Këtë verë, përgjatë muajve Korrik – Shtator, Zyra e Fëmijëve e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, zhvilloi në tetë lagje të ndryshme të Tiranës, kampe katër ditorëshe për fëmijë 6-12 vjeç. Kryesisht këto kampe u ofruan në ato lagje të Tiranës, ku fëmijët vijnë nga familje me kushte të vështira ekonomike dhe ku mundësitë e këtyre aktiviteteve përgjatë vitit dhe sidomos përgjatë verës është tepër e paktë.
    Tema e këtyre kampeve ishte “Perëndia më krijoi me dashuri” dhe programi i këtyre kampeve përmbante diskutime në grupe të vogla rreth dashurisë së madhe të Perëndisë për çdo njërin nga ne dhe dashurinë dhe respektin që duhet të kemi ne për çdo njeri. Lojra, ngjyrosje, punëdore, këngë etj ishin pjesë e këtyre kampeve.
 
    Çdo pjesë e programit ishte e lidhur me temën qëndrore. Fëmijët kishin mundësinë që në pjesët në diskutimet në grup, t’u shpejgoheshin atyre jo vetëm nga ana verbale, por sa më shumë ishte e mundur nga ana vizuale. Vendet ku këto kampe u zhvilluan ishin në Selitë, Porcelan, Kodra e Priftit, Rrugica e Çamëve. Komuna e Parisit, Allijas, Laprakë dhe Uzina Dinamo. Numri i pjesëmarrësve ishte afërsisht 350 fëmijë. Numri i këtyre kampe në lagje të ndryshme, po vjen duke u zgjeruar nga viti në vit për arsyen e vetme se fëmijët kënaqen përgjatë këtyre ditëve por edhe duke konsideruar ftesat e prindërve nga lagje të ndryshme të Tiranës.
 
    Tashmë është bërë zakon që një pjesë e mirë e ditës së fundit, shpenzohet duke zhvilluar një mini-festival, ku prindërit e fëmijëve janë të pranishëm dhe ku fëmijët shfaqin para të gjithëve, të gjitha ato që mësojnë përgjatë kampit, të shprehura me fjalë, më këngë apo edhe me recitime.
    Dobishmëria e këtyre kampeve është se fëmijët edukohen dhe argëtohen nga një staf i përgatitur i kësaj zyre por edhe se përgjatë verës u ofrohen mundësira të tilla ku fëmijët vetë por edhe prindërit janë shumë të kënaqur. Çdo mëgjes, kur prindërit sillnin fëmijët e tyre në këto kampe, janë shprehur te drejtuesit e këtyre kampeve, me fjalë mjaft të mira rreth programit dhe nxënies së fëmijëve përgjatë kampit.
 
Ana Kërçyku