E Diela e të Paralizuarit, të mbushur me vepra të mira, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 15.05.2022 (Tekst)
“I dolën përpara gjithë gratë e veja duke qarë e duke treguar tunikat e rrobat, të cilat i bënte Sorkadhja, kur ishte bashkë me to” (v. 39)
Është prekës tregimi i Apostullit të sotëm. Është një himn përkundrejt dashurisë dhe një vlerësim i njerëzve të dashurisë. Jetonte një grua në Jopë, përmend pjesa e Apostullit të sotëm, e cila quhej Tavithá. Ajo grua ishte personifikimi i dashurisë dhe i mirësisë. Gjatë gjithë jetës së saj, punonte, qepte dhe jepte. Nuk linte të ve dhe jetim, të varfër dhe të sëmurë, pa ndihmuar. E kishte mbushur Jopën, ku jetonte, me vepra të mira. Por një ditë u sëmur. Dhe pas pak vdiq. Vaj dhe të qarë në qytet.
Rastisi, atëherë, të ishte në Lidhë, apostull Pjetri. E mësuan këtë gjë banorët e Jopës dhe dërguan përfaqësues, duke iu lutur Apostullit, të vijë në qytetin e tyre, për ta ngjallur. Apostulli, shkoi. U ngjit në dhomën e sipërme, ku gjendej e vdekura. Mallëngjehet, falet, lut Perëndinë me dhimbje në shpirt dhe me një urdhër ndaj të vdekurës, “Tavithá ngrihu”, e ngjall, e risjell në jetë dhe ua dorëzon të gjallë, të vejave dhe jetimëve, për të vazhduar veprat e saj të pëlqyeshme nga Perëndia, veprat e dashurisë dhe filantropisë së madhe. Për këtë dashuri praktike, është e nevojshme të shënohen disa mendime.
* * *
Është theksuar në mënyrë të përsëritur, se bota nuk dëgjoi mësimdhënie më të lartë nga ajo e krishterë. Idetë më të ndritshme dhe më të shenjta, u shpallën nga feja e Kryqit. Por, atje ku është realisht i pakrahasueshëm krishtërimi, gjendet kuptimi i dashurisë. Askush nuk mundi ta kapë në një thellësi dhe shtrirje të këtillë, sa ai. Prandaj dhe emërtimi i tij më kryesor është; feja e dashurisë. Si Zoti, i Cili shpalli “porosinë e re”, “doni njëri-tjetrin”, ashtu edhe më pas Apostujt e Tij dhe Etërit e Kishës, e lartësuan dashurinë si simbolin më të shenjtë dhe më të fuqishëm të Krishtërimit. Dhe, askush tjetër, ndër shekuj, nuk arriti ta himnizojë më mirë atë dashuri, nga apostull Pavli, i cili, në kapitullin e 13 të Letrës së Parë drejtuar Korinthianëve, e paraqet si karakteristikën më kryesore të Krishtërimit. Kështu, në një moment shpërthimi, shkruan ato fjalë të pavdekshme: “Dashuria të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron. Dashuria kurrë nuk bie poshtë” (v. 7).
* * *
Por, Kisha e vjetër nuk u kufizua në ushtrimin individual të veprave të dashurisë, por krijoi një organizatë madhështore të mbrojtjes shoqërore. Nëse sot flitet për kujdes shoqëror, nga shteti, ideja dhe zbatimi i saj është ofresë e Kishës. Mbrojtja shoqërore e Kishës, vazhdohet në kohën e Bizantit. Me burimet ekonomike, me disiplinën e punonjësve, në veprën shoqërore të Kishës, me maturi, me drejtësi, Barinjtë e Kishës, morën përsipër një vepër gjigante dhe të pashembullt bamirësie dhe filantropie, me institucionet bamirëse, për kujdesin dhe lehtësimin e nevojtarëve dhe të vuajturve.
Episkopët, sipas dëshmisë së “Urdhërimeve Apostolike”, u jepnin “jetimëve, pa kursyer aspak, mëshirë dhe lëmoshë, të huajve strehë, të uriturve bukë, të eturve pije, të zhveshurve rroba, të sëmurëve vizita, të burgosurve ndihma” (Migne 1:802). Oshënar Isidor Pilusioti, theksonte se vepra e episkopëve është “tu japin ushqime të uriturve, pije të eturve, veshje të zhveshurve, mbrojtje të padrejtësuarve, kujdes jetimëve dhe të vuajturve, ndihma të vejave, ilaçe të sëmurëve, lirimin me shpërblimin e dënimit të të burgosurve”.
Dhe sot nuk mungon ofresa shoqërore e Kishës, me institucionet e shumëllojshme filantropike, nën frymëzimin e ndriçuar, kujdesin dhe donacionet e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili ndjek me përpikmëri këtë linjë apostolike dhe, ndër shekuj, historike, të Kishës së shenjtë Orthodhokse.
* * *
Shembulli i nxënëses së Krishtit, në Jopë, nuk është vetëm fryma dhe vepra e barinjve, por edhe e të udhëhequrve, të çdo besimtari të krishterë, të çdo lloj gjendjeje shoqërore dhe mundësie ekonomike që ka. Tavithája e shenjtë, që Apostulli e karakterizon se ishte “e mbushur me vepra të mira”, nuk ishte e pasur. Ishte e varfër. Por, punëtore, kursimtare, bamirëse. U tregua pemë me fryte të shumta. Veprat e shumta të bamirësisë dhe dashurisë së saj, na tregojnë edhe ne detyrën e krishterë. Shfaqin, veçanërisht, çfarë misioni shoqëror ka sot gruaja e krishterë, e cilësdo prejardhjeje qoftë.
Dashuria e pasuesve besnikë të Krishtit, duhet të jetë gjithmonë e flaktë dhe e nxehtë. I krishteri i mirë duhet të lehtësojë çdo të afërm, të varfër e të munduar. Jetimët, të vejat, pleqtë, të braktisurit, të sëmurët, nevojtarët dhe të vuajturit, do të ekzistojnë gjithmonë, sado të përmirësohen kushtet e jetës. Sepse dhimbja dhe sprovat e jetës, janë pasoja pikëlluese të mëkatit dhe rebelimit të njeriut. “Paga e mëkatit është vdekje” (Rom. 6:23), thotë apostull Pavli. Pra, për sa kohë do të ekzistojnë njerëz në planetin tonë, do të jenë të domosdoshëm edhe bamirësit, të cilët, me dashurinë dhe vetësakrifikimin e tyre, do të lehtësojnë fatkeqësinë e të tjerëve, “duke qenë të parët në punë të mira” (Tit. 3:14).
Më e përshtatshme për këto vepra të mira filantropie, është gruaja e krishterë, e cila, si një Tavithá tjetër, do të japë kudo, me shpirtin e saj të ndjeshëm, prezencën e saj bamirëse. Së pari, brenda familjes së saj, si një zonjë shtëpie e lumtur, e më pas jashtë saj. Lavdi Perëndisë, ekzistojnë edhe sot nxënëse të Krishtit, “të mbushura me vepra të mira” dhe bamirësi. Vrapojnë në klinika, në spitale dhe në azilet e dhimbjes! Vizitojnë bodrumet dhe kasollet e lagjeve. Kujtohen për pleqtë, të burgosurit, të sëmurët, vajtuesit. Ofrojnë tek ata që kanë nevojë, “tunika e rroba”, ushqime tek familjet me shumë fëmijë, ilaçe tek të sëmurët. Madje shumë herë, ofrojnë edhe nga privimet e tyre. Dhe kjo ka një vlerë të madhe. Libri i Krishtërimit, është i mbushur me faqe të arta bamirësie dhe dashurie. Le të kujtojmë vetëm dhiakoneshën Olimbiadha, Vasilin e Madh, Joan Përdëllimtarin.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Përse vështirësohemi, pra? Ato që japim tek të varfrit, nuk i humbasim. I fitojmë. I japim me kamatë. Dhe, “me të tepërt” do t’i marrim, ato që japim në lëmoshë. Të varfrit dhe të mjerët, janë bankat më të sigurta. Nuk falimentojnë, sepse është garantues Perëndia i gjithëfuqishëm. Nuk ekziston frikë vjedhjeje dhe bastisjeje, sepse transferohen në Qiell. Le të japim, pra. Le të japim sipas mundësisë. Le të japim me gëzim. Le të japim në emër të Krishtit tonë. Dhe do të marrim. Në vend të lëndoreve, shpirtëroret. Në vend të të përkohshmeve, të përjetshmet. Në vend të të mbidheshmeve, qielloret. Patjetër, do të marrim si shpagim, si shpërblim dhe si çmim, Mbretërinë e pavdekshme të Perëndisë, pjesëtarë të së Cilës, dhëntë Zoti njeridashës të na denjësojë të gjithëve ne. U bëftë!