E Enjtja e Madhe e 12 Ungjijve


    E Enjtja e Madhe ftoi besimtarët të dëgjonin me vëmendje leximin e 12 Ungjijve, një ditë kjo e mbushur me ngjarje të mëdha dhe mesazhe të shumta. Në foto, ju ftojmë të shikoni momente nga kjo ditë në kishën “Ungjillëzimi” në Tiranë.
 
Të Mërkurën e Madhe, në misterin e Efqelisë
 
 
    Qindra pjesëmarrës, klerikë dhe besimtarë, morën pjesë të Mërkurën e Madhe, në Misterin e Efqelisë, një nga momentet më të spikatura të Javës së Madhe. Zgjidhja për plogështinë është pendimi, mendimi për të bërë ndryshim, për të pasur dëshirë për Perëndinë, për të kërkuar faljen nga mëkatet. Ky është mesazhi kryesor i kësaj dite, i përcjellë edhe nga Kryepiskopi Anastas, i cili iu bëri thirrje të pranishmëve të shkojnë drejt një pendimi personal dhe të jemi njerëz të pjekur dhe të përgjegjshëm.
 
    Ne nuk shpëtohemi sepse bëjmë vepra të mira, por sepse pranojmë Perëndinë dhe dashurinë e tij, të cilat na ndryshojnë dhe në bëjnë që të bëjmë vepra të mira, sikurse është shembulli i gruas mëkatare që kujtojmë të Mërkurën e Madhe, e cila frymëzon jetën tonë.
 
  Ditët e para të Javës së Madhe po përjetohen me lutje dhe meditim
 
    Çdo ditë e Javës së Madhe është një përjetim më vete dhe sigurisht, një nga shërbesat kryesore e ditëve të para të kësaj Jave është ajo e Dhëndrrit. Këto shërbesa në Tiranë kryesohen nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga  Episkopët ndihmës dhe klerikët e Kryepiskopatës së Shenjtë. Për besimtarët e shumtë përcillen mesazhe dhe këshilla shpirtërore, të lidhura me ditët e veçanta. 

    Në fund të shërbesës të Hënën e Madhe, kur përkujtohet patriarku Josif dhe temë e saj është edhe ajo e drurit të fikut, që nuk kishte fruta, por vetëm gjethe dhe për këtë u dënua me tharje. Kryepiskopi Anastas, duke komentuar Ungjillin e ditës, u ndal në dy tipare kryesore të jetës sonë siç janë plogështia dhe puna. Është e tmerrshme plogështia, sepse kthehet në shkak mëkati. Zgjidhja për plogështinë është pendimi, mendimi për të bërë ndryshim, për të pasur dëshirë për Perëndinë.
    Të Martën e Madhe e të shenjtë përkujtojmë paravolinë e dhjetë Virgjëreshave prej Ungjillit të Shenjtë. Më e madhja e të martave na sjell dhjetë virgjëreshat. Fitore i sjellin Kryezotit të paanshëm. Po, o Dhëndër Krisht, numërona me pesë virgjëreshat e urta, bashkona me grigjën tënde të zgjedhur dhe mëshirona. Amin!