Kontributi Theologjik dhe Eklesiastik i Kryepiskopit Anastas
† Joani
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë – (Tekst)
I
Ndihem thellësisht i nderuar dhe i privilegjuar që më jepet mundësia përsëri të flas sot për veprën e Kryepiskopit Anastas. Siç kam thënë edhe në raste të tjera: duke nderuar veprën e këtij njeriu të madh, nderojmë veten tonë, Kishën tonë dhe vendin tonë. Pozicioni im është unik: jo vetëm si studiues i teologjisë së tij, por si dëshmitar i drejtpërdrejtë dhe bashkëpunëtori i tij gjatë më shumë se tridhjetë viteve të ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Kjo përvojë më ka dhënë mundësinë të shikoj nga afër sesi teoria teologjike materializohet në praktikë pastorale.
Më 7 gusht të vitit 1960, Kryepiskopi Anastas u dorëzua dhjakon dhe e gjithë jeta e tij vazhdoi duke qenë një dhjakoni në shërbim të Perëndisë dhe njerëzimit. Siç shprehej vazhdimisht ai vetë, Krishterimi e konsideron shërbimin si rrugën mbretërore, për të përmbushur vetveten: duke iu shërbyer të tjerëve dhe duke i ndihmuar ata në shpëtim, ndihmojmë dhe shpëtojmë edhe veten tonë (1 Tim.4:16). Koncepti i dhjakonisë më mendimin e tij tejkalon kuptimin funksional tradicional për të arritur një dimension ontologjik. Pika referuese është fjala e Krishtit: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë“ (Mt. 20:28).
Teza e tij se “të gjithë duhet të jemi gjithmonë dhjakonë” nuk është thjesht një urdhëresë morale, por ripërcaktim rrënjësor i eklesiologjisë orthodhokse. Në analizën time të teksteve të tij, identifikoj tri faza të zhvillimit të këtij koncepti.
Në fazën e parë, gjatë viteve 1960-1980, dhjakonia shfaqet si shërbim liturgjik dhe filantropik, e themeluar mbi modelin Kristologjik të kenosis (zbrazëtisë), gjatë së cilës ai iu përkushtua tërësisht misionit – një vepër themelore e Kishës që fatkeqësisht ishte harruar prej kohësh. Ja si shprehet Prof. Vajos Vajopulos i Universitetit të Janinës: “Pas shekujsh, falë Anastasit, u realizua zgjimi misionar i Kishës Orthodhokse, çelja e horizonteve të saj drejt gjithë botës”.
Në fazën e dytë, gjatë viteve 1981-1991, koncepti zgjerohet përmes përvojës afrikane, ku dhjakonia integrohet me zhvillimin holistik dhe drejtësinë sociale. Në vitin 1981 ai u ftua nga Patriarku i Aleksandrisë për të organizuar Kishën Orthodhokse në Kenia, e cila ishte në një gjendje shumë të vështirë. Kontributi i tij dhjetëvjeçar në Afrikë është i jashtëzakonshëm – ai bëri të mundur ndërtimin e të vetmit fakultet orthodhoks në Afrikë, si dhe të kishave, shkollave e klinikave mjekësore.
Në fazën e tretë, nga viti 1991 e deri në fund të jetës, dhjakonia arrin kulmin e saj teorik dhe praktik në kontekstin e restaurimit të Kishës së Shqipërisë, duke u bërë parimi organizativ i gjithë ekzistencës eklesiale (kishtare).
II
Në epokën tonë po jetojmë një proces globalizimi të pashmangshëm, ritmi i të cilit ka filluar të shtohet në fund të e shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. Para shumëkujt shtrohen pyetje të shumta dhe për njerëz e grupime të ndryshme përgjigjet janë të ndryshme. Disa e shikojnë globalizmin si një mundësi të madhe zhvillimi; të tjerë si një kërcënim për identitetin etnik, kulturor apo fetar. Libri i tij: “Globalizimi dhe Orthodhoksia” përfaqëson kontributin më sistematik orthodhoks në debatin teologjik mbi globalizimin. Kam pasur privilegjin të prezantoj këtë libër kur u botua në shqip, dhe mbaj mend përshtypjen e fortë që më la fuqia argumentuese dhe thellësia e vizionit të tij. Ky libër merr një rëndësi të veçantë jo vetëm në mendimin orthodhoks, por edhe më gjerë, sepse mendimet e paraqitura kapërcejnë kufijtë e ngushtë fetar dhe përfshijnë gjithë njerëzimin.
Kryepiskopi Anastas artikulon atë që mund të quaj një “hermeneutikë të dyfishtë”: nga njëra anë, një kritikë profetike e globalizimit neoliberal që redukton personin në konsumator; nga ana tjetër, një afirmim theologjik i universalitetit si dimension konstitutiv i Kishës. Ai shpjegon me kthjelltësi se në një globalizim krejtësisht të shekullarizuar krijohen stimuj të fuqishëm përçarje dhe izolimi: në vend të personave të veçantë ka vetëm numura; mburrja për fuqinë e teknologjisë shoqërohet në planin individual me ndjenjën e dobësisë dhe ankthin ekzistencial; flitet për liri të përgjithshme dhe përjetohet mungesa e lirisë individuale. Dallimi teologjik ndërmjet termave person dhe individ është një nga kontributet më të mëdha të Krishterimit në antropologji. Një qenie njerëzore mund të jetë e plotë vetëm si person, d.m.th. vetëm në raportin me të tjerët, ku qendra e ekzistencës nuk është më egoizmi, por dashuria për të gjithë.
III
Por kurora e veprës së tij është ringritja nga gërmadhat e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Më 24 Qershor të vitit 1992, Kryepiskopi Anastas u zgjodh në krye të Kishës dhe me këtë zgjedhje filloi ringritja nga rrënojat. Koha vërtetoi se kjo ishte zgjedhja e duhur dhe për këtë zgjedhje e falënderojmë përzemërsisht Patriarkanën Ekumenike, e cila gjatë këtyre viteve të ringritjes ka treguar kujdes dhe dashuri të veçantë për Kishën tonë. Kisha Orthodhokse në Shqipëri, si të gjitha komunitetet e tjera fetare, ishte tërësisht e shkatërruar. Ringritja e saj nga themelet ishte një sipërmarrje vigane, e cila në fillimet e saj dukej gati e pamundur. Por ajo që u realizua nuk ishte thjesht ringritje në kufijtë e mëparshëm, por ridimensionim i kishës në një nivel shumë më lartë dhe shumë më të gjërë.
Të dhënat empirike janë mbresëlënëse dhe dëshmojnë për një vepër të jashtëzakonshme. Rreth 150 kisha janë ndërtuar të reja, 60 kisha e manastire-monumente kulture janë restauruara, mbi 160 kisha të tjera janë riparuara. Janë ngritur, blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 70 ndërtesa – e tërë vepra ndërtuese arrin në mbi 450 objekte. Nën kujdesin e tij u ngrit Akademia Theologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” ku janë përgatitur më shumë se 140 klerikë vendas. Në fushën e arsimit janë ngritur 17 kopshte ditore, ku përparësi kanë fëmijët e familjeve në nevojë, 10 shkolla të rikonstruktuara dhe 6 kopshte, shkolla nëntëvjeçare dhe institute profesionale, si dhe Universiteti “Logos” – i pari Universitet Orthodhoks në Shqipëri.
Dashuria e tij për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga origjina dhe bindjet e tyre, bënë që të krijonte një rrjet klinikash mjekësore në tërë vendin, ku dallohet Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, ku punojnë disa nga mjekët më të njohur të vendit dhe me aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit. Gjatë vitit 1999, kur vendi ynë priti valën e refugjatëve kosovarë, Kisha Orthodhokse, me inisiativën dhe nën drejtimin e tij, organizoi një program të madh ndihme prej më shumë se 12 milionë dollarësh.
Por margaritari më vezullues në veprën ndërtuese është Katedralja e re në Tiranë. Kushdo që e shikon këtë Katedrale madhështore do të kuptojë se ajo është ndërtuar nga një njeri me dashuri të madhe për njerëzit dhe përkushtim të rrallë për Kishën. Çdo gjë në këtë ndërtesë të mahnitshme tregon se ai ka bërë të pamundurën për t’i dhënë Kishës këtu në Shqipëri më të bukurën dhe më të mirën.
IV
Kjo është pjesa e dukshme dhe e prekshme e kësaj vepre vigane, por do të doja të theksoja një aspekt tjetër, madje akoma më të rëndësishëm, për të cilin nuk është folur aq shumë sa duhet. Kryepiskopi Anastas jo vetëm që arriti të realizonte ndërtimin e infrastrukturës fizike, por përpjekja e tij për të dhënë një frymë të drejtë brenda Kishës ka qenë gjithmonë prioritet. Sepse, për atë, ndërtesat nuk ishin një qëllim në vetvete, por vetëm një mjet për të realizuar veprën shpëtimtare të Kishës. Ato u ndërtuan për njerëzit dhe në shërbim të tyre. Predikimi i tij publik dhe privat ka qenë gjithmonë dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore. Ai ka përhapur brenda Kishës një frymë pajtimi dhe faljeje. Të gjithë ne që kemi qenë pranë tij gjatë këtyre viteve jemi dëshmitarë të kësaj. Vendi ynë ka nevojë për këtë frymë. E gjithë bota ka nevojë për këtë frymë, sepse vetëm mbi këtë themel hyjnor mund të ndërtohet një marrëdhënie e drejtë ndërmjet njerëzve.
Shembulli i tij dëshmon se mësimi i Zotit tonë Jisu Krisht – “duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë” – është i mundur të realizohet, dhe se falja dhe dashuria duhet të mbizotërojnë mbi urrejtjen. Dihet roli i rëndësishëm i tij në dialogun ndërfetar, sidomos me islamin, me të cilin jemi në kontakt prej shekujsh. Kontributi i tij bëhet akoma më i rëndësishëm në pajisjen e këtij dialogu me një mbështetje theologjike. Zëra të tillë nuk janë të shumtë. Formula e tij e famshme: “Vaji i fesë nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konfliktet, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat”, nuk është thjesht metaforë poetike, por sintetizim i një programi theologjik. Këto fjalë jo vetëm janë të njohura nga të gjithë, por janë bërë tashmë një leitmotiv kur flitet për rolin e fesë në botën konfliktuale ku po jetojmë.
Si një nga presidentët e Këshillit Botëror të Kishave dhe pjesëmarrës e drejtues i shumë konferencave ndërkombëtare, ai ka qenë protagonist i shumë marrëveshjeve dhe arritjeve të mëdha në dialogun ndërfetar. Kam qenë i pranishëm në shumë takime panorthodokse dhe jam dëshmitar i kontributit të tij të pazëvendësueshëm. Shumë herë ka qenë ndërhyrja e tij, aftësia e tij bindëse dhe besimi që kanë të gjithë primatët e Kishave të tjera orthodhokse tek ai, që të arrihej një mirëkuptim dhe një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë.
Librat, esetë dhe artikujt e ndryshëm të tij, ndonëse të shkruara në kohë të ndryshme dhe për auditorë të ndryshëm, përsëri kanë një unitet dhe kohezion të brendshëm. Kjo tregon se këto artikuj nuk janë të rastësishëm, por paraqesin mendimin e pjekur dhe të kthjellët të një theologu, përkujdesjen plot dashuri të një bariu shpirtëror, si edhe përkushtimin e një të krishteri të përgjegjshëm për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Duke folur për jetën dhe veprën e Tre Hirarkëve, ai thotë se ata “kanë qenë faktorë të një ndryshimi të thellë shoqëror dhe ripërtëritës, me ide rrënjësisht reformuese, që edhe sot mbeten të guximshme dhe aktuale.” Në të njëjtën linjë shkojnë edhe jeta, vepra dhe shkrimet e tij.
Prandaj mendoj se shkrimet e tij mund të radhiten në atë që mund ta quajmë shkrime neopatristike, sepse kanë të njëjtin frymëzim, të njëjtën përgjegjësi, të njëjtën fuqi guxuese dhe krijuese dhe të njëjtin qëllim – ndryshimin dhe restaurimin e të gjithë krijimit, për të cilin u trupëzua, u kryqëzua dhe ngjall Zoti Ynë Jisu Krishti.
V
Sa më shumë kohë kalon, aq më e qartë bëhet madhështia e veprës së tij. Shpesh habitem dhe mrekullohem – dhe jo vetëm unë por edhe shumë të tjerë – sesi ka mundur të realizojë një vepër në këto dimensione. Si përgjigje mund të kemi vetëm këtë: një besim i madh dhe një dashuri e madhe për Zotin dhe njerëzit, një talent i jashtëzakonshëm dhe një hir i madh nga Perëndia.
Ai i dhuroi Kishës sonë gjithçka që ai kishte: gjithë pasurinë e tij shpirtërore dhe intelektuale, diturinë dhe urtësinë, mendimin e pjekur dhe të kthjellët. Dhe unë mund t’ju them me plot bindje se nuk njoh ndonjë person tjetër që t’i ketë dhënë këtij vendi më shumë, pa kërkuar asgjë dhe pa marrë asgjë.
Nëpërmjet shembullit të tij ai e ka forcuar tek të gjithë ne besimin e patundur tek Perëndia. Është bërë tashmë proverbiale thënia e tij: “Perëndia nuk do të na braktisë”.
Besoj se jeta dhe vepra e tij janë një shembull i gjallë dhe frymëzim i vazhdueshëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat që do të vijnë. Nuk mund të gjeja fjalë më të përshtatshme për të përfunduar sesa vetë fjalët e tij në lidhje me vizionin e Orthodhoksisë: “Kur e mendoj Orthodhoksinë në shekujt që vijnë, e ëndërroj të hapur ndaj zhvillimit, ndaj kushteve të reja të krijuara nga shkenca, arti dhe teknologjia. Vendi i Orthodhoksisë nuk është në një hapësirë jashtë historisë, por në qendrën e brumosjeve sociale, në pararojë të progresit…”.
Siç ai vetë na ka thënë shpesh: “Nuk dua admirues, por bashkëpuntorë”. Ashtu edhe ne, nuk duhet të ndalemi vetëm në admirimin për jetën dhe veprën e tij, por edhe ta ndjekim atë pas, duke u bërë bashkëpunëtorët e tij në veprën shpëtimtare të Zotit tonë Jisu Krisht, nëpërmjet Kishës së Tij.
Fjala kryesore e ditës së parë të Konferencës Ndërkombëtare në nderim të Kryepiskopit të lumur Anastas, me rastin e përvjetorit të parë të ndarjes së tij nga jeta.
Kontributi Theologjik dhe Eklesiastik i Kryepiskopit Anastas
† Joani
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë – (Video)