Liturgjia Hyjnore

 

 


Fortlumturia e Tij, Joani, drejton Liturgjinë Hyjnore sot, më 17 prill 2026, në kishën e Shën Nikollës në Elbasan me rastin e përvjetorit të dhjetë të Fronëzimit të Imzot Andonit si Mitropolit i Elbasanit.

Fotoalbum

Kisha e Shën Nikollës
Elbasan, 17 prill 2026

 


Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani, në përvjetorin e dhjetë të Hirësi Andonit, si Mitropolit i Elbasanit, Kisha e Shën Nikollës, Elbasan, 17 prill 2026 (Tekst)

 

Falenderoj Mitropolitin e Elbasanit për fjalët e ngrohta. Një përvjetor është gjithmonë gëzim i madh, sepse është rast për meditim që të kthejmë kokën pas dhe kështu të kemi mundësinë të ecim përpara. Kjo është një thënie e lashtë që vetëm njerëzit që kthejnë kokën pas kanë shansin të ecin edhe përpara. Kjo do të thotë të mësojnë nga historia, sepse historia është një mësues shumë i mirë për gjithsecilin nga ne. Ju të gjithë e dini që kisha këtu tek ne kaloi nëpërmjet një Kalvari shumë të frikshëm, saqë Kisha pothuajse u shkatërrua. Pak njerëz do ta besonin që Kisha do të rindërtohej përsëri; por ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë. Perëndia zgjodhi njerëz të veçantë për ta bërë këtë punë. Ne e përsërisim gjithmonë këtë, sepse gjithmonë duhet të jemi mirënjohës për veprën madhore që ka bërë Kryepiskopi Anastas në të gjitha këto vite.

Në qytetin e Elbasanit, një qytet historik, me një traditë jashtëzakonisht të lashtë dhe shumë të fortë kishtare ndodhën disa ngjarje që do të donim të mos kishin ndodhur, por besojmë që shumë shpejt do të zgjidhen. Elbasani duhet të qëndrojë në ballë të Krishterimit në Shqipëri jo vetëm nga traditat e mëdha, por dhe nga pjesëmarrja e madhe e orthodhoksëve në këtë qytet, të cilët duke u bashkuar do të jenë një forcë shumë e madhe. Kisha Orthodhokse është një bekim për vendin tonë dhe për çdo qytet, sepse është një Kishë që predikon gjithmonë dashurinë, mirëkuptimin, respektin për çdo njeri, kushdo qoftë ai. Ne mundohemi të kemi respekt dhe për njerëzit që na sulmojnë, sepse besojmë që çdo njeri, pa përjashtim, është krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Tek të gjithë njerëzit ndodhet ikona e Perëndisë. Kisha na mëson të jemi të aftë për të parë pikërisht këtë ikonë tek njerëzit dhe të mos shohim shtrembërimet ose inatet e ndryshme që mund të ketë ai njeri. Çdo njeri është i vlefshëm në sytë e Perëndisë (Shih Isa.43:4). Dhe ky është një mësim i jashtëzakonshëm. Nëse ky mësim përhapet, do të ketë paqe ndërmjet njerëzve dhe paqe kudo, sepse paqja është prishur. Paqja nuk bëhet nga jashtë, por nga brenda. Sa më shumë paqtohemi me veten brenda nesh, aq më shumë paqtohemi edhe me të tjerët. Prandaj dhe kam shpresë që dioqeza e Elbasanit do të ketë një të ardhme shumë më të mirë.

Dua të përgëzoj Mitropolitin e Elbasanit, Andonin për punën e tij gjatë këtyre 10 vjetëve, të cilat nuk kanë qenë të lehta. Terreni nuk ishte shumë i lehtë. Po nëse qëndrojmë tek Perëndia, gjithçka mund të realizohet. Siç thotë Zoti tek Zbulesa që Unë jam Ai që hap dhe askush nuk mbyll; Ai që mbyll dhe askush nuk hap (Shih Zbul.3:7). Dhe Zoti e ka hapur këtë derë të Kishës sonë. Tani është detyra jonë që ta lulëzojmë akoma dhe më shumë dhe ta bëjmë qytetin e Elbasanit një shembull për të gjithë Kishën Orthodhokse në Shqipëri. Le të kuptojmë diçka të cilën e përsëris vazhdimisht nga fjalët e Shën Pavlit, jo të miat: Analogjinë që ai bën për Kishën. Ai e shikon Kishën si një trup i të gjithëve së bashku edhe bën analogjinë e saj me trupin e njeriut. Nëse dhëmb dora, dhëmb trupi; nëse dhëmb syri, dhëmb i gjithë trupi. Nëse dhëmb këmbë apo i gjithë trupi, ne nuk jemi pjesë të ndara, jemi një Kishë. Nëse në një vend lulëzon Kisha, është gëzim për gjithsecilin nga ne. Nëse në një vend ajo vuan, atëherë i gjithë trupi i Kishës vuan. Prandaj, kemi qenë gjithmonë me shpirt dhe me zemër pranë qytetit të Elbasanit, që ai të ketë përsëri lulëzimin që ka pasur në shekuj.

Uroj me gjithë shpirt që Perëndia të na ndriçojë të gjithëve dhe t’i japë këtij qyteti shkëlqimin që meriton. Dhe Kishës Orthodhokse t’i japë një dëshmi shumë të mirë për një bashkëpunim me të gjithë njerëzit e tjerë, edhe kur kemi mendime të ndryshme, edhe kur kemi besime të ndryshme, sepse është e mundur që njerëzit të jetojnë në paqe, nëse respektojnë njëri-tjetrin. Respekti ndaj qenieve të tjera nuk është privilegj, por është një e drejtë që i ka dhënë Zoti çdo njeriu, çdo qenieje njerëzore e cila është krijuar sipas ikonës së Perëndisë.

Lavdëroj Perëndinë për gjithçka që ka bërë për Kishën tonë dhe uroj dhe njëherë që Kisha Orthodhokse në këtë qytet të kenë një të ardhme të ndriçuar për të mirën e saj dhe për të mirën e të gjithëve. Amin.
Krishti u Ngjall, Vërtet u Ngjall!

————-

Video

 

 


 

“10 Vjet Shërbesë Krzepriftërore” Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Hirësia e Tij, Imzot Andoni.(Dokumentar).