E Diela e Pentikostisë, Pentikostia na kujton që ne nuk mund të bëhemi si Zoti, pa Zotin, nga Fortlumturia e Tij, Joani, Tiranë, 31.05.2026 (Tekst & Video)

 

Dita e sotme, e Pentikostisë, është një festë e madhe. Në Kishën e parë ajo ishte festa e dytë e madhe pas Pashkës, dhe sikundër atëherë vazhdon të jetë edhe sot, sepse Pentikostia është përmbushja e gjithçkaje që bëri Krishti. Me Pentikostinë, Ai përmbushi edhe premtimin e Tij që u tha dishepujve se do t’ju dërgojë Shpirtin e Shenjtë (Jn.16:7). Tek Veprat e Apostujve kemi lexuar historinë e Pentikostisë, se si Shpirti i Shenjtë zbriti mbi apostujt në formë gjuhësh prej zjarri dhe ata filluan të flisnin, dhe çdo njeri që ishte atje nga vendet e ndryshme të botës i kuptonte në gjuhën e tij. (Shih Vep. Ap. 2). Shpirti i Shenjtë jo vetëm që iu dha dituri apostujve ti cilët kuptuan misteret e mëdha që nuk mund të kuptohen, nëse nuk është i pranishëm Shpirti i Shenjtë, por iu dha edhe fuqi dhe kurajë. Ata që ishin trembur pasi ndodhi Kryqëzimi morën një fuqi jashtëzakonisht të madhe dhe me dashuri dhe besim e përhapën Krishterimin kudo. Prandaj dhe dita e Pentikostisë quhet dhe dita e Themelimit të Kishës, sepse Kisha e parë u themelua nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë, i dërguar nga Jisu Krishti, pasi përmbushi të gjithë veprën e Tij shpëtimtare në këtë botë.
Pentikostia na kujton për disa gjëra shumë të rëndësishme. E para për gjuhët. Kjo është përmbysja e asaj që ndodhi në kullën e Babelit. Çfarë ishte në kullën e Babelit? Në Dhatën e Vjetër (Zan.11), kushdo që e ka lexuar mund ta dijë historinë se si njerëzit flisnin të njëjtën gjuhë dhe u mblodhën së bashku për të sfiduar Perëndinë dhe për të ngritur një kullë të lartë, saqë të arrinin deri në qiell. Ky veprim nuk është vetëm në planin historik, është edhe në planin shpirtëror. Ata donin të ndërtonin një qytetërim në të cilin të bëheshin si Zoti, pa Zotin. Pak a shumë siç ndodh edhe sot. Njerëzit mendojnë se mund të bëhen si Zoti, pa Zotin. Ky ka qenë përherë gabimi dhe gënjeshtra e parë. Kështu i gënjeu djalli njerëzit e parë, duke i thënë që ju mund të bëheni si Zoti, por pa Zotin (Zan.3:4-5). Mendja krenare gjithmonë këtë gjë kërkon, sepse nuk e pranon bindjen ndaj Perëndisë. Çdo tentativë gjatë gjithë historisë së njerëzimit, për t’u bërë si Zoti, pa Zotin, ka rezultuar në të kundërtën e saj. Të gjitha tentativat me mendimin për të ndërtuar parajsën në tokë, pa Zotin, kanë përfunduar në ferr. Ashtu ndodhi me komunizmin, po ashtu ndodh shpeshherë edhe me kapitalizmin konsumativ, ku të gjithë njerëzit mendojnë vetëm për veten tyre dhe jo për të tjerët. Ne nuk mund të ndërtojmë një shoqëri ku të ketë drejtësi, nëse aty nuk është Perëndia. As nuk mund të bëhemi si Zoti, nëse nuk është Hiri i Shenjtë i Perëndisë dhe nuk është Perëndia.
Prandaj, Zbritja e Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt, Pentikostia, është përmbysja e krenarisë së kullës së Babelit, ku njerëzit menduan që mund të ndërtojnë gjithçka pa qenë Perëndia tek ata. Kur themi ‘pa qenë Perëndia’ nuk do të thotë thjesht që besojnë ose nuk besojnë tek Perëndia. Por ‘pa qenë Perëndia’ do të thotë pa qenë dhe të gjitha vlerat që vijnë nga mësimi i Zotit. Çdo shoqëri që shkatërron këto vlera do të shkatërrojë edhe veten e saj. Prandaj dhe Pentikostia na kujton që ne nuk mund të bëhemi si Zoti, pa Zotin.
Ne nuk kujtojmë sot thjesht një ngjarje historike, por në Pentikosti duhet të sjellim ndërmend se çfarë do të thotë Shpirti i Shenjtë për ne, sa i pranishëm është Ai tek ne. Nëse ne nuk kemi dashuri në shpirt, nuk e kemi as Shpirtin e Shenjtë. Shën Siluani thotë këto fjalë: “Doni të dini që e keni fituar Shpirtin e Shenjtë? Shikoni në zemrën tuaj. Nëse i doni të gjithë armiqtë tuaj, e keni fituar Shpirtin e Shenjtë”.
Po nëse ne do ta shikojmë zemrën tonë, a i duam të gjithë armiqtë tanë? Sa herë që i përgjigjemi shpifjeve me shpifje, armiqësisë me armiqësi, ne e kemi larguar Shpirtin e Shenjtë nga vetja jonë. Dhe nëse e largojmë Shpirtin e Shenjtë, tek ne mund të vijë shpirti i urrejtjes, shpirti i atij tjetrit. Siç ndodhi me Saulin në Dhiatën e Vjetër, që kur filloi zemërimi i tij kundër Davidit dhe kundër të tjerëve, Shpirti i Shenjtë u largua prej tij. Dhe në vend të Shpirtit të Shenjtë hyri një shpirt tjetër i keq (1 Sam. 16:14). Shpesh Davidi qëndronte pranë tij dhe nëpërmjet harpës mundohej ta qetësonte, megjithatë ai nuk u qetësua. Duhet të kemi gjithmonë kujdes ta ruajmë Hirin e Shpirtit të Shenjtë. Çdo i pagëzuar e ka marrë Atë kur është mirosur me Miro, e cila është Vula e Shpirtit të Shenjtë, siç thotë kleriku që miros gjatë Misterit të Pagëzimit. Kjo do të thotë që gjithsecili nga ne e ka potencialin që Shpirti i Shenjtë të vijë me fuqi në jetën e tij. Dita e Pentikostisë na kujton pikërisht për këtë gjë. Në Dhiatën e Vjetër Shpirti i Shenjtë ishte aktiv, por në disa njerëz të veçantë: tek profetët, kur kurëzoheshin mbretërit që lyheshin me miro dhe në njerëz të ndryshëm gjatë historisë së saj. Ndërsa në Dhiatën e Re ndodhi diçka krejtësisht ndryshe. Aty u plotësua edhe profecia e profetit Joel (2:28-29), që thotë se në ditët e fundme do të derdh Shpirtin tim mbi të gjithë njerëzit, kushdo qofshin ata, dhe ata do të fillojnë të predikojnë, të profetizojnë dhe do të kenë jetë të të mbushur plot me dritë. Kjo gjë ndodhi Ditën e Pentikostisë. Shpirti i Shenjtë u përhap tek të gjithë apostujt dhe tek të gjithë ata të cilët apostujt pagëzonin. Shpirti i Shenjtë ka qëndruar brenda Kishës gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Pa Shpirtin e Shenjtë, Kisha nuk mund të kishte rezistuar, sepse Ai ka frymëzuar shenjtorët, u dha guxim apostujve për të përhapur Ungjillin dhe vazhdon ta ruajë Kishën akoma edhe sot.
Detyra jonë është që ta hapim zemrën tonë dhe ta pastrojmë atë nga çdo ligësi, smirë, inat dhe gjithçka tjetër që kemi vazhdimisht në jetën tonë të përditshme. Sado që të mundohemi t’i shpjegojmë me anë drejtësie që ai tjetri veproi në këtë formë, ndërsa unë t’ia kthej në formën tjetër, kjo gjë nuk qëndron sipas Ligjit të Zotit, edhe pse mund të duket i drejtë në sytë e njerëzve. Madje njerëzit rrotull teje mund të thonë: “Mirë ia bëre atij, pikërisht siç ta bëri edhe ai ty”. Por në sytë e Zotit nuk është kështu. Në sytë e Zotit, i mirë është ai njeri që ka pastruar zemrën e tij dhe nuk ka urrejtje dhe zili për asnjë njeri tjetër. Madje, i mirë është ai njeri që gëzohet me gëzimin e të tjerëve dhe hidhërohet me hidhërimin e të tjerëve. Por kjo nuk ndodh shpesh në jetën tonë. Shpeshherë ne gëzohemi në hidhërimet e disa njerëzve të tjerë që nuk i duam ose na kap smira kur dëgjojmë që flitet mirë për të tjerët. Nëse nuk e pastrojmë zemrën tonë, Shpirti i Shenjtë nuk do të jetë tek ne. Dhe nëse nuk është Shpirti i Shenjtë, sikur të gjithë botën të fitojmë, ne s’kemi fituar asgjë! Nga jeta e Shën Serafimit të Sarovit në një dialog shumë të bukur me dikë ai i thotë pikërisht këto fjalë që qëllimi kryesor i jetës së njeriut është fitimi i Shpirtit të Shenjtë. Ti ke dëgjuar, i tha atij, nga njerëz të ndryshëm që thonë shko në kishë, ndiq urdhërimet, zbato gjithë porositë e Kishës. Të gjitha këto janë të mira, por të gjitha këto janë mjete për të fituar Shpirtin e Shenjtë.
Prandaj, gjithçka që dëgjojmë në kishë dhe gjithçka që mësojmë në kishë, le të mundohemi ta praktikojmë në jetën tonë të përditshme, sepse një besim i vërtetë jep gjithmonë vepra. Një besim që nuk jep vepra do të thotë që nuk është një besim i vërtetë, është një besim ndoshta deri në nivelin intelektual, në të cilin besojmë që ka një Perëndi, por kjo nuk mjafton për të na shpëtuar. Kujtoni fjalët që shkruan Shën Jakovi në Letrën e tij: Ju besoni që ka një Perëndi, mirë bëni; edhe demonët besojnë që ka një Perëndi. Po ku janë veprat tuaja? Sepse besimi që nuk prodhon vepra, nuk është një besim real (Shih Jak.2:19-20). Nuk mjafton vetëm që ne besojmë që ekziston Perëndia. Besimi i vërtetë është kur ne i bindemi Perëndisë dhe përpiqemi të zbatojmë çdo ditë në jetën tonë mësimet që na thotë Ai. Kjo është jeta shpirtërore. Dhe nëse nuk do të kemi një jetë shpirtërore, pa dyshim që nuk do të kemi dhe Shpirtin e Shenjtë tek ne. Nëpërmjet përpjekjeve për një jetë shpirtërore, duke jetuar një jetë sipas mësimeve të Zotit, ne mund të kemi mundësinë që Shpirti i Shenjtë, i Cili është vulosur në Pagëzimin tonë, mund të vijë me fuqi dhe mund të na ndriçojë ne dhe pa dyshim shumë njerëz përrreth nesh.

 


Video