Konferencat studentore janë kthyer tashmë në një traditë të pasur të rinisë orthodhokse shqiptare. Përmes këtyre aktiviteteve, Kisha jonë u jep mundësinë grupmoshave të reja për të njohur besimin orthodhoks dhe të bëhen anëtarë të një komuniteti të madh dashurie, me Krishtin në qendër. Konferencat e fundvjeshtës u organizuan edhe këtë herë nga Zyra Qendrore e Rinisë Orthodhokse dhe Qendra Studentore Orthodhokse e Qytetit Studenti.
 
    Sapo përfunduan konferencat rinore të Dioqezës së Tiranës zhvilluar në Shëngjin të Lezhës dhe ajo e Dioqezës së Korçës zhvilluar në Pogradec nga mesi dhe fundi i muajit tetor, aktivitete që u pasqyruan edhe në gazetën “Ngjallja”.
   
     
    Konferenca në vazhdim ishte ajo e studentëve e cila u zhvillua në ambientet e bukura të Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit, ku morën pjesë rreth 100 studentë, të ardhur nga shumë qytete të Shqipërisë. Gjithashtu të ftuar në këtë veprimtari ishin edhe të rinj të tjerë nga dioqezat e Kishës sonë si edhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, të cilët dhanë një ndihmesë të veçantë për mbarëvajtjen e konferencës.
    Programi u realizua përgjatë tre ditëve (10 – 12 nëntor) dhe duke qenë i larmishëm e bëri të këndshme fundjavën e të rinjve. Ata patën mundësi të ndiqnin 3 referatet e atë Patrikut, i cili erdhi nga SHBA, i ftuar për të referuar në këtë konferencë në lidhje me temën “Jeta e Krishtit dhe jeta në Krishtin”. Pjesë e programit ishin edhe lutjet së bashku, diskutimet në grupe, vizitat baritore në spitalet, jetimoret dhe azilet e Durrësit dhe Kavajës, vallet popullore dhe aktivitetet e ndryshme kulturore.
   
     
    Vlen të theksohet se pika qendrore e konferencës u fokusua në referatet e atë Patrikut, i cili solli para të rinjve dëshmi të besimit orthodhoks dhe me elokuencën e tij tërhoqi vëmendjen e të gjithë pjesëmarrësve. “Njohuria e shpëtimit në Jisu Krishtin na është dhënë në mënyrë të veçantë nga Perëndia. Mishi dhe gjaku nuk na i shfaqin, vetëm Perëndia mund të në japë dije për principet në zemrat tona.
   Principi kryesor që vendos Perëndia është dashuria dhe njohja, është hiri hyjnor, i cili është dhuratë e Shpirtit të Shenjtë. Pra Shpirti i Shenjtë është principi i vërtetë i jetës sonë”- theksoi atë Patriku. Gjithashtu ai u ndal edhe në tipet e shenjtorëve, si mund ta fitojnë shenjtërinë të krishterët, foli për disa probleme aktuale të shoqërisë botërore dhe u bëri thirrje të rinjve shqiptarë të kenë Krishtin në qendër të jetës së tyre.
   
   
    Një tjetër konferencë ishte ajo e Rinisë së Mitropolisë së Beratit. Rinia Orthodhokse e Mitropolisë së Beratit ishte e ftuar edhe këtë fundvit në konferencën me temë “Qëllimi i jetës sonë”, një aktivitet i organizuar nga Zyra Kombëtare e Rinisë Orthodhokse. Rreth 80 të rinj të ardhur nga shumë enori të kësaj dioqeze ndoqën me entuziazëm veprimtaritë e ndryshme shpirtërore dhe kulturore, referatet e lojërat sportive, ekskursionin, kënduan e kërcyen valle popullore. Nuk munguan bisedat shpirtërore, të cilat krijuan mundësi tek të rinjtë për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të folur rreth aspekteve të ndryshme të besimit.
 
    Referati i parë u mbajt nga Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, rreth qëllimit të jetës si të krishterë orthodhoksë. “Disa njerëz mendojnë për bukurinë fizike dhe për pasurinë. Por bukuria vyshket dhe pasuria kalbet. Nëse i përkushtohemi tërësisht botës kemi për të mbetur të pëlqyer vetëm nga bota. Nuk duhet të harrojmë se për ne njerëzit ka rëndësi të jemi të pëlqyer nga Perëndia”,theksoi gjatë fjalës së tij, imzot Ignati.
 
    Referati i dytë u mbajt nga drejtori i Zyrës së Katekizmit të Kishës, z. Miron Çako, i cili foli për misterin e Kungatës Hyjnore. Ai u bëri thirrje të rinjve të parapërgatiten për të marrë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, nëpërmjet Kungatës, sepse ky mister na lidh drejtpërdrejt me Krishtin, duke u bërë një me Të. Këto tema u shoqëruan me pyetje e diskutime nga vetë të rinjtë.
    Ndërsa në datat 1-3 dhjetor u zhvillua në Përmet Konferenca Rinore e Mitropolisë së Gjirokastrës, me një pjesëmarrje të gjerë të të rinjve dhe të rejave orthodhokse nga enoritë e kësaj Mitropolie. Kjo konferencë priti edhe të rinj nga Tirana dhe Elbasani, nxënësit e liceut kishtar “Kryqi i nderuar” në Gjirokastër dhe të shkollës së mesme në Mesopotam të Sarandës,  të cilët morën pjesë aktive në të gjitha veprimtaritë shpirtërore dhe kulturore që u organizuan gjatë tre ditëve, duke e çuar në afërsisht 200 numrin e pjesëmarrësve, si rrallëherë në të tilla konferencat.
    Gëzimi dhe entuziazmi i të rinjve mbushi vakuumin e këtij qyteti të vogël, por shumë mikpritës. Ashtu sikurse në konferencat e zhvilluara edhe nëpër dioqezat e tjera, tema ishte: “Qëllimi i jetës sonë si të krishterë orthodhoksë”,  që u referua nga Motër Thekla. “Qëllimi i jetës sonë gjendet brenda Shkrimit të Shenjtë. Ne duhet t’i ngjajmë Perëndisë. Kjo dhuratë lidhet ngushtë me zgjedhjen tonë, sepse qëllimi i vërtetë është Parajsa, atdheu ynë i humbur, si dhe bashkimi me Perëndinë. Bota është për shkatërrimin, ndërsa ne të krishterët për pavdekësinë” – theksoi ajo.
    
     Referati i dytë u mbajt nga Z. Dhimitër Vavakas me temën “Enoria dhe jeta brenda saj”. Referuesi u ndal në disa nga pikat kryesore për mënyrën se si duhet të funksionojë një enori dhe çfarë duhet të bëjmë ne sot për ta pasuruar atë. Lutjet e përbashkëta ishin një tjetër aktivitet i rëndësishëm i kësaj konference, duke filluar me shërbesën e Paraklisit të Tërëshenjtës Mari të premten. Të shtunën në mëngjes në kishën e Shën e Premtes vazhdoi me shërbesën e Mëngjesores, ndërsa në kishën e Shën Nikollës u zhvillua shërbesa e Mbrëmësores. Lojërat Olimpike argëtuan të gjithë të rinjtë, bashkë me këngët e vallet karakteristike përmetare. Të dielën në mëngjes, pjesëmarrësit e kësaj konference ishin të ftuar nga Mitropoliti i ri i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shpërfytyrimit të Zotit Krisht. Në fund të Liturgjisë, Hirësi Dhimitri i takoi të gjithë të rinjtë, duke u kërkuar atyre të jenë sa më aktivë në veprimtaritë e Kishës dhe të japin kontributin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të saj. Kjo ishte konferenca e fundit për këtë vit që organizoi Zyra Kombëtare e Rinisë Orthodhokse në katër dioqezat e Kishës sonë.
 
 
Isidor Koti