Festa e 6 gushtit, ose e Metamorfozës së Krishtit është një nga ngjarjet kryesore që kremtohet në Kishën tonë dhe si e tillë, me tërë madhështinë që i takon u kremtua edhe në Mitropolinë e Gjirokastrës. Pikërisht në kishën që mban emrin e kësaj dite të shënuar, e cila ndodhet në pjesën muzeale të qytetit, dhjetëra besimtarë të ardhur nga Gjirokastra dhe zonat përreth, ndoqën shërbesat e kryesuara nga Mitropoliti Dhimitër. Kisha përreth ishte e zbukuruar me motive kishtare, por edhe tradicionale gjirokastrite, duke krijuar ambjent të vërtetë festiv. Krishti shfaq lavdinë e Tij këtë të kremte, ndaj edhe festa merr një kuptim të thellë, sidomos në aspektin shpirtëror.
Predikimin e mbajti atë Jani Mërkuri, i cili theksoi se mesazhi i ditës është të shndërrohemi, jeta jonë të përbëjë një metamorfozë. “Të zhveshim njeriun e vjetër, e te veshim të riun, siç thotë edhe apostull Pavli. Të ndryshojmëm me anë të besimit, pendimit, pagëzimit, faljes” – theksoi atë Jani. Në fund të ceremonisë, besimtarët kënduan këngë të krishtera dhe morën pjesë në kokteilin e shtruar me rastin e festës.