E Diela e Pendikostisë, Shpirti i Shenjtë, Mbështetës në jetën tonë shpirtërore, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 12.06.2022 (Tekst)

 

“U mbushën të gjithë me Shpirt të Shenjtë” (v. 4)

Kisha jonë, sot, kremton ardhjen e Shpirtit të Tërëshenjtë, si përmbushje e premtimit që dha Zoti, para Ngjalljes, tek nxënësit e Tij, kur u tha: “është më mirë për ju të shkoj unë… që të dërgoj Ngushëllimtarin tek ju” Joani 16:7. Dhe tani premtimi bëhet realitet. Shpirti i së vërtetës, pra, zbret mbi nxënësit dhe apostujt e shenjtë, pesëdhjetë ditë nga Ngjallja e Krishtit, në formën e gjuhëve të zjarrta, në dhomën e sipërme ku ishin mbledhur Apostujt nga frika e judenjve.

Shpirti i Shenjtë i ndriçoi, i fuqizoi, i forcoi, që të marrin përsipër veprën e madhe të përhapjes së Ungjillit të Krishtit “në të gjithë krijesën” Marku 16:15. Apostujt e dobët në trup dhe në shpirt, duke u fuqizuar nga Shpirti i Shenjtë, arritën fitoren më të madhe të botës. Mposhtën të keqen, shthurjen, mashtrimin, dhe krijuan baza të reja, mbi të cilat u ndërtua bota e re, bota e krishterë. Apostull Joani, duke u gëzuar më Shpirtin e Shenjtë për suksesin e madh të Apostujve, mburret më Zotin: “kjo është fitorja që mundi botën, besimi ynë” I Joani 5:4. Përhapën mbretërinë e Krishtit, Kishën domethënë, e cila ndër shekuj zhvilloi një vepër kolosale shenjtëruese dhe qytetëruese.

I

Shumë shekuj kaluan që atëherë, dhe Shpirti i Shenjtë vazhdon të krijojë ndikime dhe shndërrime të mrekullueshme brenda çdo njeriu, që është pjesëtar i çmueshëm i trupit të Krishtit, që është Kisha, “shtylla dhe mbështetja e së vërtetës” I Tim. 3:5. Në qoftë se do të mungonte Kisha nga bota, do të mungonte shtylla kurrizore e njerëzimit. Heroizmi i shpirtit, virtyti dhe shenjtëria, idealet dhe dëshirat e mira, nuk do të kishin themel për t’u mbështetur, dhe që shumë herët do të ishin fshirë nga kupa qiellore e jetës sonë. Çdo gjë e bukur dhe e lartë që ekziston brenda dhe rreth nesh, lindi nga Shpirti i Shenjtë dhe vazhdon, që atëherë, në shoqëri, për hir të Shpirtit të Shenjtë.

Shën Grigor Teologu, me gjuhën e tij teologjike, ja si shprehet për Shpirtin e Shenjtë: «Shpirti i Shenjtë është ai që na krijoi, që na përtërin me pagëzimin dhe ngjalljen. Fryma është ajo që na jep dije për të gjitha, që na mëson, që “fryn kudo dhe aq sa do” Joani 3:8, që drejton, flet, dërgon, zbulon, ndriçon, jep jetë, madje vetë Ai është dritë dhe jetë. Është Ai që na tregon tempuj, na hyjnizon, na përsos, në mënyrë që edhe t’i paraprijë pagëzimit, por edhe të kërkohet pas pagëzimit. Vepron si Perëndi. Shpërndahet në gjuhëra të zjarrta, ndan dhuntitë, vendos apostuj, profetë, ungjillorë, barinj dhe mësues. Është mendor, i shumëanshëm, i saktë, i qartë, i papengueshëm, i panjollshëm. Kjo do të thotë, me fjalë të tjera, se është urtësia e lartë dhe mund të veprojë me shumë mënyra dhe i saktëson e i qartëson të gjitha. Dhe është i vetëpushtetshëm, i pandryshueshëm, i tërëfuqishëm, i mbikëqyr të gjitha dhe ndërhyn në të gjitha frymërat mendore.»

II

Njeriu, nga natyra e tij, është i vështirë. Shpirti i tij është mister, enigmë e vërtetë. Nga momenti në moment ndryshon dëshirat, ndjenjat. Nuk mund ta kuptosh çfarë kërkon apo çfarë mendon. Shpesh edhe ai vetë nuk e di çfarë kërkon. Mëkati, pastaj, është dinak. I shtrin tentakulat e tij me dinakëri. Bën punën e tij prishëse, pa u vënë re. Kështu, dalëngadalë krijohet brenda njeriut një botë shqetësuese dhe shpërthyese ku, ide, dëshira, prirje dhe synime, vazhdimisht përplasen njëra me tjetrën.

Kush do ta ndriçojë tani këtë shpirt? Kush do të mund të pastrojë ndjenjat, të ndajë të mirat nga mëkataret, të rrezikshmet nga të vërtetat dhe të dobishmet? Cila frymë do të shuajë flakën, që fillon të kërcënojë me zjarr lumturinë e njeriut? Toka nuk e ka këtë faktor shpëtues. Prandaj vjen qielli, vetë Perëndia, në personin e Shpirtit të Shenjtë. Dhe kështu fillon gradualisht një ndikim mistik dhe ndryshues. Një dritë e panjohur deri dje, zbulon tashmë, brenda nesh, kinda mistike, që nuk i shikonim më parë. Zgjohet shpirti nga gjumi. Konstaton rrezikun që e kërcënon. Kryengritje bëhet tashmë brenda qenies së tij. Ndjenja të reja, synime të reja. Kështu, Fryma e Perëndisë, parapërgatit terrenin për tu krijuar në vazhdim shpëtimi.

Nëse mëkati e drejton shpirtin në vdekje, atëherë, pendimi dhe rikthimi është një ngjallje e vërtetë prej vdekjes. Vepër e vështirë, sigurisht, kjo ngjallje. Për vite të tëra shpirti u brumos me mëkatin dhe me të keqen. Përvetësoi zakone dhe prirje. Si të shkëputet tani menjëherë?

Por Fryma e Perëndisë, i njeh mënyrat. Ndonjëherë përparon butë. Krijon në fillim raste zgjimi shpirtëror. Kështu, i drejton hapat e njeriut në kishë, në pendim, në shoqërinë fetare, në ambientin e virtytit. Atëherë Shpirti i Shenjtë i flet njeriut “si një fllad i hollë, qetësisht dhe pa tronditje”. Por kur shpirti nuk zgjohet me mënyrën e butë, atëherë përdor “oshtimën e një ere që fryn me furi” Vep. 2:2; që vjen qoftë si sëmundje e dhimbshme, vdekje e hidhur, përmbytje ekonomike, apo si një peripeci tronditëse familjare.

Po, vëllai im, të ashpra janë ato momente. Por, të nevojshme dhe shpëtuese. Kur shpirti është i vdekur, vetëm kështu mund të ngjallet. Me një tërmet të brendshëm. Me një erë që fryn me furi. E di mirë, Fryma e Perëndisë, mënyrën dhe momentin e përshtatshëm të ndërhyrjes. Dhe atëherë kërcen prej varreve të shpirtit, jeta; prej errësirës, drita; prej zjarrit, vesa e virtytit. E mbushur është historia e Kishës sonë nga shpirtra të tillë që arritën në lartësitë e shenjtërisë, megjithëse dikur i shtypte pllaka e rëndë e vdekjes morale.

* * *

Shpirti, tashmë, i ngjallur, ecën në rrugën e jetës. Por e kaluara ka lënë brenda shpirtit shumë rrënjë të së ligës, kujtime të hidhura, gjurmë të gjalla të mëkatit. Nuk largohen këto menjëherë. Ngasjet rreth nesh, më pas, luftojnë bashkë me të kaluarën dhe e bëjnë akoma më të vështirë ecurinë. Dhe nëse tani u shtohet atyre edhe ndonjë vështirësi e jetës së krishterë, e cila, sidomos në fillim, duket gjithmonë jetë sakrificash dhe mundimesh, atëherë kupton secilido prej nesh, me sa vështirësi përparon shpirti i penduar në jetën e re. Nëse nuk do të gjendet ndonjë aleat apo mbështetës, ekziston rreziku i rikthimit në baltërat e vjetra të mëkatit. Në këtë moment kritik vjen Fryma e Perëndisë. “Me anën e Shpirtit të Shenjtë, çdo shpirt merr jetë”, psal Kisha jonë. Fryn atëherë brenda shpirtit të njeriut një fuqi e re, e cila mbështet hapat dhe stabilizon jetën e re. Vullneti bëhet i çeliktë. Ndërgjegjja qetësohet.

* * *

 

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Bashkë me përgjunjen dhe uratat e shërbesës së mbrëmësores, le të gjunjëzohemi në këtë moment me përgjërim dhe le t’i themi Zotit: “O Zot, mos e hiq prej meje Shpirtin tënd të Shenjtë. Shpirti ynë ka etje për gëzimin, qetësinë, dritën. Mëkati, e shtrëngon qenien tonë, djalli kërcënon shpëtimin tonë. Pasionet ziejnë brenda nesh. Loti rrjedh pa pushim nga sytë tanë. Furtuna trondit varkën tonë. Dërgo Shpirtin Tënd të Shenjtë, brenda nesh, të pushojë furtunën, të thyejë kurthet, të vendosë pushtetin e virtytit, të vadisë shpirtin tonë të thatë, me lëngjet e Parajsës”. Amin.