh. Pedagogu Thoma Çomëni, në predikim e tij, foli për jetën, shkrimet dhe personalitetet e ndritura kishtare, teologjike, pimantike, shkencore të shenjtorëve kremtues.

   Ndërsa Hirësi Ilia, transmetoi urimet e Kryepiskopit Anastas, duke theksuar se vazhdimisht: “Shpirti dhe mendimet e tij janë pranë nesh, sepse ditë e natë kujdeset dhe punon për mbarëvajtjen e Kishës dhe të Akademisë sonë. Në këtë ditë e urojmë për shumë vjet, Perëndia t’i dhurojë shëndet dhe ditë të gjata, urtësi dhe fuqi për të drejtuar këtë Kishë dhe për shumë vjet ta kemi pranë”.

   Kisha jonë i nderon me madhështi Tre Hierarkët e mëdhenj, të cilët vijnë të takohen me shkencëtarët, pedagogët, mësuesit, studentët, me mbarë njerëzit duke ofruar mesazhin e jetës së vërtetë, duke realizuar gjithçka me punë, zell, pastërti dhe plotësi, me ndershmëri dhe dashuri të përulur, me përkushtim dhe punë të gjithanshme.

 

Isidor Koti