Përvjetori I 8-Të I Shenjtërimit Të Katedrales “Ngjallja E Krishtit”, Tiranë.
Sot, më 1 qershor 2022, u mbushen 8 vjet nga shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Një përvjetor me domethënie të shumëfishta dhe gjithmonë aktuale. Është rikthimi në qendër të kryeqytetit i “syrit” shpirtëror orthodhoks, nga ishte shkulur me përdhunë nga regjimi ateist.
Kjo ditë është afirmimi përfundimtar dhe më i qartë i rikthimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale në gjirin e Kishës Orthodhokse të përbotshme, si e barabartë mes të barabartëve. Këtë e dëshmoi pa ekuivok pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore, të 1 qershorit 2014, e të gjitha Kishave Orthodhokse. Shërbesat u kryesuan nga Patriarku Ekumenik, Vartholomeu, në bashkëmeshim me Fortlumturitë e Tyre, Patriarkun e Jerusalemit, Theofilin; të Serbisë, Irineun; të Rumanisë, Danielin; Kryepiskopin e Qipros, Krisostomin; të Athinës Jeronimin, Kryepiskopin e Tiranës, Anastasin; Kryepiskopin e Varshavës, Savën. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve të Aleksandrisë, Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë. Gjatë saj, Patriarku Ekumenik do të afirmonte se: “Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri… Për ata që nuk besojnë në Jisu Krishtin, ngjallja duket si mit. Por ne kemi përvojën e Ngjalljes, e cila është edhe realiteti, dhe përvoja jonë biomatike. Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes, përbën sot një dëshmi se Ngjallja është realiteti, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet“.
Kjo ngjarje është dëshmi e gjallë e arritjeve të jashtëzakonshme të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale në këto vite ngjalljeje të mrekullueshme dhe të paprecedent nga gërmadhat, që i dedikohet veprës së jashtëzakonshme dhe perëndindriçuar të Fortlumturisë së Tij, Anastasit.
Kompleksi i Katedrales është një vepër madhështore arkitektonike dhe artistike. Kujtojmë këtu mozaikun gjigant të Pantokratorit, afreskun e absidës, afresket e paraklisit “Ngjallja e Krishtit”, afresket në realizim të hapësirës qendrore, kambanaren madhështore etj., apo hapësirat e mrekullueshme të Kompleksit të Katedrales, si salla e madhe e shfaqjeve, e cila është bërë një zgjedhje ndër zgjedhjet e preferuara për veprimtaritë artistike dhe jo vetëm të kryeqytetit, Qendra Sinodike etj. Kompleksi është bërë edhe një nga pikat e përhershme ku ndalen turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Për të kujtuar këtë ditë historike, në 1 qershor 2022, në të kremten e Mbylljes së Pashkës, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit u krye Liturgjia Hyjnore panegjerike. Ajo u krye nga Kryepiskopi Anastas; Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni; Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti. Bashkëmeshuan edhe klerikë të Kryepiskopatës dhe nga Mitropolitë. Në mbyllje, u lexua fjalimi i Kryepiskopit, i mbajtur para 8 vitesh, me rastin e kësaj ngjarjeje të madhe.
Foto Album: