Nga datat 16-18 shkurt 2007, në ambientet e Qendrës Shpirtërore-Arsimore “Thavor”, Tiranë, të Kishës sonë u organizua kampi dimëror për vajza. Tema e këtij kampi, e lidhur kjo edhe me periudhën e Kreshmës së Madhe, ishte: “Kthimi tek Zoti – banket festiv …”.

 

    Në këtë kamp morën pjesë rreth 60 vajza, përkatësisht nga Tirana, Durrësi, Shën Vlashi (Durrës), Shën Joan Vladimiri (Elbasan), Gjirokastra, Kavaja dhe Fieri. Të gjitha vajzat e këtij kampi ishin pjesëmarrëse të rregullta të kampeve të verës, që organizohen në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, pranë qytetit të Elbasanit. Me realizimin e këtij kampi tre ditor nga stafi organizator i tij dhe veçanërisht nga koordinatorja kryesore znj. Ana Baba, u mendua që të vazhdohej akoma edhe më shumë lidhja dhe komunikimi i krijuar gjatë periudhës së verës midis tyre.

     Kampistet u ndanë në pesë grupe, traditë kjo e njohur tashmë, përkatësisht me emrat: Kreshma, Lutja, Pendimi, Kungimi dhe Lëmosha. Drejtueset e grupeve dhe stafi organizues të këtij kampi ishin vajza të diplomuara në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës, të cilat punojnë në strukturat e ndryshme brenda Kishës. Programi përmbante aktivitete të ndryshme argëtuese dhe shpirtërore.

     Të premten pasdite, pas mirëseardhjes, ndarjes nëpër dhoma dhe shpërndarjes së dosjeve me materiale të ndryshme shpirtërore, u zhvillua në njërën nga sallat e qendrës, shërbesa e Paraklisit drejtuar Tërëshenjtës Mari.

 

    Pas kësaj shërbese për të gjitha vajzat u shtrua darka dhe më pas u mbajt referati i parë me temë: “Kthimi tek Ati Qiellor” me referues Episkopin e Apollonisë, Hirësi Nikollën. Gjatë referatit të tij, Hirësi Nikolla u përpoq që me anë të një bashkëbisedimi tu jepte përgjigje pyetjeve, që sipas tij, duhet të jenë të parat, nëse do të përpiqemi të kuptojmë se çfarë do të thotë Kthim tek Ati Qiellor.

     Këto pyetje ishin: Kush është Ati Qiellor? Përse duhet të kthehemi tek Ati? Si duhet të kthehemi? “Ati Qiellor për ne është Perëndia, i cili na krijoi, u mishërua për ne, jetoi me ne, u kryqëzua për mëkatet tona dhe që na hapi rrugën për në jetën e përjetshme. Është Ai Perëndia, i cili zotëron gjithçka dhe që asgjë nuk del jashtë planit të Tij.

     Pyetje të tjera, të cilat dolën gjatë referatit ishin edhe Përse kemi ardhur në jetë? Përse na ka krijuar Perëndia? Referuesi theksoi se, Perëndia do të na ndihmojë, pikërisht për këtë qëllim: për të mbushur potencialin për të cilin Ai na ka krijuar, për të jetuar përjetësisht të lumtur, për të jetuar përjetësisht pranë Tij. Duhet të kthehemi tek Ati, sepse është i vetmi Ai, i cili do të na drejtojë në përmbushjen e këtij potenciali. Sapo të kthehemi, ne duhet të pranojmë mëkatet tona, të pendohemi, ti rrëfejmë ato dhe me zemër të pastruar të bashkohemi përsëri me Atin tonë.”

     Hirësi Nikolla e përfundoi referatin e tij duke theksuar që të gjithë ne, edhe pse mund të kemi shumë detyrime të tjera në jetën e përditshme të përpiqemi që gjithmonë të gjejmë kohë për të takuar Krishtin, sepse gjithçka nis nga dashuria që ne kemi, ose që do të krijojmë për Zotin. Le të jetë kjo periudhë e Kreshmës një periudhë ku ne të mund të njohim dhe të duam më tepër Krishtin, Perëndinë tonë.

     Pas referatit, vajzat u shpërndanë në grupe për të vazhduar programin e mbrëmjes me aktivitete për të njohur njëra-tjetrën dhe me një lutje në mbyllje të ditës.

     Dita e shtunë filloi me zgjimin dhe Shërbesën e Mëngjesores. Pas ngrënies së mëngjesit, u kënduan dhe u mësuan këngë të reja nga jeta në kamp dhe në vazhdim u bë një paraqitje e shkurtër e jetës rinore të këtyre grupeve të ardhura, me prezantimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të tyre, duke kënduar në fund dhe nga një këngë përshëndetëse. Më pas, u zhvillua ora e punës së dorës duke punuar kryqe me rruaza.

     Referatin e dytë me temë: “Për jetën e botës” e mbajti z. Nathan Hoppe, bashkëpunëtor i Kishës sonë nga Sh.B.A. Zoti Hoppe e nisi referatin e tij me pyetjen drejtuar të gjitha vajzave mbi qëllimin e Kreshmës, duke shpjeguar në të njëjtën kohë se si ishte bota dhe njeriu që në fillim, kur u krijuan nga Perëndia dhe çfarë ndodhi pas rënies.

     Ai tha se Perëndia e krijoi botën për njeriun, si ushqim për të, për të qenë gjithnjë në kungim me Perëndinë. Me ushqimin ne të gjithë jetojmë, kemi jetë. Duke qenë që ushqimi na është dhënë nga Perëndia për ne, kuptojmë gjithashtu që Jeta jonë vjen nga Perëndia. Në vazhdim të referatit u diskutua më tepër mbi krijimin e botës, rënien në mëkat, shpëtimin me anë të Krishtit dhe çfarë do të thotë mohimi i vetes dhe ndjekja e Krishtit.
 

    Duke përfunduar ai theksoi se: “Që në momentin që Krishti dha jetën e Tij për jetën e botës, ne mund të kuptojmë shumë qartë se kush është qëllimi i kreshmës. Ne kreshmojmë, sepse gjithë bota është dhënë për ne nga Perëndia, si ushqim për ne. Ky ushqim është i vërtetë kur ne jemi në kungim të vazhdueshëm me Perëndinë. Me kreshmën, ne përpiqemi të kthejmë të gjithë ngrënien tonë në kungim me Perëndinë dhe e bëjmë këtë duke e privuar veten nga disa lloj ushqimesh, që të kuptojmë që jetojmë vetëm nga marrëdhënia me Perëndinë.”

    Pas referatit të dytë, vajzat patën mundësinë të ndiqnin prezantimin në Power Point të Akademisë Teologjike nga dy studentë të saj. Më pas drekuan së bashku dhe kaluan kohën e lirë, duke diskutuar me njëra-tjetrën dhe duke vazhduar programin me punën e dorës. Gjatë gjithë ditës kampistet, patën mundësinë gjithashtu të përgatiteshin më mirë për periudhën e kreshmës, duke marrë pjesë në misterin e rrëfimit, i kryer nga Atë Jani Trebicka. Pas kohës së lirë dhe koktejlit, ato të gjitha u mblodhën sipas grupeve dhe morën pjesë në studimin biblik, i drejtuar nga drejtueset e grupeve me temë “Vigjilenca” (pasazh ky i shkëputur nga Ungjilli sipas Mattheut 25:1-13) pikërisht nga Parabola e Dhjetë Virgjëreshave.

    Referati i tretë dhe i fundit për këtë periudhë të shkurtër kampi ishte ai me temë,“Liturgjia Hyjnore ”, me referues Hierodhjakon Asti Bakallbashi. Në këtë referat ai theksoi rëndësinë se si komuniteti i krishterë, i mbledhur së bashku si një trup i vetëm, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Perëndisë me anë të Krishtit, duke kujtuar dhe përjetuar gjithçka që Ai ka bërë për shpëtimin tonë. Krishti është rruga për në Mbretërinë e Perëndisë dhe kjo e vërtetë demonstrohet me procesionin e daljes së Ungjillit përqark Kishës dhe ofrimin e Trupit dhe Gjakut të Tij për Kishën. Adhurimi ynë në liturgji, me lutjen, falënderimin, leximet biblike arrin kulmin me blatimin e dhuratave tona dhe të vetvetes drejtuar Perëndisë. Ky adhurim personal dhe komunitar njëkohësisht, është edhe një banket festiv që Perëndia ka shtruar për ne, një ngrënie e shenjtë në kujtim të Jisu Krishtit. Ky banket kërkon edhe një përgatitje personale të gjithsecilit, për të përjetuar jetën me Zotin, për të vazhduar rrugën e nisur me Të që në momentin e Pagëzimit si edhe për ta dëshmuar Atë në jetën tonë edhe pas liturgjisë. E gjithë pra liturgjia është takimi ynë personal me Krishtin. Në fund ai theksoi se këtë takim me Krishtin, do të mund ta kuptojmë duke pasur ndër mend këto pyetje: A e duam Zotin? A jemi mirënjohës Zotit për çfarë Ai ka bërë për gjithsecilin? Përse të mos e shprehim këtë adhurim ndaj Tij?

    Nata e së shtunës u mbyll me programin e meditimit, shoqëruar me këngë të qeta e lutje të ndryshme drejtuar Perëndisë tonë të dashur, duke medituar për ato sa dëgjuan në temat e zhvilluara si edhe mbi pyetjen që iu drejtua të gjitha vajzave, me anë të një kartoline, të përgatitur enkas për to Kush do të ishte përgatitja juaj për të takuar Zotin e Ngjallur në ditën e Pashkës?

    Mëngjesi i së dielës na mblodhi në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari” në Tiranë, ku morëm pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe përjetuam nga afër takimin tonë me Krishtin. Pas liturgjisë, përpara largimit, në ambientet e Qendrës Rinore të Tiranës “Bethlehem”, vajzat kampiste hëngrën mëngjesin dhe shprehën falënderimet për këtë program kaq të dobishëm, Kryepiskopit Anastas, i cili mundësoi dhe mbështeti nga ana financiare këtë aktivitet, stafit drejtues të kampit, referuesve si edhe punonjësve të Qendrës Shpirtërore-Arsimore “Thavor”, të cilët u kujdesën për mikpritjen dhe mbarëvajtjen.

 

 

     Sonila Dedja