– Apostulli – 1 Korinthianëve 10:12-22.

Prandaj ai që pandeh se qëndron, le të shohë se mos bjerë poshtë. Tjetër ngasje nuk ju ka ndodhur juve, përveçse ngasje njerëzore. Po Perëndia është besnik dhe nuk do t’ju lërë të ngiteni tej fuqisë suaj, po bashkë me ngasjen do t’ju tregojë rrugë shpëtimi, që të mund të duroni.

Prandaj, o të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria. Flas porsi në të mençur, gjykojeni ju atë që them. Kupa e bekimit që bekojmë, a nuk është pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që thyejmë, a nuk është pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Sepse ne të shumtët jemi një bukë, një trup; sepse të gjithë kemi pjesë nga e njëjta bukë. Shikoni Izraelin sipas mishit; ata që hanë flijimet, a nuk janë pjesëtarë të therores? Ç’them pra? Se idhulli është gjë? Apo se therori për idhullin është gjë? Jo, por se ato që bëjnë theror kombet, ua bëjnë theror demonëve, e jo Perëndisë; edhe s’dua që ju të bëheni pjesëtarë të demonëve. S’mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; nuk mund të jeni pjesëtarë të tryezës së Zotit dhe të tryezës së demonëve. Apo Zotin duam ta shtiem në zili? Mos jemi më të fortë se ai?