Në datat 19 – 21 maj në ambientet e Manastirit të Shën Vlashit, në Durrës u zhvillua konferenca studentore me pjesëmarrjen e 90 studentëve të fakulteteve të ndryshme, nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Programi i kësaj konference pranverore ishte i larmishëm dhe e bëri të veçantë fundjavën për të gjithë studentët. Gjatë këtyre tre ditëve ata patën mundësinë dhe bekimin e veçantë të kenë mes tyre at Joan Reeves dhe predikuesin e njohur Gary Cattell, të cilët kishin eksperiencë në marrëdhëniet me të rinjtë studentorë, në Universitetin e Penn State, në Amerikë.
Gjatë këtyre ditëve u mbajtën 4 referate në lidhje me Kishën dhe besimin Orthodhoks. Referati kryesor me temën “Përse kemi nevojë për Kishën” i dha mundësi studentëve të njohin më tepër besimin orthodhoks dhe thirrjen e lartë, që Perëndia ka për secilin prej nesh.
Shërbesat e lutjes që u kryen gjatë këtyre ditëve plotësuan dhe theksuan rëndësinë e adhurimit të Kishës sonë si dhe të ndërtimit të marrëdhënies tonë personale me Zotin.

Pjesë e programit të kësaj konference ishte edhe koha për miqësi të reja, ndarje përvojash dhe eksperiencash të jetës në besim dhe si e njohën Krishtin. Konkursi sportiv, shëtitja buzë detit, koha e lirë dhe në veçanti mbrëmja festive i shtuan larmishmërinë fundjavës së studentëve.
Liturgjia Hyjnore e së dielës mbylli dhe konferencën e pranverës. Të gjithë studentët me falënderim dhe mirënjohje në zemër për të gjithë ata që mundësuan këtë aktivitet dhe për këtë bekim që përjetuan, uronin të takoheshin në konferenca e takime të tjera të organizuara nga Kisha.
Ana Baba
Koordinatore e Qytetit Studenti, Tiranë
Koordinatore e Qytetit Studenti, Tiranë
