Triumfi i Ngjalljes pushtoi zemrat e besimtarëve orthodhoksë të Tiranës. Madhështia e Javës së Pësimeve të Zotit Krisht dhe shkëlqimi i Ngjalljes ndriçoi në të gjitha zonat e Mitropolisë së Tiranës.
    Në Kryeqytet shërbesat, të cilat u ndoqën gjatë gjithë javës nga besimtarë të shumtë, u kryen në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses” dhe u kryesuan nga Kryepiskopi Anastas. Ai përcolli për të gjithë besimtarët gjatë çdo të kremteje mesazhe jetësore. “…Pa fryte të dashurisë, të durimit, të faljes dhe pa gatishmëri në shpirt për të dëgjuar  mesazhet e Perëndisë, pa këtë shpresë, besimi ynë mbetet si një pemë pa fryte.
    Duhet që lutja të ketë besim dhe jo thjesht një përsëritje fjalësh. Zoti thotë që të gjitha t’i kërkoni me besim dhe të gjitha do t’i merrni…” – theksoi Kryepiskopi.
 
 
    Të gjitha himnet e pësimeve të Zotit kujtuan ngjarjen tragjike të vdekjes së Tij. Kryepiskopi nënvizoi se Kisha Orthodhokse këmbëngul që të kujtohet krahasimi i Judës me gruan mëkatare për të përjetuar pendimin që të jemi pranë Krishtit. “…Sot ka njerëz që e gjykojnë Krishtin sipas konceptit të tyre.
    Ata nuk e pranojnë realitetin hyjnor siç paraqitet në Shkrimin e Shenjtë dhe në Kishë. Shumë shpirtra ndodhen larg Krishtit, por në një çast ata i vijnë pranë dhe Zoti e pranon këtë veprim të dashurisë. Le të mos shqetësohemi kur veprojmë me dashurinë tonë, por rrezikohemi nga teprime me gjëra të tjera.
    Çdo dashuri ka përbrenda diçka nga jeta e përjetshme… Krishti pret nga ne dashurinë tonë dhe që t’i afrohemi me sinqeritet. Nuk duhet ta humbasim këtë rast. Ta lëmë zemrën tonë t’i shprehë Zotit dashurinë. Në rast se duhet t’i shërbejmë Zotit duhet të ecim në vullnetin e Tij. Zoti dha jetën që të çelej një jetë e re për të gjithë. ”
    Të Premten e Madhe Kryepiskopi nënvizoi në omelinë e tij, se ishte një kohë kur disa persona në Shqipëri për 23 vjet me radhë u përpoqën ta shuanin besimin. Por ja që besimi zuri vend përsëri në shpirtin e njerëzve ndaj duhet të falënderojmë Zotin për këtë fakt. Pas një persekutimi kaq të frikshëm, Kisha jonë pa një zhvillim, ndaj duhet të gëzohemi me këtë gëzim.
    Në mbrëmjen e asaj dite, mijëra besimtarë shoqëruan Epitafin e Zotit Krisht, i cili përshkroi rrugën e Kavajës, i shoqëruar nga psaljet e himneve të mrekullueshme orthodhokse. 
 
 
    Të Shtunën në mbrëmje Kisha dhe gjithë sheshi përreth saj ishin tejmbushur nga besimtarë dhe banorë të kryeqytetit, të cilët me qirinj nëpër duar prisnin të merrnin “Dritë nga drita që nuk perëndon!” Pas leximit të mesazhit të Pashkëve nga Kryepiskopi, kur ora shënoi 00.00, tropari i Ngjalljes pushtoi zemrat e besimtarëve.
    Shkëlqimi i festës u shoqërua me fishekzjarrë, dhe trokitjet e vezëve të Pashkës, por mbi të gjitha me urimin “Krishti u Ngjall!” dhe emocionet e vërteta të një feste madhështore, më e madhja e të gjitha kohërave.
    Një interesim të veçantë për këto ditë tregoi edhe media kombëtare dhe ajo lokale. Televizioni publik transmetoi Shërbesën e Ngjalljes dhe Liturgjinë Hyjnore që  e pasoi, ndërsa televizionet dhanë mesazhin e Kryepiskopit dhe çaste nga shërbesat e ditëve të ndryshme.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
    Të dielën paradite në Kryepiskopatën e Shenjtë, në Tiranë, erdhën për të bërë urimet e rastit për Pashkët drejtues të komuniteteve të tjera fetare, politikanë dhe personalitete të ndryshme. Mes tyre ishin edhe Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i PS dhe bashkisë së Tiranës Edi Rama, kryetari i Komunitetit Mysliman Hafiz Selim Muça, i atij Bektashi Haxhi Dede Reshat Bardhi, krerë të partive politike, diplomatë, akademikë e profesorë dhe besimtarë të shumtë, të cilët uruan Kryepiskopin Anastas në emër të të gjithë besimtarëve orthodhoksë shqiptarë, duke vlerësuar kontributin e tij dhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
 
 
 
 
 I. Koti