Më 5 dhe 6 dhjetor 2025, Tirana u shndërrua në epiqendrën e kërkimit shkencor ndërkombëtar mbi Bizantin, duke mirëpritur Konferencën I Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”, një ngjarje e cila u vlerësua gjerësisht si gur themeli për studimet bizantine në Shqipëri dhe si një hap i domosdoshëm drejt njohjes ndërkombëtare të trashëgimisë së hershme kulturore të vendit. Konferenca, e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës (Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë), Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Shoqatën Shqiptare të Studimeve Bizantine, u konceptua dhe u realizua nën përgjegjësinë organizative të z. Andi Rembeci (Universiteti i Tiranës), Kryetar i Komisionit Organizativ, i cili ndoqi dhe koordinoi të gjithë procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të saj. Ajo mblodhi rreth 50 studiues e profesorë nga Shqipëria, Kosovë, Greqia, Qipro, Maqedonia e Veriut, Italia, Spanjë, Austria, Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera me traditë të fortë në studimet bizantine, duke krijuar një platformë të gjerë bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar, për t’i rikthyer vendit tonë një pjesë të historisë së tij të thellë, që shpesh ka mbetur në hije.
Ceremonia hapëse, e moderuar me profesionalizëm nga prof. dr. Paskal Milo, shënoi një moment të veçantë, ku figura të rëndësishme të botës shkencore dhe kishtare theksuan vlerën e këtij takimi. Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, solli një analizë të gjerë mbi nevojën për të krijuar një qasje shumëdimensionale në studimin e periudhës bizantine, duke e parë Shqipërinë si një hapësirë ku ndërthuren natyrshëm ndikimet e Lindjes dhe të Perëndimit dhe ku identiteti kulturor është pasuruar përmes një historie të gjatë të ndërveprimeve fetare, politike dhe artistike. Në të njëjtën frymë, prof. dr. Antonio Rigo, President i International Association of Byzantine Studies, vuri në dukje rolin e pazëvendësueshëm të Shqipërisë në hartën e kërkimeve bizantine, duke e quajtur vendin tonë “një thesar ende të paeksploruar plotësisht”.
Ndërkohë, fjala e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, u shqua për tonin e saj të thellë reflektues. Ai theksoi se periudha bizantine nuk është thjesht një kapitull i largët i historisë, por një shtresë e gjallë e identitetit shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar. Kryepiskopi Joan e cilësoi Kishën Orthodhokse si një urë të pandërprerë lidhjeje që nga Iliriku e deri në kohët moderne, një dëshmi e gjallë e vijimësisë shpirtërore dhe kulturore në trojet shqiptare. Në fjalimin e tij ai u përqendrua te roli i Kishës në ruajtjen e traditës së shkrimit, te mbrojtja e monumenteve dhe te kontributi i dorëshkrimeve të ruajtura në arkiva e manastire, duke theksuar se trashëgimia bizantine shërben si një kujtesë e çmuar për identitetin dhe kulturën e vendit dhe si një mjet për forcimin e vetëdijes historike.
Gjatë dy ditëve të konferencës u zhvilluan 6 seksione tematike, të cilat në mënyrë organike shpalosën një tablo të gjerë të jetës politike, kishtare, kulturore, artistike dhe dokumentare të Shqipërisë gjatë shekujve të sundimit bizantin.
Seanca I, kushtuar temës “Shqipëria ndërmjet Bizantit dhe Perëndimit”, ishte një hapësirë dialogu akademik ku u trajtuan marrëdhëniet politike, kulturore dhe kishtare të trojeve shqiptare me botën bizantine. Seanca, e drejtuar nga Peter Schreiner (Universiteti i Këlnit) dhe Pëllumb Xhufi (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), u hap me kumtesën e Imzot Joanit, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, i cili solli një vizion të thelluar mbi rolin e Kishës si një “urë e gjallë besimi dhe qytetërimi” nga Iliriku në Bizant e deri sot. Profesor Peter Schreiner analizoi vendin e shqiptarëve ndërmjet bullgarëve dhe grekëve në Epir gjatë shek. XI-XII, ndërsa akad. Pëllumb Xhufi trajtoi marrëdhëniet shumëplanëshe midis Shqipërisë dhe Italisë bizantine ndër shekujt VI-XI. Më tej, Taxiarchis Kolias (Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës) foli për rëndësinë strategjike të territoreve shqiptare për Perandorinë Bizantine, ndërsa Andrea Di Giuseppe (Universiteti “Roma Tre”) solli një analizë të thelluar mbi diplomacinë papnore me Arbërinë në periudhën e Dhimitër Progonit. Katerina B. Korre (Instituti Helen i Studimeve Bizantine dhe Pasbizantine, Venecia) paraqiti një studim mbi familjen Bokalis dhe negocimin e pushtetit në aristokracinë e vonë bizantine, ndërsa Ardian Muhaj (Akademia e Shkencave e Shqipërisë) trajtoi konceptin e “Adriatikut bizantin” si një hapësirë ndërmjetëse e ndikimeve lindore dhe perëndimore. Seanca u mbyll me kumtesën e Ermal Baze dhe Ilira Çaushi (Universiteti i Tiranës) mbi lidhjet ndërmjet Statuteve të Shkodrës dhe Ligjit Agrar Bizantin. Ky sesion i parë hapi rrugën për diskutime të thelluara dhe perspektiva të reja kërkimore, duke treguar qartë se periudha bizantine në Shqipëri mbetet një fushë thelbësore për historinë, identitetin dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Pas sesioni të parë të pasur me perspektiva historike, konferenca vijoi me Seancën II, kushtuar temës “Arti dhe Arkitektura Bizantine”, e cila solli një panoramë të gjerë të zhvillimeve artistike, ndërtimore dhe ikonografike në hapësirat shqiptare gjatë periudhës bizantine dhe pasbizantine. Seanca u drejtua nga Aleksandër Meksi (Albanian Association of Byzantine Studies) dhe Ioannis Vitaliotis (Akademia e Athinës). Hapjen e bëri Vitaliotis, i cili analizoi afresket e Kishës së Shën Mërisë në Kepin e Rodonit në kontekstin e sundimit të Karl Topisë mbi Arbërinë. Më pas, Aleksandër Meksi solli një reflektim mbi tiparet kryesore të historisë dhe ndërtimeve bizantine nga shek. VI-XI, duke vënë në dukje evoluimin e formave ndërtimore dhe ndikimet ndërrajonale. Lida Miraj (Albanian Association of Byzantine Studies) paraqiti një studim mbi arkitekturën e Epidamnosit/Durrësit nga Antikiteti deri në periudhën bizantine, duke i dhënë vëmendje transformimeve urbane. Kontribut domethënës dha edhe Snezhana Filipova (Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup), e cila ofroi një qasje krahasuese ndërmjet traditave artistike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në vijim, Nevila Molla (Akademia e Shkencave e Shqipërisë) prezantoi ndërtimin e kishave në episkopatën e Butrintit gjatë periudhës së vonë bizantine, duke analizuar perspektivat urbane e rurale, ndërsa Thoma Shkira (Kolegji Universitar “Logos”) trajtoi lidhjen ndërmjet monumenteve kishtare dhe toponimisë së krishterë të vendit. Seanca u mbyll me kumtesën e Jani Koçillarit (Universiteti i Tiranës), i cili diskutoi vazhdimësinë romake dhe formimin e identitetit territorial në Perandorinë Lindore. Seanca e dytë dëshmoi edhe një herë pasurinë e materialit artistik dhe arkitektonik bizantin në Shqipëri, duke hapur dritare të reja kërkimi për studimet e monumenteve dhe traditave kulturore që lidhin vendin tonë me oikumenën bizantine.
Pas diskutimeve mbi artin dhe arkitekturën bizantine, konferenca vijoi me Seancën III, e cila iu kushtua temës “Arti pasbizantin dhe restaurimi”, një fushë ku historia, tradita ikonografike dhe qasjet moderne konservuese ndërthuren në mënyrë të veçantë. Seanca u drejtua nga Pirro Thomo (Albanian Association of Byzantine Studies) dhe Edlira Çaushi (Universiteti i Tiranës). Kumtesa e parë, nga Molly Green (Princeton University, SHBA), solli një panoramë të pasur mbi peizazhin monastik të maleve të Pindit gjatë periudhës osmane, duke treguar rolin e komuniteteve monastike si bartëse të traditës shpirtërore dhe kulturore. Në vijim, Pirro Thomo analizoi vazhdimësinë dhe ndryshimet midis arkitekturës bizantine dhe asaj pasbizantine, duke ofruar një lexueshmëri të qartë mbi transformimet stilistike ndër shekuj. Ferit Duka (European University of Tirana) ndriçoi praninë e elementeve të trashëgimisë bizantine në qytetet shqiptare gjatë periudhës osmane, me rastin e Beratit si shembull kryesor, ndërsa Edlira Çaushi trajtoi ndërhyrjet restauruese dhe fazat dekorative të Kishës së Profetit Ilia në Stegopul, duke e lidhur artin me proceset e kujdesit dhe ruajtjes. Një tjetër kontribut i çmuar erdhi nga Rozela Dhimgjini (Universiteti i Arteve), e cila analizoi programin ikonografik dhe stilin e piktorëve të panjohur në Kishën e Shën Mëhillit në Vithkuq, një dëshmi e bashkëjetesës mes traditës dhe risisë në artin pasbizantin. Më tej, Charalampos Chotzakoglou (Cypriot Committee for Byzantine Studies) paraqiti mënyrat se si dëshmitë kulturore në Shqipërinë e sotme ndihmojnë në rikrijimin e oikumenës bizantine. Seanca u mbyll me prezantimin e Flora Marollit (University of West Attica, Greece), e cila shpjegoi përdorimin e metodave moderne analitike në restaurimin e ikonave bizantine e pasbizantine, duke sjellë si shembull ikonën “Shën Maria me Shenjtorë” (Nr. In. 3622), një model i qasjes shkencore në shërbim të ruajtjes së trashëgimisë. Seanca III nxori në pah pasurinë e vyer të artit pasbizantin në Shqipëri dhe rëndësinë e metodave bashkëkohore të restaurimit për të ruajtur këtë trashëgimi të çmuar për brezat që vijnë.
Në kuadër të Konferencës së Parë Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”, në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave u çel ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, kuruar nga Andi Rembeci (Universiteti i Tiranës) dhe Sokol Çunga (Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave), e cila solli për publikun disa prej thesareve më të vyera të kulturës dorëshkrimore. Ekspozita përfshiu një përzgjedhje të kodikëve bizantinë dhe pasbizantinë të ruajtur në AQSh, të cilat dëshmojnë mjeshtërinë e kopistëve, estetikën e miniaturës dhe vazhdimësinë shpirtërore që ka shoqëruar hapësirën shqiptare ndër shekuj. Vizitorët patën mundësinë të njohin nga afër detajet ikonografike, germat e zbukuruara nistore dhe shkrimin kaligrafik që e bëjnë çdo kodik një vepër arti në vetvete. Ekspozita theksoi rolin e Shqipërisë si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, duke vënë në dukje rëndësinë unike të trashëgimisë së saj dorëshkrimore për historinë e studimeve bizantine në rajon dhe më gjerë. Ky prezantim i rrallë i kodikëve tanë përbën një ftesë për të njohur më thellë historinë e shkrimit, artit dhe besimit në trojet shqiptare, duke rikujtuar se trashëgimia shpirtërore është një nga thesaret më të vyera të kulturës sonë.
Dita e dytë e konferencës u hap me Seksionin IV, kushtuar temës “Paleografi, epigrafia dhe tradita tekstuale”, një nga fushat më të rëndësishme për të kuptuar historinë kulturore dhe kishtare të Shqipërisë në periudhën bizantine. Seanca u drejtua nga Agamemnon Tselikas (Instituti Mesdhetar “Arethas”), Andi Rembeci (Universiteti i Tiranës) dhe Andreas Rhoby (Austrian Academy of Sciences). Punimet nisën me Gëzim Hoxhën (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), i cili analizoi një rast të deformimit paleografik në aktet e Koncilit II Ekumenik të Kostandinopojës (553), duke sjellë vëmendjen te rëndësia e leximit të kujdesshëm të traditës së shkruar. Më pas, Agamemnon Tselikas (Instituti Mesdhetar “Arethas”) paraqiti vëzhgime paleografike mbi dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine të Arkivit Shtetëror të Tiranës, duke evidentuar tiparet e tyre të veçanta dhe ndërlidhjet me tradita të tjera mesdhetare. Andreas Rhoby (Akademia Austriake e Shkencave) ofroi një panoramë të epigrafisë greke në Shqipërinë mesjetare, duke interpretuar mbishkrimet si burime themelore për të kuptuar jetën kishtare, edukative dhe institucionale të periudhës. Në vijim, Konstantinos Giakoumis (Kolegji Universitar “Logos”) dhe Joana Dhiamandi (Universiteti Epoka) trajtuan dëshmitë epigrafike të Beratit, duke hetuar topometoniminë dhe konsolidimin dogmatik nga Antipatrea në Pulheriupolis. Kumtesa e Andi Rembecit (Universiteti i Tiranës) solli në qendër të vëmendjes dorëshkrimet e Rilindjes Maqedonase në hapësirën shqiptare, duke e pozicionuar Shqipërinë si një pikë kyçe në qarkullimin kulturor të librit bizantin. Majlinda Toçi dhe Jola Tasellari (Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë) paraqitën gjurmët e Bizantit në dorëshkrimet e Koleksionit Grek të institucionit, duke nxjerrë në pah tradita të ruajtura në fondet e hershme bibliotekare. Seanca u mbyll me Vilson De Markun (Universiteti i Grazit, Austri), i cili propozoi një rivlerësim të tekstit të kodikut Beratinus 1 (Φ043) në kritikën e Dhiatës së Re, duke shpjeguar rëndësinë e tij për historinë e tekstit biblik. Seksioni IV dëshmoi qartë se tradita tekstuale dhe epigrafike përbën një shtresë të pazëvendësueshme për studimin e Shqipërisë bizantine, duke hapur horizonte të reja kërkimore për studiuesit e fushës.
Pas një sesioni të pasur mbi traditën tekstuale dhe epigrafinë, konferenca vijoi me Seksionin V, dedikuar Arkeologjisë dhe Kulturës Materiale, një fushë thelbësore për të kuptuar jetën shoqërore, fetare dhe institucionale të hapësirës shqiptare gjatë periudhës bizantine. Seanca u drejtua nga Christos Stavrakos (University of Ioannina, Greece), Gëzim Hoxha (Akademia e Shkencave të Shqipërisë) dhe Brikena Shkodra (Akademia e Shkencave të Shqipërisë). Punimet nisën me prezantimin e Christos Stavrakos, i cili solli një analizë të hollësishme të vulave të plumbta bizantine nga Dyrrahion, një burim i vyer për studimin e administratës dhe komunikimit perandorak. Më pas, Neritan Ceka (Akademia e Shkencave të Shqipërisë) trajtoi marrëdhëniet mes Bizantit të hershëm dhe Ilirëve të vonë, duke sjellë prova të rëndësishme arkeologjike që ndriçojnë tranzicionet kulturore të shekujve IV-VI. Brikena Shkodra dhe Eduard Shehi (Akademia e Shkencave të Shqipërisë) prezantuan një studim mbi tri vula liturgjike të bukës së shenjtë nga Durrësi, si dëshmi domethënëse të kulturës sakrale dhe praktikave liturgjike urbane të periudhës bizantine. Një qasje të gjerë dhe ndërdisiplinore sollën Stavros Oikonomodis, Aris Papayiannis dhe Akis Tsonos (Universiteti “Arcadia” në Glenside, SHBA / Democritus University of Thrace), të cilët analizuan pushtimet, migrimet dhe ndryshimet demografike të Ballkanit në shekujt V-VI, duke ndërthurur dëshmitë e teksteve dhe të arkeologjisë. Kontribut i çmuar erdhi edhe nga Paulin Pushimaj (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), i cili paraqiti rezultatet arkeologjike e historike mbi Drishtin në periudhën bizantine, një qendër e rëndësishme fortifikuese dhe tregtare. Më tej, Sonia Antonelli, Chiara Casolino dhe Elvana Metalla (Universiteti “G. d’Annunzio”, Chieti-Pescara / Akademia e Shkencave) analizuan Amfiteatrin e Durrësit në periudhën bizantine, duke e interpretuar atë në dritën e të dhënave të reja arkeologjike. Seksioni V tregoi qartë se arkeologjia nuk është vetëm shkenca e së shkuarës materiale, por një mjet i fuqishëm për të kuptuar strukturat e jetës së përditshme, lëvizjet e popullsisë, idetë fetare dhe organizimin shoqëror në Shqipërinë bizantine.
Konferenca u përmbyll me Seksionin VI, të dedikuar temës “Trashëgimia shpirtërore dhe kulturore”, një sesion që solli një panoramë të gjerë mbi marrëdhëniet religjioze, muzikore, kulturore dhe identitare të hapësirës shqiptare gjatë periudhës bizantine dhe asaj pasbizantine. Seanca u drejtua nga Molly Green (Princeton University), Vasil Tole (Akademia e Shkencave të Shqipërisë) dhe Toni Filiposki (Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup). Punimet nisën me Isabel Grimm-Stadelmann (Universiteti Ludwig-Maximilian i Munihut), e cila trajtoi raportet ndërmjet popullsisë shqiptare dhe traditave mjekësore bizantine në dhe rreth Epirit, duke ndriçuar lidhjen mes praktikave shëndetësore dhe botës së besimit. Më pas, Vasil Tole analizoi rolin e këngës bizantine në UNESCO dhe kontributin e muzikantëve të shenjtë shqiptarë në këtë trashëgimi botërore, duke theksuar vlerën e traditës sonë muzikore në kontekstin ndërkombëtar. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Boban Petrovski (Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup), i cili foli mbi modelet ekleziologjike konkurruese në zonat malore të Shqipërisë dhe dinamikat bizantino-bullgare në shekujt IX-X. Mikaela Minga (Akademia e Shkencave të Shqipërisë) solli një rast studimor të veçantë mbi një dokument zanor të muzikës bizantine në Shqipërinë komuniste, duke ndriçuar figurën enigmatike të Taqi (Dhimitër) Delianës. Toni Filiposki analizoi marrëdhëniet politike, kishtare dhe kulturore mes Beratit dhe Ohrit në Mesjetë, duke treguar afërsi të thella civilizuese ndërmjet dy qyteteve. Një moment i rëndësishëm i seancës ishte kumtesa e Theodhor Pecit (Universiteti i Arteve), i cili trajtoi figurën e Joan Kukuzelit (1280-1336), durrsakut që u bë burimi kryesor i muzikës bizantine dhe një nga inovatorët më të mëdhenj të traditës së artit psaltik. Në vijim, Marin Haxhimihalit (Universiteti i Tiranës) trajtoi strategjitë kishtare dhe ambiciet territoriale të projektit të ribashkimit të Kishës në shek. XIII, duke shpjeguar dimensionet politike dhe teologjike të kohës. Seanca u mbyll me Serena Cuomo (Universiteti “Santiago de Kompostela”, Spanjë), e cila analizoi kultin e Dyzetë Shenjtorëve të Sebastisë në Shqipërinë e Jugut, duke treguar vazhdimësinë dhe transformimin e një prej ikonografive më të rëndësishme të bizantinizmit. Seksioni VI u vlerësua si një nga më të pasurit e konferencës, duke sjellë dëshmi dhe interpretime që lidhin identitetin shpirtëror të shqiptarëve me universin e gjerë bizantin, si dhe mënyrat se si kjo trashëgimi ka mbijetuar, është transformuar dhe vazhdon të ndikojë kulturën e sotme.
Konferenca e Parë Ndërkombëtare “Shqipëria në Periudhën Bizantine” u mbyll me reflektimet e thella dhe frymëzuese të Prof. Peter Schreiner, një prej bizantologëve më të shquar të Evropës. Ai e cilësoi këtë konferencë si “më të mirën ku ka marrë pjesë ndonjëherë në Shqipëri”, duke vlerësuar shumëllojshmërinë e temave, nivelin e lartë shkencor të kumtesave dhe koherencën e sesioneve. Prof. Schreiner theksoi se Shqipëria është një “El Dorado i dorëshkrimeve bizantine”, një thesar unik për studimet bizantine, i cili duhet të njihet dhe të studiohet më gjerësisht. Ai u ndal te rëndësia e artit, arkeologjisë, traditës shkrimore dhe trashëgimisë shpirtërore, duke nënvizuar se në territorin shqiptar ka pasur historikisht një takim të fuqishëm midis Lindjes dhe Perëndimit.
Në vijim, Andi Rembeci, Kryetar i Komitetit Organizator, shprehu mirënjohjen për institucionet partnere, referuesit, moderatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit, të cilët, përmes kumtesave, diskutimeve dhe shkëmbimit të ideve, e shndërruan këtë konferencë të parë ndërkombëtare mbi Shqipërinë në periudhën bizantine në një ngjarje me vlerë të veçantë akademike.
Pas dy ditësh të mbushura me kumtesa dhe diskutime shkencore, Konferenca e Parë Ndërkombëtare “Shqipëria në Periudhën Bizantine” u mbyll në mënyrën më të denjë me një koncert të jashtëzakonshëm të muzikës bizantine, të zhvilluar në Qendrën Kulturore të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, më 6 dhjetor. Ky koncert përmbyllës, i organizuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në kuadër të konferencës, u konceptua si kurora shpirtërore e kësaj veprimtarie shkencore. Kushtuar mjeshtërit të madh të muzikës bizantine, Shën Joan Kukuzelit, koncerti solli vepra të tij të interpretuara me mjeshtëri nga kori bizantin “Shën Joan Kukuzeli”, nën drejtimin artistik të z. Theodhor Peci. Vargjet kalofonike, pjesët me anagramatizëm dhe himnet liturgjike të përpunuara në gjuhën shqipe krijuan një atmosferë të thellë shpirtërore dhe një përjetim muzikor të rrallë. Koncerti shërbeu si kurorëzim i dy ditëve të punimeve shkencore, duke lidhur bukur kërkimin akademik me traditën tonë shpirtërore dhe muzikore. Publiku, studiuesit dhe të ftuarit e konferencës patën mundësinë të përjetojnë një udhëtim në thellësitë e kulturës bizantine, ku arti dhe historia takohen natyrshëm.
Andi Rembeci
Universiteti i Tiranës
Kryetar i Komisionit Organizativ
