Kishte disa ditë që Java e Madhe pritej me seriozitet nga besimtarët e shumtë orthodhoksë të Tiranës, duke menduar se ritmi i jetës së tyre në kohët me ngjarje të mëdha që kremton Kisha të ishte ndryshe nga ditët e tjera të vitit liturgjik. Nga leximet e Shkrimit të Shenjt, ose komentet teologjike dhe poetike, spikati fakti se tradita e krishterë orthodhokse ka në thelb përkushtimin dhe sakrificën, kryqëzimin dhe në fund ngjalljen. Në këto etapa kaloi edhe Java e Madhe dhe e Shenjtë në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari” në Tiranë, e cila priti mijëra besimtarë në të gjitha shërbesat e rastit. Ishte një kohë e mbushur me dhe qendra e këtyre ditëve ishte Ungjilli, në të cilin përshkruhen ngjarje të tmerrshme, me përfundim ngazëllyes. Shërbesat e këtyre të kremteve të mëdha në Tiranë i kryesoi Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas. Çdo ditë, ai përcolli mesazhe nga Ungjilli, duke reflektuar edhe rreth situatës që po kalon vendi ynë.
Gjatë Javës së Madhe, Kisha jonë e hedh vështrimin e saj në disa çështje. Kryepiskopi Anastas tha të Hënën e Madhe se: “duhet të bëjmë rezistencë ndaj mëkatit, sado i vështirë të jetë dhe për këtë le të kujtojmë historinë e Josifit. Ai iu bind vullnetit të Perëndisë. Nuk duhet të kemi një besim të jashtëm, por një besim nga pendimi dhe dashuria. Duhet t’u kushtojmë vëmendje gjërave të brendshme e jo të jashtme. Le të çelim zemrat tona, sepse kështu shkojmë në gjendjen shpirtërore të tjetrit. Ne të krishterët kemi një armë të fuqishme, lutjen. Çdo gjë që e kërkoni me lutje ka për t’ju dhënë. Duhet të bëjmë më shumë lutje për vështirësitë tona personale, por edhe për njerëzit tanë të dashur”.
Ndërsa gjatë të Martës së Madhe, Fortlumturia e Tij iu bëri thirrje besimtarëve për të mos qenë sipërfaqësorë dhe kryelartë, “sepse rrezikohemi të bëjmë një jetë shpirtërore të jashtme. Duhet të jetojmë në përpjekje për pastrimin tonë shpirtëror. Të mos jemi dembelë, por t’i pranojmë dhuratat e Perëndisë dhe t’i shpërndajmë ato te njerëzit e tjerë. Kur përparon një njeri, përparon e gjithë tërësia”.
Ndërsa të Mërkura e Madhe, ai përcolli mesazhin e vigjilencës në jetën spirituale. “Le të kemi kujdes nëse mendojmë se jemi pranë Krishtit. Ata që ndoshta duken larg Kishës dhe jashtë Zotit, mund të ndodhen më pranë Tij kur marrin vendimin për t’u penduar. Pendimi është një ngjarje e madhe, plogështia dhe dembelizmi është e rëndë”.
Të Enjten e Madhe, ai tha: “…kjo është ditë e rëndësishme, sepse Krishti nuk ishte vetëm mësues, por Shpëtimtari që u kryqëzua për ne. Në rast se për disa persona kryqëzimi është çmenduri, për ne është urtësi e Zotit dhe fuqi. Zoti të na bëjë të denjë që duke parë te Ai që është kryqëzuar, të kemi besim të plotë te dashuria e Tij”.
Të Premten e Madhe, Kryepiskopi nënvizoi: “Le të falënderojmë Perëndinë që pranoi të vuajë për shpëtimin tonë që t’i çeli gjinisë njerëzore një rrugë të re. Le ta shtojmë dashurinë ndaj Zotit. Le të bëhemi më tepër të drejtë, njerëz të së vërtetës dhe të gatshëm për të falur të tjerët. Sa më afër Krishtin të jemi, aq më pranë nesh do të jetë Ai”.
Pas këtij rrugëtimi me porosi dhe mesazhe thelbësore për jetën, të cilat i përcolli para besimtarëve kryeqytetas, Kryepiskopi Anastas, pak minuta para orës 00.00 lexoi mesazhin e Ngjalljes. Me mijëra besimtarë kishin mbushur kishën, ambientin përreth katedrales si edhe sheshin në rrugën e Kavajës, në sheshin ku do të zhvillohej edhe ceremonia e pritjes të Ngjalljes së Krishtit. Kur akrepat u fiksuan te ora 00.00, u dëgjua thirrja ngazëllyse “Krishti u Ngjall”, e pasuar nga tingujt e gëzueshëm të kambanave dhe nga urimet e shumë besimtarëve, të cilët me qirinj në duar uronin njëri-tjetrin për mbarësi dhe shpresë në jetë.
Më pas, në kishë vijoi Shërbesa e Ngjalljes e cila edhe këtë vit u transmetua direkt nga Televizioni Publik Shqiptar. E veçanta e këtij viti ishte se ky transmetim u shoqërua me komentimin e dy gazetarëve të Kishës sonë, të cilët e përshkruan këtë atmosferë me profesionalizëm dhe dashuri. Interesim këtë vit, treguan edhe media të tjera elektronike dhe të shkruara, të cilat pasqyruan Javën e Madhe, mesazhin e Ngjalljes së Zotit Krisht si dhe ceremonitë festive të kryera në qytete të ndryshme të Kishës sonë.
Fotot nga Nathan Hoppe
Isidor Koti





















