Tragjedia e ndodhur në Gërdec tronditi thellë edhe besimtarët orthodhoksë, të cilët si gjithë qytetarët e tjerë u mobilizuan me çfarë kishin mundësi, në ndihmë të të prekurve dhe sidomos të të plagosurve.

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u vu menjëherë në krah të tyre, me lutje dhe mobilizim për të ndihmuar. Kështu, që në orët e para pas kësaj tragjedie, Hirësi Andoni, Episkopi ndihmës i Kryepiskopit, u lidh më shtabin e emergjencës, të cilëve iu komunikua gatishmëria e Kishës Orthodhokse për të ndihmuar në nevojat më urgjente që ishin të domosdoshme për momentin. Pas sugjerimit të tyre, u lidhëm me Kryetarin e Bashkisë Vorë Z. Fiqiri Ismaili, i cili pasi falënderoi për gatishmërinë parashtroi kërkesat më emergjente: ushqime, veshmbathje, çadra ushtrie, dyshekë dhe batanije. Ndihmat do të dërgoheshin në Bashkinë e Vorës.

    Gjithashtu, disa orë pas kësaj katastrofe, një grup të rinjsh dhe gra orthodhokse, të drejtuar nga Arkimandrit Kozma Prifti shkuan në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për të dhuruar gjak. Stacioni radiofonik “Ngjallja”, në Fm 88.5 MHz, që ditën e shtunë, pak orë pas shpërthimeve në Gërdec, u bëri thirrje të gjithë dëgjuesve dhe besimtarve për mobilizim dhe ndihmë për të dëmtuarit e kësaj tragjedie.

    Të dielën, në datën 16 mars, Hirësia e Tij Andoni kujtoi në lutje viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Gjithashtu në fund të Liturgjisë Hyjnore iu bë thirrje të gjithë besimtarëve për të ofruar ndihmën e tyre në lekë dhe për këtë u vendos një arkë për mbledhjen e këtyre ndihmave. Me fondin e mbledhur u përgatitën 100 pako me ushqime në ndihmë të viktimave të kësaj tragjedie.

    Një ditë më pas, të hënën, 17 mars ora 10.30 një grup i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Atë Jani Trebicka, u ndodhën në Bashkinë e Vorës për të dorëzuar pakot me ushqime, në ndihmë të të dënuarve nga shpërthimet e Gërdecit. Personeli i kësaj Bashkie falënderoi grupin e Kishës Orthodhokse për gatishmërinë e treguar, duke theksuar në të njëjtën kohë që kjo ndihmë ishte e para që dorëzohej në këtë Bashki për të dëmtuarit.

    Ndihma do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.