Me bekimin e Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij Joanit, në Dioqezën e Korçës u zhvillua kampingu rinor i djemve “Ngjallja e Krishtit”, pranë manastirit të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë, kamp, i cili është bërë tashmë traditë dhe financohet nga Zyra Kombëtare e Rinisë të Tiranës në bashkëpunim me Zyrën e Rinisë pranë Mitropolisë së Shenjtë, Korçë.
Ky aktivitet u zhvillua nga data 23 korrik 2005 deri në datën 30 korrik 2005 dhe pati një pjesëmarrje prej 35 djemsh, 28 prej të cilëve ishin kampistë të moshës 13 – 16 vjeç. Drejtues shpirtëror i kampingut ishte kleriku atë Konstandin Mujo dhe drejtues Mihal Sonellari e Vangjel Qazimllari. Në këtë kamp ndihmuan edhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash që i përkasin Dioqezës sonë.
Tema qendrore e këtij kampingu ishte: “Krishti në jetën tonë”. Temat kryesore, të cilat u zhvilluan ishin të përqendruara në paravolitë e marra nga Ungjilli. Gjithashtu për pjesëmarrësit në kamping u zhvillua një cikël katekizmi, ku u fol mbi Simbolin e Besimit, kreshmën, shenjtorët, ikonat, lutjen dhe misteret.
Në datën 25 korrik ditën e kremtimit të shën Anës, e cila korrespondon me ditën e fronëzimit të Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij Imzot Joanit, kampistët ndërtuan një kryq dhe e vendosën në një pikë të dukshme në faqen e malit mbi shkëmb, duke e shoqëruar me një litani. Ndërsa në datën 28 korrik Mitropoliti i Korçës vizitoi kampin dhe zhvilloi një bisedë me djemtë kampistë. Gjithashtu në formë pelegrinazhi u zhvillua një ekskursion në fshatin Shipskë në kishën e Shën Nikollës. Po në këtë ditë u zhvillua dhe takimi i fundit rreth zjarrit gjatë të cilit të rinjtë dhanë përshtypjet e tyre për kampin, ku edhe u ndanë dhurata.
Ky kamp mbetet përsëri i preferuar për të rinjtë e Dioqezës së Korçës dhe kontribuon ndjeshëm në rritjen shpirtërore të të rinjve, si edhe plotëson një pjesë të nevojave shpirtërore të rinisë në këtë dioqezë. Më datën 30 korrik kampistët u larguan nga kampi me mbresa shumë të mira. Ndonëse ky kamp ka ende nevojë për përmirësimin e kushteve dhe të ambienteve që i nevojiten një kampi, ishte një kamp i suksesshëm, i cili e arriti qëllimin e tij.
Mihal Sonellari