U zhvillua konferenca rinore:

“Të bëhemi nxënës të Krishtit – Peshkatarë njerëzish”

 

Në datën 28 maj, me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit edhe Gjithë Shqipërisë Anastasi u zhvillua Konferenca Rinore me pjesëmarrjen e grupeve rinore nga Mitropolitë e vendit në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë me temë: “Të bëhemi nxënës të Krishtit – peshkatarë njerëzish”. Kjo konferencë përkon edhe me vitin jubile, 30-vjetorin e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga gërmadhat nën udhëheqjen  dhe drejtimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit edhe Gjithë Shqipërisë Fortlumturisë së Tij, Anastasi.

Morën pjesë rreth 110 të rinj dhe koordinatorë nga Kryepiskopata dhe mitropolitë.

Programi nisi me Shërbesën e Mëngjesores në Katedrale, më pas u krye regjistrimin i pjesëmarrësve.

Në vazhdim, në sallën e Qendrës, atë Grigori uroi mirëseardhjen dhe ftoi folësin e parë, atë Emanuel Lushën, i cili përmblodhi historinë e Krishterimit në trojet tona, duke nisur që nga shek. I pas Krishtit, por duke u përqendruar kryesisht në ringritjen kanonike të Kishës sonë 30 vitet e fundit. Ai theksoi se në këto 3 dekada është kryer një vepër ndërtimore sa në shumë shekuj.

Pastaj, të rinjtë ndoqën një dokumentar të shkurtër të veprës hierapostolike të Kryepiskopit Anastas, ku paraqiteshin në formë vizuale të gjitha sa përmendi me fjalë atë Emanueli.

Konferenca vijoi me prezantimet e Kolegjit Universitar “Logos” dhe të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” nga dr. Thoma Shkira, z. Klajdi Dervishi; si dhe të Shkollës së Muzikës Bizantine “Shën Joan Kukuzeli” nga protopsalti i Kryepiskopatës, z. Theodhor Peci, i cili është edhe drejtori i shkollës.

Veçantia e këtij aktiviteti ishte prania dhe fjala e Kryepiskopit Anastas. Me gëzim, ai u foli të rinj-ve për ndikimin e thellë të rinisë në jetën dhe organizimin e kishës përgjatë viteve, duke iu referuar dhe përvojave personale në rini, por edhe pas ardhjes në vendin tonë si Ekzark Patriarkal dhe më pas si Kryepiskop. Ndër të tjera, duke folur për rëndësinë e jetës shpirtërore të të rinjve ai tha ndër të tjera se:

“…Dua ta përmbledh propozimin tim me një frazë: Mos u pajtoni me rënien shpirtërore. Ka një rënie shpirtërore e përhapur. Jeta jonë është shume e vyer, e paktë nga vitet e saj dhe nuk mund ta ndotim. Duhet që të bëjmë gjithçka në dritën e Ungjillit. Gjërat e tjera janë të rëndësishme , por nuk duhet të pajtohemi me këtë rënie. Në vendi tonë është shumë e vyer puna me katekizmin, mësimet fetare….

…Nga frazat që shpjegojnë se cili është realiteti i epërm hyjnor, çfarë është Perëndia, nuk kam gjetur më frazë përmbledhëse, më të guximshme, më aktuale dhe do të thosha më revolucionare, se ajo që na thotë Shën Joan Ungjillori: “Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashurinë qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron tek ai”. Dhe ajo që ngul këmbë është se dashuria ka fjalën përfundimtare. Në këtë varg nuk ka përshkrim vetëm çfarë është Perëndia, realiteti i epërm hyjnor, por është edhe përkufizimi i rrugës se si komunikon dikush me këtë realitet të epërm. Dhe ky realitet përcaktohet me anë të foljes “qëndron” – “Ai që qëndron në dashurinë qëndron në Perëndinë”. Nuk janë ndriçimet e mëdha intelektuale që na çojën tek Perëndia, por është pikërisht të qëndrosh tek Ai, të qëndrosh në dashurinë. Mendoj se kjo na jep një fuqi dhe një liri që është aq e madhe sa nuk mund të konceptohet, është baza e jetës sonë. Mund të ketë edhe zgjidhje të tjera që mund të ofrohen, por për ne që jemi besimtarë të krishterë, kjo është zgjedhja që duhet të bëjmë, kjo është siguria jonë, që na jep forcë, ky është gëzimi ynë. Kjo është edhe e fshehta pse ne jemi kreativë dhe krijojmë vazhdimisht, kjo është e fshehta dhe e fuqisë sonë rezistuese. Kjo është gjëja më e vyer që mund të jetojmë dhe mund t’ia ofrojmë edhe njerëzve të tjerë. E thënë thjesht,  kjo është bukuria që ka jeta e krishterë. Nuk duam ta imponojmë këtë me zor tek dikush tjetër por kemi të drejtën dhe aftësinë që ta shijojmë dhe ta japim edhe tek të tjerët. Pikërisht kjo është jeta jonë adhuruese, që të shprehim dashurinë tonë… Kam qen edhe unë në moshën tuaj dhe uroj që edhe ju të vini në moshën time, por do shikoni se me të vërtetë dashuria ka fjalën e fundit dhe do thotë gjithmonë fjalën e fundit..”

Pas këtij frymëzimi dhe ushqimi shpirtëror të rinjtë drekuan së bashku dhe kënduan mjaft këngë kishtare e himne, të cilat krijuan një atmosferë mjaft festive.

Aktiviteti përmbyllës i kësaj konference u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar, ku të rinjtë, të ndarë në grupe, vizituan pavijone të ndryshme të tij.

 

Stilian Sarigianis

 


 

Foto Album:

 

U zhvillua konferenca rinore 2022