E Diela XXXV, Njeriu, më i çmueshëm se gjithçka, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 27.02.2022 (Tekst)

“Edhe kështu për diturinë tënde do të humbasë vëllai i dobët, për të cilin Krishti vdiq” 

Në epokën tonë shumë gjëra u bënë të çmueshme: Paraja, jeta e rehatshme, dëfrimet lëndore, shkenca… Këto konsiderojnë të çmueshme, sot, shumë njerëz në të gjithë botën. Për to flasin. Ato mendojnë. Ato dëshirojnë me zjarr. E megjithatë! Brenda zhurmës së tregtisë, brenda mjegullës dhe dehjes së jetës materialiste, brenda shastisjes së arritjeve shkencore, kanë humbur gjënë më të çmueshme: njeriun! Atë nuk e shohin, nuk e llogarisin. Është për ta “objekt i pavlefshëm”. Është numër. Dhe këtu gjendet mashtrimi i tyre i madh. Sepse njeriu, me personalitetin e tij të lirë, dinjitetin e tij, destinacionin e tij të përjetshëm, është më i çmueshëm se gjithçka tjetër ekziston në këtë botë. Kjo trumbetë e madhe zgjuese dëgjohet në pjesën e sotme apostolike.

* * *

Shën Pavli, duke konstatuar situatën e të krishterëve, të cilët, ndoshta nga padija, jo vetëm nuk e vlerësojnë njeriun, por edhe e skandalizojnë atë, dhe duke dashur të demonstrojë sa e madhe është përgjegjësia e skandalit, thotë dhe nënvizon: Njeriu, të cilin skandalizon çdokush prej nesh, me sjelljen e tij të pakujdesshme, ka aq vlerë, saqë Krishti sakrifikoi jetën e tij dhe vdiq në kryq për të. Krishti, për ta shpëtuar nga padija, nga mashtrimi dhe mëkati, sakrifikoi jetën e tij. Ti, o i krishter, thotë Apostulli, nuk sakrifikon një nga të drejtat e tua të vogla dhe të parëndësishme.

Për shembull, je i sëmurë dhe bën lëshime në kreshmë. Nuk mëkaton me këtë. Je i lirë të bësh lëshime, përderisa, për arsye shëndetësore, të ta imponojnë edhe kanonet e Kishës sonë të shenjtë, duke të të dhënë këtë të drejtë. Nuk mëkaton pra, kur prish kreshmën, përderisa të lejohet ky lëshim. Mëkaton, kur e prish me pakujdesi. Mëkaton haptazi, para syve të të tjerëve, psonis dhe gatuan dhe ha jo kreshmore, ndërkohë që tjetri nuk e di nevojën që ke, dhe skandalizohet. Të shikon të hash dhe ha edhe ai. Ti ke nevojë, ai nuk ka nevojë. Dhe ti nuk mëkaton. Por ai mëkaton. Ti nuk mëkaton duke ngrënë, përderisa ta imponon sëmundja. Por mëkaton, sepse nxit dhe shtyn tjetrin në mëkat, në përbuzjen e kreshmës, në shkeljen e rregullave, traditave dhe kanoneve të shenjta të Kishës. Mëkati i atij që merr shkak prej teje për të mëkatuar, bëhet mëkati yt.

* * *

Skandal, pra, në jetën shpirtërore, quhet çdo pengesë, mbi të cilën mund të përplaset dikush dhe të bjerë. Çdo veprim dhe sjellje, çdo shkak dhe arsye, që mund të mashtrojë dikë në rënie morale dhe shpirtërore.

Ekzistojnë shumë mënyra dhe veprime, që mund të skandalizojnë. Një atë dhe një nënë, të cilët grinden shpesh në jetën e tyre dhe thonë fjalë të pazakonta apo sharje para fëmijëve të tyre, i skandalizojnë ata dhe njerëzit rreth tyre. Një mësues apo profesor, një nëpunës shoqëror, udhëheqës shpirtëror apo kishtar, me sjellje të pahijshme, skandalizon njerëzit rreth tij.

Një grua, me pamjen e saj provokuese, mund të shkaktojë skandalizim. Ashtu sikurse edhe një burrë me mënyrën e tij të papranueshme. Por, ekziston edhe një formë tjetër skandalizimi. Bëhet fjalë për veprime, të cilat disa i karakterizojnë si të lejueshme, kurse të tjerë i dënojnë. Kështu që, një veprim publik i një të krishteri, shkakton reagim dhe pakënaqësi tek tjetri, sepse nuk e aprovon atë. Dhe atëherë skandalizohet dhe tronditet respekti dhe besimi midis tyre.

Në rastin në fjalë, do të pyesë dikush: Çfarë duhet të bëhet? Përfundimi i shenjtorit është themelor dhe ndihmon në zbulimin e vlerës së njeriut. Dashuria e krishterë përgjigjet: Ti që zotëron më tepër dije dhe jetë shpirtërore, mos i përdor këto aftësi pa u menduar, duke parë vetëm veten tënde. Të llogarisësh edhe pozitën e të krishterit tjetër, formimin e tij, dobësinë e tij, “për të cilin Krishti vdiq”.

Je baba dhe nënë? Mendoni, se gjëja më e çmuar që keni në shtëpinë tuaj, janë fëmijët tuaj. Mos u tërhiqni nga ambienti materialist i botës. Asgjë; as ushqimi i mirë, as udhëtimet, as jeta mondane, nuk kanë ndonjë vlerë para fëmijëve tuaj. Sepse ata janë imazhe të Perëndisë, bij të Perëndisë. Krishti i deshi dhe i bekoi. Janë trashëgimtarë të Mbretërisë së Tij.

Nëpunësi, shërbëtorja jote, punëtori yt, komshiu yt i varfër, pastruesi komunal, nuk janë njerëz të një vlere më të “ulët”. Nuk ekzistojnë, veç kësaj, njerëz të klasave “të larta” dhe “të ulëta”. Të gjithë njerëzit, rrjedhimisht, kanë brenda tyre një shpirt të pavdekshëm. Kanë personalitet dhe dinjitet. Kanë një paracaktim të përjetshëm. Nuk mund t’i përbuzësh, t’i injorosh. Do të nderosh, absolutisht, personalitetin e tyre. Do t’i nderosh si imazhe të Perëndisë. Do t’i duash si vëllezër të Krishtit. Ekziston diçka më e shtrenjtë në botë sesa vëllezërit e Krishtit? Ia vlen çdo sakrificë.

* * *

Kjo duhet të jetë taktika e të Krishterit. Përderisa vetë Zoti derdhi Gjakun e Tij, për dashurinë ndaj njeriut, duhet që edhe çdo ndjekës i Tij të mohojë dhe të sakrifikojë diçka nga të drejtat që i takojnë, për hir të vëllezërve të tij.

Ke një profesion. Fitimi i ligjshëm është e drejta jote e pamohueshme. Por, në momentin që në dyqanin tënd vjen nëna e ve me fëmijët jetim dhe artikujt që ka për të blerë, nuk mund t’i paguajë në kohë, çfarë do të bësh? Nuk mund ta përzësh me duar bosh. Ia vlen çdo sakrificë, sepse është motra e varfër e Krishtit. Do t’i dhurosh fitimin tënd të ligjshëm.

Shën Joan Gojarti, për të theksuar seriozitetin e kësaj situate, pyet: «Si është e mundur që sjellja jonë skandalizuese, ndaj të afërmit tonë “të dobët e të sëmurë”, të “përbuzë” personin e Krishtit?» Dhe përgjigjet: «Së pari, Zoti veshi natyrën njerëzore nga dashuria për të shpëtuar njeriun mëkatar. Së dyti, ata që plagosen dhe goditen ashpër nga indiferentizmi ynë, janë gjymtyrë të Trupit të Krishtit dhe, rrjedhimisht, çdo padrejtësi përfundon tek vetë Zoti Krisht. Dhe, së treti, të gjithë ata që mbështesin meritën personale, në dëm të vëllait të sëmurë, zhvlerësojnë veprën e Krishtit»

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Ungjilli i shenjtë i sotëm, bën fjalë për ardhjen e dytë të Krishtit dhe Gjyqin e frikshëm, që do të bëjë. Por, cili do të jetë kriteri në atë gjyq mbarëbotëror? Njeriu, vërteton vetë Zoti. Vendi i secilit prej nesh në përjetësi, do të varet nga vendi që morëm këtu në tokë, përkundrejt njeriut, vëllait të Krishtit. “Gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua”, do të shpallë goja e shenjtë e Zotit. Ç’gjë tjetër na duhet, që të kuptojmë, se njeriu është më i çmueshëm se gjithçka?

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI