Të dy Primatët bashkëmeshojnë në tokën e shenjtë të Etërve Kapadokas — një udhëtim shpirtëror nga Sinasos te qytetet nëntokësore të Malakopisë

Kapadoki, 17 maj 2026 — Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, mori pjesë në pelegrinazhin tre-ditor në Kapadoki, me ftesë të posaçme të Patriarkut Ekumenik Vartholome. Ky udhëtim shpirtëror, i organizuar nga Patriarkana Ekumenike pas marrjes së lejes nga autoritetet kompetente turke, po zhvillohet nga 16 deri më 18 maj 2026 në tokat historike ku lulëzoi krishterimi i hershëm dhe ku jetuan tre nga Etërit më të mëdhenj të Kishës — Shën Vasili i Madh, Shën Grigori i Nazianzës dhe Shën Grigori i Nisës.

Vizita zyrtare në Nevşehir

Pelegrinazhi nisi të shtunën më 16 maj 2026, ditë gjatë së cilës të dy Primatët, së bashku me shoqëruesit e tyre, zhvilluan takime zyrtare me Prefektin e Nevşehir-it dhe me Kryetarin e Bashkisë së qytetit. Vizitat shërbyen për të forcuar dialogun ndërfetar dhe për të shprehur mirënjohjen e Kishës Ortodokse për bashkëpunimin e autoriteteve lokale në lejimin e këtij pelegrinazhi.

Po atë ditë, delegacioni vizitoi Kishën e heshtur të Kryqit të Nderuar (Timios Stavros) në fshatin Cemil — një nga monumentet e shumta bizantine të rajonit, që dëshmon për praninë e dikurshme të lulëzuar të grigjes ortodokse në Kapadoki. Mbrëmja u kurorëzua me Mbrëmësoren e Madhe në Kishën e Shenjtorëve Konstantin dhe Helena në Sinasos (Mustafapaşa), të kryesuar nga Patriarku Ekumenik.

Liturgjia Hyjnore në qytetin nëntokësor të Malakopisë

Sot, të dielën më 17 maj 2026, ndodhi momenti më madhështor i pelegrinazhit: të dy Primatët bashkëmeshuan në Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Theodhorit e Tironës  në Malakopi — qyteti i lashtë grek që sot njihet si Derinkuyu, i famshëm për qytetin e tij të jashtëzakonshëm nëntokësor 85 metra të thellë, që dikur strehonte deri në 20.000 të krishterë gjatë periudhave të persekutimit.

Kjo kishë madhështore u ndërtua në vitin 1858, gjatë sundimit të Sulltan Abdulmexhid Hanit, falë donacioneve të të krishterëve të Malakopisë dhe nën mbikëqyrjen e Mitropolitit Neofit të Ikonionit. E mbyllur për dekada dhe e përdorur rrallë për qëllime liturgjike, kjo kishë historike u rihap sot për t’u bërë vendi ku dy zëra kanonikë orthodhoksë — ai i Konstandinopojës dhe i Tiranës — u bashkuan në lutje, duke përkujtuar trashëgiminë shpirtërore të Kapadokisë greke që u shua tragjikisht me shkëmbimin e popullsive të vitit 1923.

Programi pasdites

Pelegrinazhi do të vazhdojë në pasdite me Mbrëmësoren në Kishën e Hyjlindëses së Nevşehir-it, duke kurorëzuar një ditë me ngarkesë të jashtëzakonshme shpirtërore dhe simbolike.

Delegacioni shqiptar

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, shoqërohet në këtë vizitë nga Hirësia e Tij Mitropoliti Ignati dhe Kryedhjakoni Joan. Ditën e premte, delegacioni shqiptar zhvilloi gjithashtu një takim të përzemërt me Patriarkun Ekumenik Vartholome, gjatë të cilit u diskutuan tema të rëndësishme për jetën e Kishës Ortodokse në botë.

Ky pelegrinazh i përbashkët shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Patriarkanës Ekumenike dhe Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, duke dëshmuar njëkohësisht edhe vazhdimësinë e kujtesës historike të krishterimit në Anadoll.