Jo larg nga Butrinti, i njohur për gjurmët e Krishterimit të hershëm në vendin tonë, në veri të tij, mes detit Jon dhe liqenit të Butrintit, mbi një kodër pranë Çukës, ngrihet një tjetër qendër e madhe shpirtërore, edukuese dhe historike e shekullit të 17-të, Manastiri i Shën Gjergjit.
Nuk ishte e rastit në një vend të tillë me bukuri natyrore dhe rrezatim shpirtëror të ngrihej pas shumë mundimeve të njohura në kishën tonë – në lidhje me pronësitë – Kampi i Shën Gjergjit, një kamp lokal ky në pjesëmarrjen e të cilit ishin nxënësit e Shkollës së Mesme të “Kryqit të Nderuar” Gjirokastër.
Ideja dhe përpjekja për organizimin e kampeve verore të Kishës sonë, janë objektiva të Zyrave të Katekizmit dhe Rinisë dhe kreut të Kishës Kryepiskopit Anastas, i cili duke theksuar realitetin se: “Rinia orthodhokse nuk është vetëm e ardhmja e Kishës, por edhe tashmja e saj;” kujdeset për jetën e rinisë edhe nëpërmjet këtyre kampeve, duke i parë ato si eksperienca formuese shpirtërorë, edukuese dhe kulturore.
Me këtë objektiv nisi me hirin e Perëndisë, në vitin e tij të dytë, kampi i Shën Gjergjit. Përgatitjen, drejtimin dhe ecurinë e turnit të parë të kampit, Mitropolia e Gjirokastrës dhe Drejtoria e Shkollës së Mesme Kishtare, ia besuan stafit të kampingut Rilindja në Zvërnec, me në krye z. Jorgo Papadhopuli, teolog, drejtor i Zyrës qendrore të Rinisë.
Programi ishte shumë i larmishëm, tërheqës dhe argëtues. Koha e zgjimit i linte shumë shpejt vend fiskulturës. Disa xhiro rreth e përqark fushës së futbollit si dhe ushtrime të ndryshme fizike, ishin të mjaftueshme për të shkundur gramin më të fundit të gjumit. Në përgjithësi, puna dhe lëvizja e trupit lehtëson edhe punën shpirtërore; ndaj jo më kot është vendosur në program ora e fiskulturës.
Shërbesa e Mëngjesit na mblidhte çdo mëngjes në kishën e vjetër të manastirit për të falënderuar Perëndinë për ditën e re dhe për të marrë prej Tij bekimet e kësaj dite që nis.
Koha e adhurimit ishte pika më e rëndësishme e programit të kampit, pasi i shërben direkt arsyes së funksionimit të tij: Rritjes shpirtërore të pjesëmarrësve në të – në një lëvizje më pranë Perëndisë së dashurisë, – me anë të lutjes, dëgjimit të fjalës së ungjillit, meditimit, njohjes së vetvetes, pendimit, rrëfimit dhe Kungatës hyjnore. Ishte një nga përgjegjësitë e stafit të kampit të krijonim kushte dhe të nxitnim këtë vijueshmëri të jetës shpirtërore të kampistëve në ditët që ata kalonin.
Vendi ku ishim përveç hireve të pasura shpirtërore që rrezatonte, kishte edhe një bukuri natyrore mahnitëse. Jo larg kampit, gjendej plazhi, një tjetër dhuratë e Perëndisë për ditët e nxehta të verës. Gjendeshim në një nga pikat më të lakmueshme, por edhe më të kushtueshme turistike, ku zor se shumica e familjeve tona do të mund të përballonte koston e pushimeve në këtë zonë. Kampi na e dha këtë mundësi.
Koha e argëtimit përfshinte edhe zhvillimin e konkurseve me pyetje nga besimi dhe shkenca të ndryshme, të cilat vetë grupet përgatitnin për njeri-tjetrin, për t’u vënë më pas në çdo darkë në një garë të vërtet dijesh dhe njohurish.
Pasditja hapej me aktivitetet sportive, kampionatin e futbollit, volejbollit, shahut, tavllës, damit, etj., në përfundim të të cilave pati edhe fitues me çmime. Në programin sportiv të kampit vend të veçantë zunë kursi i notit dhe olimpiada me lojëra të ndryshme popullore dhe me garën e maratonës. Në ditën e fundit të kampit secili grup prezantoi krijimin e tij në këngë dhe skeçe. Fitues të festivalit ishin djemtë e grupit të Shën Harallambit, me këngën e tyre të titulluar “Zgjidhja”.
Në programin argëtues të kampit ishte edhe ekskursioni në qytetin antik të Butrintit, kohë e cila koinçidoi me zhvillimin e festivalit ndërkombëtar të teatrove, që organizohej në amfiteatrin e tij.Në punën krijuese të dorës kampistët u njohën dhe praktikuan bërjen e ikonave, një aktivitet që tërhoqi vëmendjen dhe interesimin në kamp.
Bisedat shpirtërore të çdo mbrëmjeje plotësonin atë pjesë të programit që fliste për kujdesin shpirtëror të kampistëve. At Dhimitri, z. Miron Çako, z. Pirro Kondili dhe katekistë të tjerë të stafit të kampit, ishin folësit e këtyre bisedave, të referuara temës së kampit: Nëse zbatoni porositë e mia, tregoni se më doni. Nga kjo temë kampistët morën shijen e ligjit të Zotit, se ky ligj nuk na mbërthen dhe na privon lirinë, por përkundrazi: me zbatimin e këtij ligji gjejmë lirinë e vërtetë dhe jetën me Krishtin, duke kaluar nga det i mëkateve në një jetë të re me Të.
Fundi i kampit ishte sa i gëzueshëm për ditët që kaluam, aq edhe prekës për kohën ku duhet të ndaheshim. Turni i parë u mbyll me një frymë mirënjohje për Perëndinë, Të Tërëshenjtën, Shën Gjergjin, Kryepiskopin Anastas, At Dhimitrin, At Nathanailin, At Jorgon, falënderime edhe për drejtorinë dhe personelin e Shkollës së Mesme Kishtare, për stafin dhe drejtorin e kampit, si dhe për të gjithë ata që ndihmuan në mënyrë të padukshme për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kishtar kaq të rëndësishëm.
Aleksandër Dimroçi