“S’ka jetë më të bukur, se jeta me Zotin”
    Sezoni i aktiviteteve verore për vajzat e çeli siparin me kampin e parë të vajzave në periudhën 1-10 korrik. S’ka jetë më të bukur, se jeta me Zotin”, ishte edhe tema qendrore e këtij aktiviteti gjatë të cilit 90 vajza të moshës 7-14 vjeçe nga zona të ndryshme të Shqipërisë u mblodhën në ambientet e Manastirit të Shën Joan Vladimirit, në Elbasan.
    Këtë vit, programi ishte i larmishëm me plot aktivitete krijuese, edukative, sportive, etj. Çdo ditë fillonte me lutje, më pas vazhdonte me meditimin, mëngjesin në të cilin të gjitha vajzat mësonin dhe këndonin këngë të krishtera. Referatet u mbajtën nga Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati, Episkopi i Krujës Hirësi Andoni, Ana Kërçyku dhe Sonila Dedja.
 

    Programi ishte pasuruar dhe me mësim në grupe në të cilin studiohej libri “Kisha rritet” nga ku ishin zgjedhur disa mësime mbi festat e mëdha të Kishës si: Krishtlindja, Ngjitja në qiell, Pentikostia etj. Programi nuk ishte statik, madje ndryshonte çdo ditë pasi i shtoheshin dhe aktivitete të tjera si: konkursi i poezisë, loja se përse kishin ardhur vajzat në kamp dhe çfarë prisnin prej tij, si dhe diskutimi mbi njohjen dhe përjetimin e jetës me Zotin.
    Programi shpirtëror kulmoi me Liturgjinë Hyjnore, të cilat u kryen gjatë dy ditëve të kampit. Gjithashtu në njërën prej ditëve u krye misteri i Pendim-Rrëfimit. Një ditë e veçantë ishte edhe pagëzimi i 22 vajzave, të cilat u bashkuan me Trupin e Krishtit.
    Para se të largoheshin, të gjithë vajzat u mblodhën në kishë dhe kryen së bashku shërbesën e Lutjes së Falënderimit ndaj Perëndisë dhe për të gjithë ata që mundësuan këtë kamp.
FALEMINDERIT
I mora F fluturës dhe me krahët e saj fluturova,
I mora
A atdheut dhe në të jetova,
I mora
L librave dhe nga ata mësova,
I mora
E erës dhe me atë udhëtova,
I mora
M mirësisë dhe ajo mbeti brenda meje,
I mora
I inatit dhe atë e flaka tutje,
I mora
N nënës dhe nga ajo ngrohtësi mora,
I mora
D dashurisë dhe në zemër atë e gdhenda,
I mora
E errësirës dhe atë e ktheva në dritë,
I mora
R rërës dhe mbi atë kështjellë ndërtova,
I mora
I Irakut dhe luftën e mbarova,
I mora
T telefonit dhe Zotit i telefonova.
Dhe me fjalën
“FALEMINDERIT” që formova
Zotin falënderova.
Faleminderit për gjithçka ke bërë për mua
Dhe unë shumë e më shumë do të të dua.
Sofia Bregu