Kryepiskopi Joan shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Patriarkut Ilia II të Gjeorgjisë
Tiranë, 18 mars 2026
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, i dërgoi një letër ngushëllimi Metropolitit Shio të Senakut dhe Çkhorotskut, Locum Tenens i Fronit Patriarkal të Gjeorgjisë, me rastin e ndarjes nga jeta të Patriarkut-Katolikos të Gjithë Gjeorgjisë Ilia II.
Në letrën e tij, Kryepiskopi Joan e cilësoi Patriarkun e ndjerë si “vëllanë tonë më të dashur në Zotin”, i cili për gati pesë dekada e udhëhoqi Kishën e Gjeorgjisë me urtësi, durim dhe besim të thellë. Kryepiskopi theksoi veçanërisht rolin e Patriarkut Ilia II gjatë periudhës së vështirë të shtypjes sovjetike, ku ai arriti të ngrinte Kishën nga rrënojat, duke ndërtuar kisha e manastire dhe duke frymëzuar popullin të kthehej në besimin e etërve të tyre.
Kryepiskopi Joan iu shpreh ngushëllimet Sinodit të Shenjtë, klerit dhe popullit besimtar të Kishës së Gjeorgjisë.
Në paraklisin e Kryepiskopatës ai bëri një përshpirtje për prehjen e shpirtit të tij.
I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij!
————-
