Nga 31 gusht deri më 4 shtator, në Voskopojë u organizua nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë kampi i pestë familjar. Programi i kampit mbështetej në studimin e letrës së Apostull Pavlit drejtuar Efesianëve.

Kisha jonë nuk qëndron indiferente ndaj problemeve të shoqërisë, por e ndihmon duke ofruar atë për të cilën ajo ka më shumë nevojë, praninë e Perëndisë në jetët e njerëzve. Ndaj, ky kampi në natyrën e bukur të Voskopojës i ofroi mundësinë 25 familjeve të jetojnë së bashku në një komunitet dashurie me në qendër Perëndinë. Për 4 ditë këto familje përjetuan më thellë besimin tek Perëndia përmes lutjes së bashku, studimit të Shkrimit të Shenjtë, pelegrinazheve në vende të shenjta, lojërave dhe argëtimit. Gjenerata të ndryshme patën mundësi të mësonin nga shembulli, prania dhe ndërveprimi midis tyre. Mbyllja e kampit me lutjen e himnit Akathist iu ofroi të pranishmëve mundësinë për të shprehur mirënjohjen e tyre për gjithçka që Perëndia ka bërë dhe për këto ditë të bekuara që përjetuan në prani të Tij. Pjesëmarrësit morën pjesë edhe në Liturgjinë Hyjnore në kishën e njohur monument të Shën Nikollës.

Kampin e vizitoi Mitropoliti i Korçës Joani, i cili u foli pjesëmarrësve për familjen e krishterë dhe rëndësinë e saj në shoqëri. Ndër të tjera ai tha se “Egoizmi ka marrë përmasa shumë të rrezikshme. Gjithkush mendon vetëm për vete, duke u nisur në këtë formë të gjithë do mbeten vetëm”, por ne jemi qenie shoqërore. Të krijuar në ikonën e Perëndisë, jemi krijuar për të qëndruar në marrëdhënie me njëri tjetrin, të jemi pjesë e një komuniteti. A jeni ju pjesë e një komuniteti?

Një falënderim i veçantë shkon për Kryepiskopin Anastas, i cili gjithmonë i inkurajon anëtarët e Kishës Orthodhokse të jenë aktivë në shoqëri dhe ofron mundësinë e organizimit e aktiviteteve të tilla, që ndihmojnë shoqërinë shqiptare dhe sidomos qelizën bazë të saj, familjen.

 

Alban Petro, Gabriela Hoppe

 

 

Kamp për vlerat e familjes orthodhokse