Nga 9 – 21 korrik u organizua kampi veror për gjimnazistët në ishullin e bukur të Zvërnecit, pranë Vlorës. Kampi iu dha mundësinë këtyre të rinjve të njiheshin edhe më nga afër me besimin tonë orthodhoks por edhe me vëllezër orthodhoks të moshës nga e gjithë Shqipëria. Vetë programi i këtij aktiviteti të madh veror ishte konceptuar i tillë, për të ndërthurur veprimtaritë shpirtërore me ato kulturore e argëtuese. Thelbësore ishin shërbesat kishtare të përditshme dhe diskutimet rreth Shkrimit të Shenjtë. Kështu, pasdite, mbas plazhit, diskutohej për 10 porositë e Zotit dhënë Moisiut në Malin Sina, si dhe mbaheshin çdo ditë referate për temat e përgatitura. Gjithçka përkonte edhe me temën e kampit: “Nëse zbatoni porositë e mia tregoni se më doni”. Një pikë tjetër e diskutimeve fokusohej edhe tek rrugët për afrimin e më shumë të rinjve brenda Kishës.
 
    E veçantë në këtë kamp ishte edhe pagëzimi i 23 të rinjve të cilët u bënë tashmë anëtarë të Kishës Orthodhokse jo më nga prejardhja e prindërve por me përzgjedhjen e tyre. Gjithashtu, pjesëmarrja në shërbesat kishtare dhe në një agripni pasuroi edhe më shumë jetën e tyre shpirtërore.
 
    Ditët ishin të mbushura edhe me veprimtari të larmishme kulturore e sportive, kampionatet e shahut, ping-pongut, volejbollit, futbollit etj.
 
    “Tema e kampit është rreth 10 porosive, të cilat ndokujt mund t’i duken sikur janë jashtë kohe, por në fakt ato janë plotësisht aktuale. Kur mendon se ç’probleme kalon bota sot, bëhesh edhe më i sigurt për këtë aktualitet, prandaj është mirë t’i ngulisim edhe më mirë këto 10 porosi të Zotit në mendjet dhe në zemrat tona. Të gjitha këto do të na ndihmojnë shumë që ta forcojmë besimin tonë ndaj Perëndisë”- u shpreh Thoma Çomeni, përgjegjësi i këtij turi.
 
    Në fund të kampit drejtuesit e grupeve dhanë dëshmi nga përvoja e tyre rreth afrimit dhe njohjes me Zotin dhe Kishën e Tij.