Festa e kësaj dite nisi me Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Tiranës, ku merrnin pjesë mitropolitët dhe klerikë të shumtë të
enorive si dhe qindra besimtarë të të gjitha moshave. Pas Liturgjisë Hyjnore, në sallën përballë Katedrales, Kryepiskopi priti urimet e të pranishmëve dhe shumë dhurata e lule.
Në pasdite u rezervua një tjetër pritje në ambjentet e Kryepiskopatës. Personalitete, besimtarë dhe njerëz të thjeshtë krijuan një atmosferë të ngrohtë familjare mes gëzimit dhe urimeve të përzemërta.
Festa vijoi në një mënyrë të veçantë
Kjo ditë nuk është vetëm dita e emrit të tij, por ai vetë e ka bërë ditë gëzimi edhe për shumë të tjerë. Për vite me radhë, Kryepiskopi Anastas e ndan gëzimin e tij, edhe me shumë njerëz, të cilëve u dërgon nga lulet e dhuruara.
Gratë orthodhokse bashkë me të rinjtë përcollën gëzim në shumë persona dhe në azil. Të rinjtë nën drejtimin e përgjegjëses së Zyrës së grave znj. Rajmonda Shqevi, shpërndanë lulet te azili i grave të motrave të Nënë Terezës. Gëzimi dhe mirënjohja mbushi zemrat e tyre, të cilat me gjithë shpirt uronin vite të bekuara, si dhe shprehnin falënderimin për gjithçka që Kisha jonë ka ofruar për vite të tëra në shërbim të tyre.
Isidor Koti & Ana Baba