Të gjithë e kanë parasysh përpjekjen mbi 20-vjeçare të Kryepiskopit Anastas për të ndërtuar kisha sa më funksionale dhe afër besimtarëve. Dhe jo vetëm në qendrat e qyteteve, por atje ku  janë besimtarët. Kjo është synuar edhe në Tiranë, me gjithë vështirësitë që paraqet kryeqyteti për gjetjen e shesheve të ndërtimit për këtë qëllim. Një komunitet i madh orthodhoks ka ekzistuar prej kohësh edhe në lagjen periferike të Kombinatit dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tij, në mungesë të një hapësire tjetër, u përdor oborri i kompleksit “Nazaret” për të ngritur kishën e tyre. Kjo kishë, duke qenë afër varrezave publike të Sharrës, do krijojë mundësi më të mira edhe për shërbesat përkujtimore për të fjeturit orthodhoksë.

    Kisha, që i kushtohet të Gjithë Shenjtorëve, është e stilit bazilikë me kupolë dhe portik nga tri anët. Lartësimi i kambanave bëhet me anën e një konstruksioni mural të drejtë, me tri dritare ku janë vendo-sur kambanat. Sipërfaqja e përgjithshme e saj është rreth 250 m2, me lartësi në kupolë 12.5 metra. Ikonostasi i gdhendur me dorë dhe ikonat janë realizuar nga mjeshtrit e punishteve përkatëse të kompleksit “Nazaret”.

    Kisha filloi nga funksionimi të Dielën e Gjithë Shenjtorëve, më 10 qershor, ditën kur feston, me Shërbesën e Hapjes së Dyerve dhe Liturgjinë e parë Hyjnore. Ato u kryen nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga Episkopi i Amantias, Hirësi Nathanaili dhe klerikë të tjerë. Në fjalën e tij Kryepiskopi theksoi rëndësinë e kësaj dite dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e saj. Ai u ndal gjithashtu në kuptimin e të kremtes dhe rëndësinë e dëshmisë së shenjtorëve të Kishës, e të gjithë atyre që u lutën e sakrifikuan për ruajtjen dhe përparimin e besimit.
 
    Kisha do të shërbejë rregullisht, dhe  çdo të diel e të kremte do të kryhet Liturgjia Hyjnore, si dhe të gjitha llojet e shërbesave.