Misteret – Shenja të dukshme të Hirit Hyjnor.
Fjala Mister vjen nga greqishtja “mystirion”, që është forma e përbërë e foljes “myo”, që do të thotë të mbyllësh sytë, me qëllim që t’i mbrosh ato nga një vizion i jashtëzakonshëm i Hyjnisë apo nga ngjarje të tjera të mbinatyrshme.
Në ritualin orthodhoks ato përbëjnë një numër ceremonish, të themeluara nga Krishti – disa prej tyre drejtpërdrejtë si Pagëzimi dhe Kungimi dhe të tjerat indirekt, nëpërmjet Apostujve, të cilët i themeluan në bazë të fjalëve dhe veprave të Mësuesit të tyre dhe nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë. Këto ceremoni janë të nevojshme dhe janë gjithashtu shenja të prekshme të Hirit Hyjnor, i cili vepron në mënyrë të padukshme me anë të një energjie mbinatyrale, në shpirtrat e besimtarëve të sinqertë e të devotshëm, duke i rigjeneruar ata në një jetë të re në Krishtin.
Termi “mister” përdoret gjithashtu për të treguar vullnetin e Perëndisë, i cili është jashtë çdo kuptimi të mendjes njerëzore, si dhe për të vërteta të tjera, p.sh. dogma e Trinitetit, e cila nuk mund të shpjegohet në mënyrë racionale. Meqenëse ato janë themeluar nga vetë Krishti – drejtpërdrejtë apo indirekt, si mjete të transmetimit të Hirit ato janë të domosdoshme për të përjetuar një jetë me Krishtin në Shpirtin e Shenjtë. Por duhet kuptuar që energjia e Shpirtit të Shenjtë nuk është e mbyllur vetëm në këto ceremoni. Ajo mund të veprojë edhe jashtë mistereve, por për sa i përket dy mistereve, Pagëzimit si akt inicimi dhe Kungimit si akt përjetimi me Krishtin, këto dy ceremoni janë të vetmet rrugë për marrjen e Hirit.
Misteret janë shenja të dukshme të Hirit Hyjnor dhe si të tilla ato kanë dy aspekte, atë të jashtëm dhe atë të brendshëm. Pjesa më e madhe e mistereve përdor gjëra materiale si enë të Frymës. Për këtë, Kisha në fakt është frymëzuar nga Trupëzimi i Zotit, i cili u bë njeri për shpëtimin tonë. Kështu që mund të themi se Jisu Krishti është misteri i parë i pranisë së Perëndisë në botë. Kisha vetë është një mister duke e bërë reale praninë e Trinisë në botë sot. I tërë universi është një mister, një lloj “shkurreje e zjarrtë kozmike, mbushur me zjarrin hyjnor dhe prapë i padjegur”, siç thotë episkopi Kallistos Ware.
Duke ditur se ne kemi trup dhe shpirt, Perëndia nuk e komunikon jetën e Tij vetëm në mënyrë të padukshme. Ai na jep Hirin e Tij nëpërmjet simbolit të disa shenjave materiale: kështu, duke parë ujë ne njohim që diçka lahet dhe duke parë bukë ne njohim që jemi ushqyer.
Do vijë dita kur nuk do të jetë më e nevojshme për të përdorur shenja materiale, sepse atëherë ne do e shohim Atë ballë për ballë dhe do të marrim pjesë në Të në ditët pa netë të Mbretërisë së Tij. Nëpërmjet përdorimit të gjërave materiale në misteret, natyra merr pjesë në shpëtimin e njeriut. Buka, uji, vera etj., bëhen mbartës të fuqisë së Perëndisë. Natyra dhe Fryma bashkohen në Shpëtim.
Shën Joan Gojarti na thotë të shohim tej shenjave materiale: “Kur ju vini në misterin e Pagëzimit sytë e mishit shohin ujë, por sytë e besës shohin Frymën. Ato sy shohin trupin që u pagëzua, sytë e tjerë shohin njeriun e vjetër që u varros. Sytë e mishit shohin mishin që u la, por sytë e frymës shohin shpirtin që u pastrua. Sytë e trupit shohin atë që del nga uji, sytë e frymës shohin njeriun e ri që po del i ndriçuar nga pastrimi i ri…”. Në misteret e Kishës Orthodhokse, Hyjnia “pushon” së qeni transhendent. Ai vjen e banon në tempull dhe kisha bëhet kështu “qiell në tokë”, sipas thënies klasike orthodhokse.
Sipas shën Nikolla Kavasilas, misteret përbëjnë jetën tonë në Krishtin. Ne nuk mund të jemi të krishterë të vërtetë nëse i shohim ato thjesht si rituale mekanike. Qëllimi i vërtetë i tyre është të nisin te besimtari jetën e Krishtit. Nëpërmjet mistereve, Perëndia sjell jetën e Tij tek ne dhe mbretëria e Tij bëhet e arritshme. Misteret nuk janë “makina shpëtimi”, as rituale magjike që punojnë automatikisht, por ato janë takime personale me Krishtin në besë. Atë Xhorxh Florofski shkruan: “Kulmi i Misterit (Kungatës) është në Praninë e Krishtit… dhe në takimin personal të besimtarëve me Zotin e tyre të Gjallë, si pjesëmarrës në “Darkën e Tij Mistike”. Realiteti më i lartë i këtij takimi theksohet me forcë në shërbesën për përgatitjen e Kungimit. Përgatitja në këtë mister është personale dhe intime… theksi personal në të gjitha lutjet është mbizotërues. Ky takim personal i besimtarëve me Krishtin është thelbi i jetës së devotshme orthodhokse”.
Gjithashtu duhet dalluar “efikasiteti” i Misterit (kjo do të thotë se Misteri në vetvete është një fuqi autentike hirdhënëse) prej “efektshmërisë” së Misterit (që do të thotë se sa është pranuar kjo fuqi hirdhënëse nga ai që ka marrë Misterin). Misteret janë “mënyra që veprojnë në mënyrë të pagabueshme me anë të Hirit mbi ata që vijnë tek ato”, siç thuhet në letrën e Patrikëve të Lindjes. Por frytshmëria e tyre te besnikët (besimtarët) – fuqia e tyre rinovuese dhe shpëtimtare – varet se sa denjësisht afrohen ata tek Misteri. Një afrim i padenjë mund të shkaktojë jo drejtësim por dënim.
Hiri nuk ndërhyn në lirinë e njeriut, nuk vepron mbi atë në mënyrë të pakundërshtueshme. Shpeshherë njerëzit nuk marrin nga misteret atë që ato mund të japin, dhe kjo ndodh ngaqë zemrat e tyre nuk janë të hapura për të pranuar e marrë Hirin, ose ata nuk e ruajnë dhuratën e Perëndisë që kanë marrë më parë. Për këtë arsye, ndodh që njerëz që janë të pagëzuar jo vetëm që nuk i përmbushin betimet e bëra nga ata apo nga nunët e tyre gjatë pagëzimit dhe që tashmë janë zhveshur nga Hiri që kishin marrë, por shpesh për humbjen e tyre shpirtërore, ata bëhen armiq të Zotit, mohues, të pabesë dhe “apostatë”.
Jeta e brendshme e Kishës është mistike (ose sakramentale). Kjo nuk përputhet më me historinë e Kishës, e cila na tregon neve vetëm faktet e jashtme të jetës së saj, dhe sidomos konfliktin me jetën dhe pasionet e botës. Jeta e brendshme e Kishës është bashkëveprimi mistik i Krishtit si kokë, me Kishën si Trupi i Tij, në Shpirtin e Shenjtë me anë të një lidhjeje të fortë reciproke. Ky është një mister i madh, por unë e them këtë për Krishtin dhe Kishën. (Efes. 5:32) Prandaj kur Apostujt e quanin veten “Kujdestarë të mistereve të Perëndisë” (1 Kor. 4:1) ata kishin ndër mend forma të ndryshme të kujdestarive dhe shërbesave të tyre si p. sh. 1) predikimi, 2) pagëzimi i atyre që besonin, 3) zbritja e Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet dorëzimit (hirotonisë), 4) forcimi i unitetit të besnikëve me Krishtin nëpërmjet Misterit të Kungimit. Kështu pra, aktiviteti i Apostujve ishte plot me elemente mistike.
Ndër to, vendi qendror ose kulminant zihej nga ritet e shenjta. Prandaj është e natyrshme që, në jetën e Kishës, seritë e veçanta dhe më të rëndësishme të shërbesave hirdhënëse, seritë e riteve të shenjta, gradualisht u quajtën “mistere”. Shën Ignat Hyjmbajtësi, një nxënës i Apostujve, shkruan në lidhje me dhjakonët se ata janë gjithashtu “shërbëtorë të mistereve të Krishtit”. Këto fjalë të shën Ignatit e përmbysin thënien e protestantëve se në Kishën e vjetër koncepti i “mistereve” ose “sakramenteve” nuk përdorej për ritet e shenjta të Kishës.
Ritet e shenjta të quajtura “mistere”, janë ashtu siç ishin majat e një vargmali të gjatë të përbërë nga ritet dhe lutjet e Shërbesave Hyjnore. Tek misteret, lutjet dhe bekimet në një formë apo tjetër bashkohen së bashku. Fjalët e bekimeve të shoqëruar nga veprimet e jashtme të shenjta janë ashtu siç ishin, enët shpirtërore me anë të së cilave Hiri i Shpirtit të Shenjtë merret dhe jepet tek anëtarët e Kishës që janë besimtarë të sinqertë. Si përkufizim mund të themi: Një mister është një akt i shenjtëruar i cili nën një veprim të jashtëm komunikon në shpirtin e besimtarit Hirin e padukshëm të Perëndisë.
Që një mister të jetë teologjikisht i vlefshëm dhe kishtarisht kanonik, ai duhet të kryhet nga një prift i dorëzuar kanonikisht dhe që është në kungim me Kishën. Kjo do të thotë që një mister i kryer jashtë Kishës, pra nga një prift heretik apo skizmatik, kishtarisht nuk është i pranuar. Duhet të theksojmë që episkopi apo prifti nuk janë kryerësit kryesorë të mistereve, por vetëm instrumente të nevojshëm, nëpërmjet të cilëve Kryeprifti (Jisu Krishti) i kryen ato. Shën Joan Gojarti thotë: “Ati, Biri, dhe Shpirti i Shenjtë i kryen ato gjatë kohës që prifti flet apo shtrin dorën”. Kështu që, jeta personale e priftit ose denjësia e tij apo padenjësia e tij nuk influencojnë shenjtërimin dhe fuqinë e misterit.
Besohet që Perëndia vepron madje edhe nëpërmjet klerikëve të padenjë. Kjo do të thotë që efektet e misterit, d.m.th., efektshmëria e tij, nuk dëmtohet nga një celebrues i padenjë. I vetmi kusht i duhur nga ana e celebruesit që të jetë misteri i vlefshëm, është që ai duhet ta kryejë atë sipas porosive të Kishës. Për këtë arsye, qysh prej fillimit, celebruesit të një misteri i kërkohej të vishte një lloj uniforme (veshjet priftërore) me anë të së cilave ai ndahet nga jeta e tij dhe përgatitet të kryejë misterin, si instrument i Hyjnisë. Është e panevojshme të thuhet që celebruesi i një misteri duhet të jetë një pjesëmarrës i sinqertë i besës që qëndron në misteret orthodhokse. Kjo gjithashtu do të thotë që misteret e kryera jashtë Kishës nuk janë të vlefshme.
Kisha Orthodhokse numëron ndërmjet mistereve sa më poshtë: 1) Pagëzimi, 2) Mirosja, 3) Kungimi, 4) Pendim-Rrëfimi, 5) Dorëzimi, 6) Martesa, 7) Efqelia. Por megjithatë, ne duhet të kuptojmë që tradicionalisht Kisha Orthodhokse kurrë nuk e ka kufizuar numrin e mistereve vetëm në shtatë. Numri shtatë nuk ka rëndësi absolute dogmatike në teologjinë orthodhokse, por përdoret për përshtatshmërinë e tij. Është më tepër simbolik dhe përdoret për të treguar përsosmërinë e hirit. P.sh. dhuratat e Shpirtit janë 7 (Isaia 11:2-4). Të vendosësh një kufizim në numrin e mistereve do të thotë t’i shohësh ato nga një perspektivë shumë e ngushtë.
Nëse një mister gjendet kudo ku hiri i Perëndisë ndërmjetëson tek njeriu nëpërmjet materies, atëherë nuk ka numër të kufizuar të Mistereve. Kështu që tërë krijesa bëhet një mister, një theofani, nëpërmjet të cilës ne shohim Perëndinë. Atë Thomas Hopko përkufizon: “Tradicionalisht Kisha Orthodhokse e kupton çdo gjë që është në Kishë si mistike. E gjithë jeta bëhet një mister në Krishtin i cili e mbush vetë jetën me Frymën e Perëndisë”.
Mistere të tjera të përmendur nga teologë orthodhoksë janë dhe Tonsura murgërore (Shërbesa e qethjes/bërjes murg), Shërbesa e varrimit, Bekimi i Ujit, Shenjtërimi i kishës, Bekimi i bukës, vajit, verës, frutave, shtëpive etj. Lipsanet e shenjtorëve; Ikonat, të cilat nuk janë vetëm një imazh i botës hyjnore, por gjithashtu janë prania e saj në tokë; Dhembshuria, që sipas Shën Joan Gojartit është një mister: “Dhembshuria është një mister… sepse misteret tona janë përmbi të gjitha dashuria dhe dhembshuria e Zotit për njerëzimin, mund të numërohen edhe shërbesa të tjera të Kishës si mistere”.
Numri i Mistereve nuk përcaktohet nga Dhiata e Re, as nga Etërit e Kishës. Por gjatë jetës së Kishës gradualisht u përcaktuan shtatë. Koha kur i përcaktuan përfundimisht misteret si shtatë ishte fundi i shek XIII.
Si përfundim mund ta përkufizojmë kështu esencën e çdo misteri:
“Në Pagëzim, njeriu lind mistikërisht në jetën shpirtërore. Në Mirosje, ai merr Hirin, i cili e rrit atë shpirtërisht dhe e forcon. Në Kungim, ai ushqehet shpirtërisht. Në Pendim, ai shërohet nga sëmundjet shpirtërore (mëkatet). Në Dorëzimin klerik, ai merr Hirin shpirtërisht për të rigjeneruar dhe ushqyer të tjerët me anë të mësimit, lutjeve dhe mistereve. Në Martesë, ai merr Hir i cili shenjtëron martesën dhe lindjen e rritjen e fëmijëve. Në Efqeli, ai shërohet nga sëmundjet e trupit me anë të shërimit të sëmundjeve shpirtërore.”
Hierodhjakon Joan Pelushi (sot Mitropolit i Korçës),
Misteret e shenjta në Kishën Orthodhokse,
Nga libri: Besimi Orthodhoks,
Shtëpia botuese Bashkimi Orthodhoks Kristian “Kryqi i Nderuar”,
Selanik, 1996