Dhoksologji për të pritur Patriarkun Kirill.

 

Pas pritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, Patriarku Kirill dhe delegacioni që e shoqëron, i përbërë nga, Mitropoliti i Volokolamskut, Hilarioni, Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Patriarkanës, Kryepiskopi (nënmitropolit) Sergei i Solnechnogorskut, Kryesekretar Administrativ i Patriarkanës së Moskës, Kryeprifti Nikolai Balashov, Kryeprifti Igor Iakimchuk, Kryeprifti Andrei Bondarenko, dhe atë Aleksander Volkov, iu drejtuan Kryeqytetit. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” ai u prit nga klerikë dhe besimtarë të shumtë jo vetëm nga Kryepiskopata, por edhe nga të gjitha Mitropolitë.

Më pas vijoi Shërbesa e Dhoksologjisë, në fund të së cilës Kryepiskopi Anastas përshëndeti Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin, ku ndër të tjera tha: “Me ndjenja dashurie vëllazërore, me gjithë shpirt dhe me nderim të thellë, Ju presim sot, Vëlla i Shenjtë, Patriark i Moskës dhe i gjithë Rusive, z. Kirill. Dhe, nga thellësia e zemrës, urojmë që, me ndërmjetimet dhe frymëzimin e Shën Kirillit, emrin e të cilit mbani, të vazhdoni kontributin Tuaj fetar me urtësinë e tij të nxitur prej Perëndisë dhe ëndrrat e tij të mëdha. Perëndia Triadik Ju dhuroftë vite të shumta dhe shëndet të fortë, me besim të zjarrtë aktiv dhe mentalitet Kryqngjallësor, që, i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, të udhëhiqni popullin besimtar rus në frytdhënie të vazhdueshme shpirtërore dhe të rrezatoni në epokën që jetojmë dritën e Kryqit dhe të Ngjalljes.”

Edhe Patriarku Kirill falënderoi Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasin, për fjalët dhe pritjen e ngrohtë.

Pas Dhoksologjisë Patriarku Kirill i shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas vizitoi Paraklisin “Lindja e Krishtit”, pjesë e Kompleksit të Katedrales.

Pas pritjes dhe Dhoksologjisë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Fortlumturia dhe Shenjtëria e Tij, Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusive, Kirilli, dhe delegacioni që e shoqëron u takuan në Selinë e Sinodit të Shenjtë me Kryepiskopin Anastas dhe gjithë anëtarët e Sinodit.

 

 

Dhoksologji për të pritur Patriarkun Kirill