Me bekimin dhe mbështetjen e Fortlumturisë së Tij, Kyrepiskopit Anastas, kopshtet e Kishës po funksionojnë mjaft mirë edhe për vitin shkollor 2011 – 2012. Regjistrimet e bera në shtator sollën në to fëmijë të moshave 3-5 vjeç, duke shënuar edhe këtë vit një numër të lartë kërkesash për frekuentim. Ndër qytetet me numrin më të madh të fëmijëve të regjistruar u renditën Lushnja me 80 fëmijë, Durrësi dhe Korça me 65 dhe Shkodra me 55. Këtu veçojmë vitin e tretë të punës në një kopsht të ri si ai i qytetit të Cërrikut, i cili ka 36 fëmijë të regjistruar. Në total, në Kryepiskopatën e Tiranës dhe Mitropolitë e Beratit dhe Korçës janë 540 fëmijësh në 11 kopshte. Në kopshtin e kryeqytetit u vazhdua sipas kërkesave e nevojave të prindërve me dy sisteme, me dhe pa drekë. Gjithashtu edhe në Mitropolinë e Gjirokastrës këtë vit ka një numër të lartë fëmijësh që frekuentojnë kopshtet e Sarandës, Gjirokastrës, Dervicianit dhe Përmetit. Familjet e fëmijëve, pa dallim besimi, gjetën pranë përkujdesjeve ditore mjedise cilësore, një shërbim të kulturuar, staf të kualifikuar dhe kujdes të kualifikuar shëndetësor. Programi mësimor i zbatuar në këto përkujdesje, tekstet e përdorura dhe larmia e bazës materiale për realizimin e orës së mësimit bëjnë që çdo vit këto struktura të realizojnë më së miri detyrën e tyre fisnike në hedhjen e hapave të parë të edukimit tek brezi i ri. Të gjitha përkujdesjet përgatisin fëmijët në 3 nivele, sipas grupmoshave, me një numër optimal fëmijësh në klasa, ashtu siç kërkojnë rekomandimet e MASH. Duhet të theksohet frekuentimi i lartë nga fëmijët parashkollorë, 230 të pranishëm në këtë vit, ndonëse ky kontigjent është përthithur edhe nga klasa të veçanta parashkollore pranë shkollave 9–vjeçare.
Angazhimi i përditshëm vlerësohet me falenderimet e shprehura nga prindërit për mjediset, përgatitjen, kujdesin dhe edukatën që fëmijët e tyre marrin pranë Përkujdesjeve Ditore të Kishës.
Joana Cenko