Me hirin e Perëndisë  dhe me përkujdesjen e Kryepeshkopit të Tiranës, Imzot Anastasit, në Manastirin e “Fjejtjes së Hylindëses Mari”, në Zvërnec të Vlorës, u zhvilluan kampingjet për djem në tre etapa të ndryshme.
 
    Kampi i parë filloi në datë 30 Qershor deri 9 Korrik 2012. Në këtë kamp morëm pjesë 90 fëmijë të moshës 10-12 vjeç nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Bashkë me stafin drejtues kampi në total kishte 115 persona. Këtë vit patëm bekimin që kampi u drejtua nga Hirësia e tij, + Episkop Nikolla Hyka. Programi i kampit ishte i mbushur plot me aktivitete të ndryshme shpirtërore, sociale e argëtuese. Në ditën e parë të kampit, të gjithë fëmijët zhvilluan një program të ndarë në 10 stacione, ku në çdo stacion atyre iu dhurua nga një mjet i nevojshëm për kampin. Diku një libër, diku një kryq, stilolaps etj. Programi në kamp fillonte me zgjimin dhe leximin e shkrimit të shenjte në dhomat e tyre dhe më pas me përgatitej për lutje. Mëngjesi dhe nisja për në plazh ku fëmijët me zi prisnin te laheshin në plazhin e mrekullueshëm. Kthimi ne kamp dhe vazhdimi i programeve sportive e gjallëronte me shume jetën e fëmijëve në kamp. Lojërat dhe kampionatet e zhvilluar nën frymën e të luajturit për tu kënaqur e argëtuar dhe jo për të fituar një çmim apo diçka tjetër. Lutja e mbrëmjes dhe më pas darka të cilën e prisnin me padurim, sepse pas saj vazhdonte një program argëtues e shpirtëror me këngë popullore, filma për fëmijë të dubluar në shqip nga Zyra e Katekizmit e Kishës sonë.

    Periudha e dytë e kampit “Rilindja” për djemtë u zhvillua këtë vit nga datat 12-22 korrik. Është bërë traditë që ky kamp të drejtohet nga pedagogët e Akademisë Theologjike, të cilët së bashku me studentët dhe bashkëpunëtorët e ndryshëm krijojnë një program shpirtëror dhe shoqëror. Ky kamp konsiderohet si një moment ku duhen ndërthurur momentet lutëse, pjesëmarrja në jetë litugjikale, studimi i Shkrimit të Shenjtë, diskutimet shpirtërore me argëtimin në lojëra të ndryshme sportive në kamp dhe në plazh, pastrim dhe mbrojtje ambienti si dhe shfaqja e filmave dhe dokumentarëve të ndryshëm me përmbajtje shpirtërore dhe shoqërore.  Në kamp morën pjesë 130 djem nga e gjithë Shqipëria. Bashkë me programin tradicional, momente të veçanta ishin edhe nata e zjarrit dhe minikoncerti që e zbukuroi kampin. Por momenti më i bukur ishte pagëzimi i 19 të rinjve, të cilët u bashkuan me Krishtin, duke u bërë edhe ata pjesë e gjallë e Kishës.