Pothuajse pas një viti, përfundojnë punimet e restaurimit në kishën “Fjetja e Hyjlindëses” në Kosinë të Përmetit. Hartimi i projektit të restaturimit dhe mbikëqyrja e realizimi i punimeve u bë nga Bërthama e Trashëgimisë Kulturore e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Projekti u miratua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës. Realizimi i këtij projekti u ideua dhe u financua nga Kryepiskopi Anastas me vlerën 4,435’395 lekë.

Punimet e restaurimit konsistuan në: fugatimet e muraturave, qepjet e çarjeve vertikale dhe qemerëve, injektimet në shëndoshjen e mureve ekzistuese, çmontimi i çatisë ekzistuese, riparimi i qemerëve nga çarjet dhe dëmtimet, mbulimi i çatisë në kuotat e vjetra duke përdorur tjegulla të reja të realizuara në dimensione me ato ekzistuese dhe gjithashtu u zëvendësuan dyert edhe dritaret e dëmtuara. E gjithë kisha iu nënshtrua një heqjeje masive të dherave në mënyrë perimetrale, të cilat ishin depozituar me kohën duke “zhytur” volumin real të kishës. Në pjesën afër muraturës u realizua drenazhimi për t’i larguar ujërat nga objekti. Mbi këtë drenazhim u bë një trotuar kalldrëmi, i cili do të rrethojë kishën në mënyrë perimetrale. Punime gjithashtu u kryhen edhe në interierin e kishës, si riparimi i dyshemesë dhe plotësimi i suvasë së dëmtuar aty ku nuk kishte prani të pikturës murale. E rëndësishme ishte edhe rihapja e dyerve anësore nga veriu dhe nga perëndimi.

Kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në Kosinë, është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe altari. Nga tiparet, morfologjia dhe elementet dekorative, kjo kishë datohet si ndërtim i shekullit XII. Kisha “Fjetja e Hyjlindëses” ka tipare të theksuara të arkitekturës bizantine. Kjo kishë kaq e rëndësishme për trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore orthodhokse e restauruar tashmë, i bashkëngjitet grupit të madh të kishave monumente kulture të restauruara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Nga besimtarët orthodhoksë të Enorisë së kishës së Fjetjes së Hyjlindëses të fshatit Kosinë, Kryepiskopit Anastas iu dërgua një letër falënderimi dhe mirënjohjeje për restaurimin jo vetëm të këtij thesari të vyer të besimit tonë siç shprehen ata, por edhe ringritjes në tërësi të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

 

Arkitekt Restaurator
Gentian Stratobërdha,
“Bërthama e Trashëgimisë Kulturore”,
Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
 

 

Letër Falënderimi dhe Mirënjohjeje
e besimtarëve të enorisë së Fjetjes së Hyjlindëses, Kosinë

 

Fortlumturi,

Në këtë ditë të kremtimit të Fjetjes së Hyjlindëses Mari, Nënës së Zotit dhe Perëndisë sonë Jisu Krisht, po Ju drejtohemi me këtë letër, ne besimtarët orthodhoksë të Enorisë së Fjetjes së Hyjlindëses në Kosinë dhe të tjerë të mbledhur nga gjithë treva e Përmetit.

Vijmë pranë Jush me urimet më të ngrohta që Perëndia ynë, me ndërmjetimet e Nënës së Tij të Tërëkulluar, t’Ju dhurojë të pasur hir, ndriçim dhe shëndet të plotë!

Fortlumturi,

Pas përfundimit të veprimtarive adhuruese në kishën tonë të Manastirit dikur të ndritshëm dhe të tërëlashtë, të dedikuar Hyjlindëses dhe Gjithmonëvirgjrës Mari, Ju drejtohemi, për t’Ju shprehur edhe me shkrim falënderimet dhe mirënjohjen tonë të thellë. Kjo për faktin se sivjet ne iu gëzuam së kremtes së saj në një ambient tërësisht të rikonstruktuar. Ishte inisiativa Juaj, kujdesi i vazhdueshëm dhe fondet që ne e dimë se me sa vështirësi i grumbulluat, që bënë të mundur kryerjen e punimeve. Punime që, falë kujdesit Tuaj, u realizuan sipas gjithë rregullave dhe teknikave bashkëkohore të restaurimit të objekteve adhuruese – monumente të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Komunitetit Orthodhoks. Ju falënderojmë thellësisht se një sërë punimesh u kryen edhe në ambientin rrethues, gjë që krijon tjetër atmosferë edhe për fshatin tonë në përgjithësi dhe i krijon atij një qendër të rëndësishme referimi.

Ne jemi të ndërgjegjshëm, Fortlumturi, për thesarin e vyer që besimi ynë orthodhoks ka krijuar në rrjedhën e historisë në të gjithë gjeografinë e vendit, si shprehje e respektit dhe devotshmërisë së Komunitetit tonë për Perëndinë. Kisha jonë Orthodhokse ka të drejta historike dhe ligjore të sanksionuara mbi këto dëshmi të rrugëtimit historik dhe ne ndihemi përgjegjës për mirëmbajtjen dhe promovimin e tyre të vazhdueshëm, për t’ua lënë brezave që vijnë ashtu sikundër ne i trashëguam.

Fortlumturi,

Në këtë drejtim na keni nxitur vazhdimisht edhe Ju. Nuk është e rëndësishme vetëm çështja e punimeve teknike të kryera në kishën tonë dhe shumë të tjera të së njëjtës vlerë historike dhe kulturore. Më i rëndësishëm është dimensioni i rijetimit të tyre. Kjo kishë, ashtu si shumë të tjera, u rikthye në destinacionin e saj të ndërtimit fillestar, për të pritur veprimtaritë adhuruese e shpirtërore të komunitetit të besimtarëve. Ajo është e rigjallëruar për faktin se, falë kujdesit Tuaj dhe gjithë mbështetjes në vite, këtu ka pasur praninë e priftit dhe kjo ka siguruar dhe siguron edhe në të ardhmen kryerjen e mistereve dhe të shërbesave të Kishës sonë.

Pranoni për të gjitha këto dhe shumë të tjera, që në një letër nuk mund të përshkruhen, të gjitha ndjenjat tona më të thella të mirënjohjes dhe urimet më të ngrohta nga zemra jonë për jetë të gjatë dhe të shëndetshme! Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e rithemeluar falë punës Suaj, mençurisë dhe sakrificës pa interes, e ka akoma të domosdoshme t’i prini me të njëjtën dashuri si deri më sot!

Le t’i dëgjojë lutjet tona e Tërëshenjta Mari në të Kremten e saj! Amin!

 

Kosinë, më 15 Gusht 2018

 

Përfundojnë punimet restauruese në kishën “Fjetja e Hyjlindëses”, në fshatin Kosinë, Përmet