E Diela e të Verbrit, nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, H. Nikolla, 29.05.2022 (Tekst)

 

“Ne mund të përdorim  çdo fatkeqësi të jetës sonë për Lavdi të Perëndisë”

 

    Edhe pak ditë dhe mbyllim periudhën Ngjallësore të Pashkës. Ditën e mërkurë kemi mbylljen e festës së Pashkës dhe të enjten kemi festimin e Ngjitjes së Zotit  në Qiell. Në këto ditë le të vazhdojmë të përshëndesim njëri-tjetrin me fjalët “Krishti u Ngjall”.

    Në këtë periudhë të gëzueshme të Pashkës, pak ditë më parë ne dëgjuam, të dashur besimtarë, për një ngjarje tragjike që ndodhi në Teksas të Amerikës. Besoj që jeni në dijeni për atë ngjarje, ku një i ri 18-vjeçar u fut në një shkollë fillore dhe atje vrau 19 fëmijë dhe 2 mësues. Një ngjarje  e  cila me të vërtetë, jo vetëm trishtoji vendin, qytetin e Teksasit të Amerikës, por të gjithë ne. Në ngjarje të tilla kushdo nga ne mund të pyes: A munden të tilla ngjarje kaq të dhimbshme të përdoren për vepra të mira të Perëndisë? A mund të përdoren që të shfaqet më pas lavdia e Perëndisë? Sigurisht që po.

    Pjesa e ungjillit të sotëm që dëgjuam i referohet pikërisht një ngjarje të dhimbshme. I referohet një të verbëri, i cili ishte lindur i verbër edhe brenda kësaj vështirësie, këtij personi, Zoti shfaq veprën e Tij, shfaq lavdinë e Tij. Kur apostujt e pyetën Zotin që pse ai i verbër kishte lindur i tillë, dhe i thonë ndoshta ka mëkatuar ai, ndoshta ka mëkatuar prindërit e tij që ai është lindur i verbër. Zoti thotë, që as ai, as prindërit e tij nuk kanë mëkatuar. Patjetër që në konceptin judaik, edhe në konceptin tonë është e lidhur që çdogjë e trishtë apo e vështirë, e mërzitshme, tragjike që ndodh  në jetën tonë shpesh herë ne e lidhim drejtpërdrejtë me mëkatin. Sigurisht, rrënja e parë dhe shkaktari i parë i gjithë pasojave që vuajmë në jetën tonë  është largimi ynë nga Perëndia. Kjo është rrënja e gjithë së keqes që ne vuajmë në jetën tonë.

    Por, jo drejtpërdrejtë çdo gjë që ndodh në jetën tonë lidhet me mëkatin tonë apo të prindërve tanë. Dhe Zoti u thotë apostujve: “Nuk ka mëkatuar as ai dhe as prindërit e tij, por që të shfaqet në të lavdia e Perëndisë”. Dhe Zoti e shëron, i jep dritën atij të verbërit të lindur, dhe kush ishte vepra e madhe e Perëndisë? Vepra e madhe e Perëndisë nuk ishte thjesht që ai mori dritën e syve, nuk ishte dëgjuar më parë në historinë e njerëzimit që një i verbër i lindur të shërohej dhe nuk është dëgjuar asnjëherë më tej gjatë kësaj ngjarje që një i verbër i lindur të marë dritën e syve. Nuk besoj se është dikush këtu që ka dëgjuar që të bëhet një mrekulli e tillë.

    Nuk kemi dëgjuar asnjëherë dhe këtë e bënë Zoti dhe e bënë Zoti jo thjesht për ti dhënë atij dritën e syve, por për të treguar që, Ai është Perëndia i Vërtetë, Perëndia i Vetëm i Vërtetë dhe që ai të besonte tek Krishti. Dhe ashtu ndodhi vërtetë, ai beson në Krishtin dhe jo vetëm ai, por të besojnë dhe gjithë izraelitët që panë një mrekulli të tillë, dhe jo vetëm izraelitët, por për të besuar gjithë njerëzimi në vazhdimësi, sa herë njerëzimi do të dëgjonte një mrekulli të tillë, sa herë që ne do dëgjojmë për një mrekulli të tillë do të them,i po Ai është Perëndia i Vetëm dhe i Vërtetë. Nuk ka mundësi që një Perëndi tjetër të egzistojë, por Ai është i Vetmi dhe na u shfaq ne dhe na tregon në formë të tillë që Ai është Perëndia i Vetmi i Vërtetë me një mrekulli që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njerëzimit, dhe nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, asnjë person tjetër, por vetëm nga Mesia nga Shpëtimtari ynë Jisu Krisht.

   Kjo ishte vepra e madhe e Perëndisë, e përdori fatkeqësinë e të verbërit, e përdori Zoti për të treguar veprën e fuqishme të Tij tek ai, e të gjithë izraelitët, e të gjithë ne më pas. Edhe nëpërmjet asaj ngjarje tragjike që dëgjuam pak më parë, e për çdo vështirësi tjetër që ndodh në jetën tonë ne mund ta kthejmë atë si një vepër të Perëndisë, që të shfaqet puna e Perëndisë, që të shfaqet lavdia e Perëndisë tek ne.

    Do të ishte krejt ndryshe historia nëse ai djalosh 18-vjeçar do të ishte rritur në frymën e besimit, asnjëherë nëse do të ishte rritur në një frymë të tillë nuk do ti shkonte në mendje të bënte një veprim të tillë, sepse do dinte ashtu siç e dimë edhe ne sa e shtrenjtë është jeta e një personi. Akoma më tepër sa të shtrenjtë janë fëmijët, që janë si ëngjëj të pafajshëm. Kurrë nuk do ti shkonte në mendje nëse do ishte rritur me frymën e besimit. Nuk do të ndodhte një ngjarje e tillë nëse do të ishte rritur brenda një familje të besimit, por një familje të vështirë që dëgjojmë, nëna e tij me probleme, prindërit të divorcuar, i rritur  nga gjyshja e tij me vështirësitë e saj. Ai nuk kishte jetuar asnjë  lloj vlere të besimit, të dashurisë, të ngrohtësisë familjare, të dashurisë njerëzore. Nuk e kishte ndjerë brenda familjes një frymë të tillë. Nuk do të kishte ndodhur një ngjarje e tillë nëse e gjithë shoqëria e tij e ngushtë dhe shoqëria më e gjerë në të cilën ai jetonte do ta kishte mbështjellë atë me ngrotësi, dashuri dhe besim, duke e ndihmuar në vështirësitë e tij. Por, shumë nga shokët e tij e kishin bullizuar atë dhe shoqëria nuk e kishte ndihmuar ta kalonte këtë vështirësi.

    Edhe ndodhi, ajo që ndodhi, por ajo që ndodhi duhet të na bëhet mësim ne të gjithëve, sa me vlerë është që ne të rrisim shëndetshëm fëmijët tanë, sa me vlerë ëshhtë që ne të rrisim fëmijët me dhuratat e besimit, sa e rëndësishme është që ne të ndihmojmë njerëzit që jetojnë në familje të vështira.

Ja pra mësimi që ne mund të bëjmë  dhe si mund ta përdorim këtë fatkeqësi që ne mund të mësojmë të gjithë që duhet të jemi shumë të kujdesshëm me fëmijët tanë, me fëmijët e shoqërisë sonë, që të mund t’i rrisim ata të shëndetshëm në besim. Dhe nëse do të kemi një vlerë të tillë tek ata, patjetër që do të kemi të sigurt që jeta e tyre dhe shoqëria jonë do të eci në një udhë të drejtë, të shëndetshme.

    Të dashur besimtarë, sado të trishta dhe të vështira të jenë ngjarjet në jetën tonë, në jetën tonë personale, familjare apo të shoqërisë le të përpiqemi në të tilla vështirësi të japim dhe të mësojmë mësimin që duhet të marrim. Le t’i përdorim ato për vepra të mira të Perëndisë, le t’i përdorim që nëpërmjet tyre të shfaqet lavdia e Perëndisë. Amin!