Kampi, përgatitje dhe përjetim i jetës me Zotin
|
Lavdi Perëndisë që me bekimin dhe mbështetjen financiare të Kryepiskopit Anastas u krye edhe sivjet kampi veror i vajzave “Bariu i mirë” në ambientin e bukur të manastirit të Shën Joan Vladimirit në Shijon të Elbasanit. Data 26 korrik shënoi ditën e fillimit të kampit të 3-të vajzave me temë: ’’S’ka jetë më të bukur se jeta me Zotin”.
Për 10 ditë rresht, rreth 70 vajza të ardhura nga zona të ndryshme të Shqipërisë si: Vlora, Berati, Gjirokastra, Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja etj, si dhe 2 vajza të ardhura nga Gjermania e Greqia do të ndiqnin një program të larmishëm që përmbante:
|
Lutje drejtuar Zotit, të Tërëshenjtës Mari dhe shenjtorëve të Kishës sonë si një nevojë parësore për fillimin e çdo aktiviteti. Në këtë lutje përfshiheshin: mëngjesorja, meditimi, mbrëmësorja, paraklisi, pasdarka etj. Shërbesat drejtoheshin nga atë Viktor Bërdufi, i cili ishte dhe prifti i kampit të vajzave. Një nga liturgjitë hyjnore u krye nga Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati. Vajzat patën bekimin të merrnin pjesë në Liturgjinë Kryepriftërore.
|
|
|
Drejtueset e kampit morën pjesë gjithashtu në një takim shpirtëror me Hirësinë. Një mbrëmje e veçantë iu kushtua agripnisë, e cila përmbante lutje gjatë natës si një sakrificë kushtuar Zotit, me kërkesën e vetë vajzave. Studimi biblik i ftonte të gjithë të njiheshin me Shkrimin e Shenjtë. Perëndia na zbulon se kush është Ai në një mënyrë të re, dinamike dhe duke e njohur Atë fillojmë të kuptojmë vullnetin e Tij për jetën tonë. Në studimin biblik theksi u vu në festat zotërore si: Krishtlindja, Epifania, Ungjillëzimi, Pashka etj.
|
Referatet e ndryshme u mbajtën nga Hirësi Joani, Hirësi Andoni, kryedhjakon Asti, motër Thekla etj. Temat e tyre ishin rreth mistereve të Kishës. Duke u bërë të vetëdijshme për misteret, vajzat shpallën dëshirën për praktikimin e tyre, e për këtë na nderoi me ardhjen e tij në kamp Arkimandrit Justini, i cili ishte Ati shpirtëror i kampit përsa i përket misterit të Rrëfimit. Në këtë kamp u pagëzuan shtatë vajza. Një kohë e veçantë iu kushtua prezantimit me power-point i Akademisë Teologjike, nga e cila kanë dalë shumë klerikë e teologë të Kishës sonë, si dhe prezantimi i veprës së Kishës nga Hirësi Andoni.
|
|
|
Por gjatë këtyre 10 ditëve një pjesë të programit e zinte: mësimi i këngëve kishtare, iniciativa e re në ndihmë të të varfërve, vallet tradicionale, skeçet, puna e dorës, e cila ishte bërja e kryqit me rruaza e qëndisje, lojërat sportive si dhe ofrimi falas i klinikës dentare. Përveç mësimeve dhe përjetimeve, secila pjesëmarrëse mori si dhuratë dhe kujtim nga kampi librat: “Dhiata e Re”, “Viti liturgjikal”, ku në të këtë të fundit shpjegoheshin festat e mëdha kishtare, “Të doni njëri-tjetrin si unë ju desha ju” si dhe librat e shërbesave kishtare.
|
E gjithë kjo përpjekje e ky ofrim bëhet për një qëllim të vetëm që ne të bëhemi anëtarë të rregullt të Kishës kudo që ndodhemi, duke prezantuar Zotin me fjalë e vepra, sepse vetëm kështu do të kuptojmë që s’ka jetë më të bukur se jeta me Zotin. |
---|
Marina Baba.