Më 28 prill 2018

 

Fortlumturia Juaj,

vëllezër fort të dashur kryepiftërinj, etër fort të nderuar,

të dashur vëllezër dhe motra!

 

Krishti u ngjall!

 

   Dëshiroj të falënderoj Fortlumturinë Tuaj dhe Sinodin e Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për fjalët e mira përshëndetëse dhe për ftesën e përzemërt për të vizituar tokën shqiptare.

   Këtu, në vendin tuaj me trashëgiminë e tij të lashtë të krishterë, i cili zë fill nga veprimtaria e Apostullit të Shenjtë Pavli, në vendin ku martiri i shenjtë, episkopi i Durrësit Asti dhe shumë besnikë të tjerë të Perëndisë kryen veprat e tyre heroike, në vendin ku ka bërë përpjekjet e tij misionari i shquar orthodhoks Shën Kozmai i Etolisë, atmosfera e së kremtes së ndritshme të Ngjalljes së Zotit, Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krishtit përjetohet me një thellësi të veçantë. Edhe kjo Katedrale madhështore, ky simbol i dukshëm i ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është shenjtëruar si Katedralja e Ngjalljes së Krishtit.

   Triumfit të Ngjalljes i parapriu Golgota. Gjatë shekullit XX, të dyja Kishat tona kanë përjetuar një pervojë të vështirë të vuajtjeve në bashkim me vuajtjet e Krishtit: janë shkatërruar kisha, janë marrë nëpër këmbë vende të shenjta, ndërkohë që shumë klerikë, murgj dhe laikë pësuan vuajtje dhe një vdekje prej martiri për emrin e Zotit tonë Jisu Krishtit. Në këtë mënyrë armiku i shpëtimit tonë synonte të mbillte vdekje shpirtërore në popujt e udhëhequr nga Kishat tona, por, në kundërshtim me qëllimet e përndjekësve, ndodhi ringjallja e fesë, rikthimi në jetë, pasi gjaku i martirëve është fara e krishtërimit.

   Zoti na dërgoi mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij (Psalmi 56:4), dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e asgjësuar pothuajse plotësisht në të kaluarën, sot u ringrit me një lavdi të re, duke u konsoliduar falë veprës vetëmohuese të Primatit të saj, të Fortlumturisë së Tij Anastas.

   Kam mbërritur këtu me emocione të ndritshme. Unë e vlerësoj këtë mundësi të bashkëndaj me Ju gëzimin e Pashkës së Shenjtë, të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit të përbashkët (Rom. 1:12) dhe të përulem para vendeve të shenjta të tokës shqiptare. Shpresoj se me ndihmën e Zotit vizita ime paqësore të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kishave tona Orthodhokse Lokale vëllazërore.

 

   Христос Воскресе!