Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” në Gjirokastër, në këtë fillim viti kishtar e shkollor patën një surprizë të këndshme godinë të re dhe moderne. Ishte një kontribut i ri i Kryepiskopit për Komunitetin Orthodhoks të qytetit, në sektorin e edukimit të brezit të ri, që ka qenë gjithmonë përparësi e Fortlumturisë së Tij.
Duke i bërë sfidë edhe gjendjes së vështirë financiare që kalon rajoni dhe duke konkretizuar mesazhin e shpresës që Kisha përpiqet të mbajë gjallë në çfarëdo kushtesh dhe kohe, kjo shkollë u vendos në godinën e saj të përhershme. Bëhet fjalë për kompleksin shumë të bukur dhe në parametrat e një godine arsimore bashkëkohore, pranë katedrales së re të Ngjalljes së Zotit, që është në ndërtim. Materializohet kështu në mënyrën më të bukur edhe ideja e Kryepiskopit tonë Anastas për kontributin shumë të vyer të Kishës Orthodhokse në lëmin e arsimit, por edhe fakti që kudo katedralet tona nuk janë thjesht godina kulti, por shndërrohen në qendra të rëndësishme të kontributit social, shpërndajnë rreze paqtimi, përparimi shoqëror dhe veçanërisht dije dhe edukim.
Me vendosjen e shkollës në këtë godinë bëhet hapi më thelbësor për stabilizimin e ecurisë së kësaj shkolle, por edhe për ngritjen esenciale të nivelit të mësimit që ajo ofron. Kontributi është i dukshëm jo vetëm për vetë Komunitetin Orthodhoks, por për të gjithë shoqërinë, sepse shtimi i kapaciteteve për ambiente mësimi lehtëson njëherësh kushtet në ato publike ku vihet re mungesë hapësirash.
Godina arsimore në krah të katedrales është e ngritur nga the-melet dhe disponon salla të mjaftueshme mësimi jo vetëm për numrin aktual të klasave dhe nxënësve, por për perspektivën. Aktualisht shkolla ka arritur në klasën e pestë (ka filluar në vitin mësimor 2008-2009) dhe numri i nxënësve i kalon 140.